-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

“Qëndroni, mos e leni kte fé! Rune besën e t’parve tuj!”

Më të lexuarat

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili krijoi vdekjen dhe jetën, si sprovë për kalimtarët në këtë jetë kalimtare.
Atij i përulemi dhe Njësinë e Tij dëshmojmë, ashtu siç urdhëron edhe në Kur’anin Famëlartë: “All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, edhe melekët edhe njerëzit e dijes….”
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit mëshirë për mbarë botrat. Më i dituri, më i urti, madhëruesi i dijes dhe gradës së dijetarëve.
Transmetohet, se: “Kur vdes një dijetar, në Islam hapet një boshllëk, që nuk e mbyll asgjë, deri në ditën e kiametit” Sikurse transmetohet, se: “Vdekja e dijetarit është një fatkeqësi, që nuk ka ngushëllim, një boshllëk, që nuk mbyllet! Vdekja e një fisi është më e lehtë se vdekja e një dijetari. Ai është një yll që u shua!”
Transmetohet se, Ibn Abbasi (r.a), teksa komentonte ajetin kur’anor: “A nuk shohin ata se Ne i sjellim pakësimin e tokës (së tyre) nga të gjitha anët e saj”, tha: “Vdekja e dijetarëve të saj!” Sikurse është transmetuar, se: “Vdekja e një dijetari është më e dashur për shejtanin se vdekja e shtatëdhjetë adhuruesve!”
Të nderuar e të shtrenjtë vëllezërit e mi,
Mbrëmjen që kaloi, mbarë bota islam, nga Lindja në Perëndim, mori lajmin e ndërrimit jetë në kryeqytetin e Jordanisë, Amman, të dijetarit të madh shqiptar, arnautit damasken me prejardhje nga Shkodra, “shërbëtori i hadithit sherifë”, “më i madhi i dijetarëve të Synetit, i angazhuar me verifikimin e librave të Traditës”, “njëri prej shtyllave të verifikimit të rrënjëve të Traditës Profetike”, Shejkh Shuajb Muharrem Arnauti, në moshën 88 vjeçare.
Dr. Jusuf El-Karadavi, ngushëllonte kështu: “E mëshiroftë All-llahu vëllanë tonë, dijetarin, verifikuesin, Shuajb Arnauti, alimin e hadithit, shërbëtorin e Traditës së pastër profetike! All-llahumme fale, pranoje në mesin e të mirëve dhe lartësoja gradët në xhennet!”
Të dashurit e mi,
Alimi i madh, Shejkh Shuajb Arnauti, u lind në vitin 1928 në Damask, një vit pasi i ati, Muharrem Arnauti, emigroi nga Shkodra drejt Damaskut.
Arritjet shkencore të këtij shqiptari të madh, e bëjnë atë njërin ndër personalitet e veçanta shkencore islame, që është marrë gjatë tërë jetës së tij me verifikimin shkencor të veprave të rëndësishme islame, si: “Sherhus-Sunneh”, të Imam Begaviut, 16 vëllime. “Raudatu-talibine”, i Imam Neveviut, 12 vëllime, (në bashkëpunim me dijetarin tjetër shqiptar, Shejkh Abdulkadir Arnauti). “Muhedh-dhebul-egani”, të Ibni Mendhurit, 12 vëllime. “El-Mubdiu fi sherhil-Mukanna”, të Imam Ibn Muhlih hanbeliut, 10 vëllime. “Zadul-mesir fi ilmit-tefsir”, të Ibnul-Xheuziut, 9 vëllime, (në bashkëpunim me dijetarin tjetër shqiptar, Shejkh Abdulkadir Arnauti). “Sijer a’lamun-nubela”, të Imam Dhehebiut, 25 vëllime. “Sunen Et-Tirmidhi”, 16 vëllime. “Sunen En-Nesai”, 12 vëllime. “Sunen Ed-Darekutni”, 5 vëllime. Etj.
