Presidentët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit diskutuan për Sirinë në Teheran
Të martën, presidenti rus Vladimir Putin i vlerësoi si “të dobishme” bisedimet trepalëshe në Teheran me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe atë iranian Ebrahim Raisi për zgjidhjen e konfliktit në Siri, raporton AFP.
“Takimi ishte shumë i dobishëm… Ne diskutuam elementët kryesorë të koordinimit tonë kur bëhet fjalë për Sirinë”, tha Putin pas takimit.
Ai i ftoi dy kolegët të vizitojnë Rusinë dhe të marrin pjesë në një takim të ri me temën e Sirisë deri në fund të vitit.
Por Erdogan tha se nuk do të heqë dorë nga veprimet e tij në Siri. “Lufta jonë kundër organizatave terroriste do të vazhdojë gjithmonë,” tha ai, duke shtuar se pret që Rusia dhe Irani ta mbështesin atë në këtë.
Të tre vendet po përpiqen së bashku të reduktojnë dhunën në Siri, pavarësisht faktit se mbështesin palët kundërshtare në luftë. Rusia dhe Irani janë mbështetësit më të fortë të presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërsa Turqia mbështet rebelët kundër regjimit të Asadit.
Turqia po kërcënon të rinovojë ofensivën e saj ushtarake në veri të Sirisë, duke përmendur kërcënimet terroriste si arsye. Ankaraja tashmë ka kontroll mbi zonën kufitare në veri të Sirisë. Ndaj dhe Rusia dhe Irani po paralajmërojnë Turqinë kundër një ofensive të tillë.
Presidenti iranian Raisi bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të luftës.
“Gjëja më e rëndësishme është garantimi i integritetit territorial dhe mundësimi i popullit sirian të vendosë për fatin e tij politik”, tha Raisi në prani të Putinit dhe Erdoganit.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei vuri në dukje të martën se “çdo sulm nga Turqia në veri të Sirisë do të ndihmojë vetëm terroristët… Ne e konsiderojmë sigurinë e Sirisë sigurinë tonë dhe Turqia duhet të bëjë të njëjtën gjë”. /tesheshi.com/