Të dashurit e mi,
Emrin e madh të Hoxhës e kam dëgjuar dhe lexuar për herë të parë në Damask, kur ende isha student. Shejkh Shuajb Arnauti jetonte dhe punonte në Amman të Jordanisë, ku ne e kishim thuajse të pamundur ta vizitonim.
Në vitin 2004, teksa përgatitesha të botoja monografinë mbi jetën e Hoxhës tim, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, u lidha me telefon me Hoxhën Shuajb Arnauti. Ishte hera e parë që komunikonim. Biseda, jo fort e shkurtër, nisi në shqip dhe u përzi me arabishten e pastër të dijetarit të arabishtes… Atë ditë, isha mbushur me një emocion të madh. Tingulli i zërit të tij kishte një ëmbëlsi të papërshkrueshme. Nuk e harroj, kur më tha: “Esh-Shejkh Vehbi, alimun mutemessikun bil-medhhebil-hanefijji bi-edhafiruh”: “Shejkh Vehbiu, është një dijetar i kapur për thonjsh pas medhhebit hanefi”…
Më 7 korrik 2011, pas shumë e shumë kohësh u takuam për herë të parë në Shkodër. Nuk kam fjalë ta përshkruaj atë moment fatlum dhe ditët e pakëta të qëndrimit të tij në Shkodër…
Atë pasdite, teksa merrte në dorëzim titullin: “Qytetar Nderi” i Shkodrës, (për të cilin falënderoj Këshillin e Bashkisë Shkodër, që e mori në konsideratë kërkesën e Myftinisë Shkodër), para një turme të madhe të ftuarish, bëri deklaratën e tij të madhe në gjuhën shqipe: “Me gjak jam shqiptar, por feja jeme asht Islami!”.
Ndërkohë, të nesërmen, më 8 korrik 2016, gjatë dersit të xhumasë në xhaminë e Parrucës, dha një këshillë të madhe për të gjithë, kur na u drejtua: “Pavarësisht kohërave të errëta që kaloi vendi, duhet që sot, të zgjoheni dhe të ruani amanetin e të parëve tuaj! Qëndroni, mos e leni kte fé! Rune besën e t’parve tuj!”
Të dashurit e mi,
Sot, për herë të parë, nga 7 korriku 2011, dua të ndaj me ju një “ixhazet” nga dora e Shejkh Shuajb Arnautit, me të cilin më begatoi All-llahu Mëshirëplotë, në tekstin e të cilit shkruhet:
“7/7/2011 m.
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Pastaj them: Unë i jap ixhazet vëllaut dhe shokut tim, Shejkh Muhamed Sytarit Shqiptarit, Mytiut të Shkodrës, hadithin që e transmeton Ahmedi dhe As’habus-Sunen: “Mëshiruesit i mëshiron Mëshiruesi! Mëshironi ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell!”.
Prej tij shpresohet t’i mëshirojë njerëzit dhe të zgjedhë për ta, në fetvatë e tij, atë që është më e lehta dhe më e forta drejt së drejtës, me shpresën që kjo duá ta përfshijë edhe atë!
All-llahu jep mbarësi drejt së drejtës!
E shkroi, në qytetin e Shkodrës, vendi, ku ka rënë koka e të atit,
Shuajb Muharrem Arnauti (Firma)”
Është pikëlidhja ime me Hoxhën tim, Shejkh Shuajb Arnauti. Amaneti, që la në duart e mia e, që i lutem All-llahut të më bëjë të denjë ta mbaj mbi supe e ta përhap kudo, sa të kem frymë e jetë!
Për fund të këtij ngushëllimi jo të zakontë,
Për disa orë mbrëmë, nuk fola asnjë fjalë. Nuk më flitej, xhanëm. Shfletova gjithandej. Kudo nëpër botë, lajmi i kësaj ndarjeje nga jeta, shoqërohej me ngushëllime e vlerësime të jashtëzakonshme për këtë kolos të dijes, përveçse nga vendi im…
Askush nuk u kujtua të thoshte një fjalë a një mesazh, një ngushëllim publik a një status në fb a twitter. As presidenti, as kryeministri, as kryeparlamentari, as deputetët e Shkodrës, as Bashkia, askush…
Edhe pse dje, realisht, ka ndërruar jetë shqiptari më i madh i globit, e ndoshta, më i shquari personalitet shkencor shqiptar i krejt këtij shekull! Sot, flamuri shqiptar, në të gjitha institucionet tona, duhet të ishte gjysëm shtizë… Sot, presidenti ynë duhet të ishte në Jordani, për të falur xhenazen e Hoxhës më të madh të shqiptarëve. Duhet të ishte edhe kryeministri jomusliman, si vëzhgues e përfaqësues legjitim i vendit tonë, atje! Por, kjo nuk ndodhi. Madje, disa do ta lexojnë me habi këtë shënim anësor… (Dhe, s’kanë asnjë faj, se zakonisht, ata nuk shihen në ceremoni fetare islame… Se nuk e kanë rizk ata, jo ne!)
Por, nga një anë tjetër, asnjëri prej tyre nuk kanë asnjë faj për injorimin e këtij lajmi. Nuk ia kujtoi dikush, qoftë këshilltar, institucion fetar a të ngjashëm, sepse… Sepse, Islami dhe madhështia e tij, tentonet të fshihet sot nga jeta shqiptare, kudo në trojet shqiptare, të minimizohet shfaqja e tij! Është një e vërtetë e dhimbshme!
Sepse ne, muslimanët vegjetojmë kryesisht, nuk reagojmë! Sepse laicizmi ekstremist selektiv islamofob tek ne, sa vjen e nxjerr në pah fytyrat e neveritshme të hipokrizisë me Islamin dhe muslimanët, duke iu përngjasuar shembujve më të neveritshëm të trajtimit që i bëhet Islamit dhe muslimanëve në skutat e errëta e kutërbuese të perëndimit, (jo atij elitar e plot dinjitet)!
Sepse ne, muslimanët shqiptarë, shpeshherë, nuk jemi as për fenë tonë, as për simbolet tona, as për të drejtat tona legjitime!
Për këtë, punohet që ne të shuhemi pak nga pak, ditë pas dite, nën trysninë e imponimeve të mirëorganizuara të shfaqjes së simboleve joislame, tendencave fetare të dala boje të ekspozuara e të stërekspozuara, kudo e çdo ditë!? Pa përmendur islamofobinë e stisur në tërësinë e saj, a osmanofobinë, si alibi e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar etj…
Por, ne nuk kemi vdekur akoma! Ezani përhapet çdo ditë në hapësirat qiellore të kësaj toke islame, duke përhapur dritë shprese, bekim të përjetshëm e thirrje hyjnore, të cilës i përgjigjen me tekbire e sexhde, ditë për ditë, me dhjetra e qindra të rinj, në çdo cep të këtij qyteti e krejt trojeve tona…
Me veprimin e tyre, këta të rinj besimtarë e qytetarë elitarë, sikur mbajnë me duar të pastra amanetin e Shejkh Shuajb Arnautit të madh: “Pavarësisht kohërave të errëta që kaloi vendi, duhet që sot, të zgjoheni dhe të ruani amanetin e të parëve tuaj! Qëndroni, mos e leni kte fé! Rune besën e t’parve tuj!”
All-llahu e mëshiroftë Hoxhën tonë të ditur, e bëftë varrin e tij bahçe xhenneti, veprën e tij dëshmi lartësimi në ahiret dhe shembullin e tij frymëzues për zgjimin e brezit të ri të shqiptarëve të pas ’90-tës drejt fesë dhe amanetit të brezave të shkuar, gjyshërve e baballarëve, që na mëkuan me shehadet e salavat, me tekbir e ballin në sexhde! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 28 tetor 2016
(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e “Dy Vajzave”)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit