0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Qendra Sociale e Mirahorit: Për 400 vjet me radhë askush nuk fjeti pa darkë

Më të lexuarat

Korça e nisi jetën e vet me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, me shkollën e parë në Shqipëri për vajza dhe djem dhe me Imaretin (Qendrën sociale për të varfrit). Të tria këto përfunduan së ndërtuari në vitin 1496. Në Qendrën Sociale do të gatuhej ushqim për të varfrit. Askush prej të varfërve nuk duhej të vuante për bukë. Dhe kështu ndodhi vërtet. Për më shumë se 400 vjet me radhë, (1496-1934, kohë kur nuk u njohën më vakëfet), askush prej banorëve të qytetit të Korçës nuk fjeti pa darkë, pavarësisht kush ishte ai, fëmijë apo i rritur, burrë apo grua, student apo intelektual. Nga ky privilegj nuk përjashtoheshin as udhëtarët. Nëse u binte rruga të hynin në qytetin e Korçës, edhe ata do ta gjenin gjithnjë një sofër të shtruar dhe një shtrat për të fjetur. Qendra Sociale kishte edhe një han të vetin. Imareti ishte një korpus i tërë, përbëhej nga sërë godinash, me administratë dhe punonjës të përkushtuar dhe me një buxhet të tillë që mund të përballonte të gjitha nevojat e njerëzve, pavarësisht nga numri i tyre. Nga kjo e drejtë nuk përjashtoheshin as të pasurit, që për arsye të ndryshme, (fjala vjen, kur u qëllonte të kalonin në Korçë si udhëtarë) dhe që mund të kishin nevojë për ushqimin e Qendrës Sociale. Për Mirahorin, nëse një qytet kishte njerëz që vuanin mungesën e ushqimit, atëherë ai nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një qytet që lëngonte. Në dekretin perandorak të vitit 1504-1505 për kthimin e pronave të Mirahorit në Vakëfe thuhet: Mirahori “Ngriti e ndërtoi gjithashtu… edhe një Imaret (Institucion Bamirësie) të shenjtë dhe të hijshëm me gjithë lokalet e nevojshme, si: kuzhinë, depo, furrë, han, etj. dhe i caktoi si vakëf për gjithë ata që shkojnë e vijnë etj. dhe e pajisi këtë Imaret me të gjitha mjetet, enët dhe komoditetet e nevojshme, pak a shumë qofshin… Të gjitha këto objekte i la vakëf të saktë, legal, të qartë e të zbatueshëm”.(Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit).

Ushqimi për të varfrit do të ishte i përditshëm dhe nuk do t’u mungonte kurrë:

“Vakëflënësi i lartpërmendur vë si kusht që në këtë Imaret (Qendrën sociale) të gatuhet e të furnizohet çdo ditë dy herë me ushqim, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi etj. dhe do të hajë kushdo që të jetë i pranishëm në kohë të bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar e banues, fëmijët e studentëve etj., kushdo qoftë, çka do që të hanë e kanë hallall dhe u bëftë mirë”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit).

Ushqimi që ofrohej nuk ishte sa për të gënjyer të varfrit, ose siç thuhet rëndom, sa për të mbushur barkun me bukë. Në Qendrën Sociale të Iljaz Bej Mirahorit gatuhej mirë dhe me cilësi. Enët ishin të kallajisura e të pastra, uji ishte i rrjedhshëm dhe i bollshëm. Nuk mungonte as mishi, as mjalti dhe as gjalpi. Qendra Sociale kishte kuzhinierë e ndihmëskuzhinierë, bukëpjekës dhe ndihmës, magazinierë, druvarë, rojtarë, kallajxhinj dhe njerëz që kujdeseshin për ndriçimin dhe arredimin e Qendrës Sociale. Që të varfërve t’u shërbehej sa më mirë të ishte e mundur, në krye të qendrës sociale u vendos Ali Abdullahu, skllavi që kishte fituar lirinë. Ai do të shërbente për sa kohë që ishte gjallë.

Ja çfarë thuhet më konkretisht në dekretin e perandorak:

“Pastaj vakëflënësi i sipërpërmendur cakton një fond prej 4 mijë dërhemësh çdo vit për të blerë grurë për të gatuar e për të pjekur në Imaret.
Për të blerë mish e për ta bërë gjellë në Imaret cakton nga 12 derhem për çdo ditë.
Për të blerë mjaltë, gjalpë të thjeshtë, uthull etj., cakton nga 15 derhem për çdo ditë.
Për bukëpjekësin cakton nga 3 derhem për çdo ditë për të pjekur bukë në furrën e Imaretit.
Për çirakun e bukëpjekësit cakton nga 1 derhem për çdo ditë.
Për kuzhinierin cakton 3 derhem për çdo ditë.
Për çirakun e kuzhinierit cakton 1 derhem në ditë.
Për shehun e Imaretit cakton nga 4 derhem për çdo ditë dhe emëron drejtor të Imaretit skllavin e tij të liruar, të quajtur Ali Abdullahun për sa të jetë gjallë.
Për ekonom-magazinierin cakton nga 2 derhem për çdo ditë.
Për shtresë, ndriçim etj. të Imaretit cakton nga 1 derhem për çdo ditë.

Për të ruajtur faltoren dhe vakëfet e tjera dhe për të kallajisur enët e Imaretit cakton nga 5 derhem.
Edhe për dy druvarët cakton për secilin nga 1 derhem për çdo ditë ditë”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit).

Buxheti për qendrën sociale parashikonte edhe shpenzimet e tjera, madje të gjitha me detaje, që në asnjë rast dhe në asnjë kohë Qendra Sociale të mos binte në kolaps dhe të mos funksiononte më. Për Mirahorin nuk kishte gjë më të shenjtë se sa t’u vije në ndihmë të varfërve:

“Vakëflënësi i lartpërmendur (Mirahori) vë si kusht që të mbahen katër mushka për t’i sjellë dru Imaretit për kuzhinën e për furrën.

Vakëflënësi cakton gjithashtu edhe nga katër derhem për çdo ditë për ushqimin e tyre, si tagji dhe për patkoj e të tjera shpenzime të mushkave.

Gjithashtu cakton edhe një fond për të blerë një mushkë tjetër në qoftë se ngordh ndonjëra prej tyre. Kjo do të blihet dhe do të vihet në vend prej Myteveliut”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit).

Ashtu siç tregonte kujdes për fëmijët e vet, po kaq i interesuar Mirahori shfaqej edhe ndaj skllevërve që u kishte dhënë lirinë. Nëse për nënën e Aishes (bashkëshorten e tij), jepte 3 derhem në ditë dhe 65 qese grurë për çdo vit, edhe për Hurshide Abdullahun, skllaven e liruar jepte 2 derhem në ditë dhe 40 qese grurë çdo vit. (Ky është vetëm një shembull që flet për trajtim të barabartë të njerëzve). Dhe nëse dikush prej përfituesve të fondeve vdiste, atëherë pjesa e caktuar për të, nuk i kthehej më familjes së Mirahorit, por shkonte në favor të Qendrës Sociale.

Fondet për të varfrit nuk mund të prekeshin nga askush, pavarësisht se kush ishte ai, madje as nga sulltani: “Pastaj, nga të ardhurat e vakëfeve të përmendura më sipër, vakëflënësi për tri bijat e tij prej barkut të tij që quhen Fatime, Shoh-Hatun dhe Aishe, për secilën lë nga 6 derhem për çdo ditë.
Edhe për dy bijat e tij të quajtura Hondi dhe Hatixhe, për secilën nga 5 derhem për çdo ditë.
Edhe për nënën e Aishes së përmendur më sipër, nga 3 derhem për çdo ditë e nga 65 qese grurë për çdo vit.
Edhe për skllaven e tij të liruar të quajturën Hurshide Abdullah, cakton nga 2 derhem për çdo ditë e nga 40 qese grurë për çdo vit.
Edhe për skllavin e tij të liruar të quajtur Sulejman Zajimi cakton nga 4 derhem.
Edhe vë si kusht që, në qoftë se vdes ndonjëri prej tyre, fondi i caktuar për të, të shkojë në favor të shpenzimeve të Imaretit në fjalë, por për sa të jetë gjallë, nuk do t’i ndërpritet asnjërit subvencioni i caktuar”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit).

Për mirëfunksionimin e Qendrës Sociale parashikoheshin edhe fonde rezervë.

Edhe pse thuhet që në Imaret “do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi” në të vërtetë menyja ishte më e gjerë se kaq dhe vazhdimisht mendohej për shtimin e numrit të gjellëve dhe kujdesit për të varfrit: “Vakëflënësi cakton edhe nga 30 derhem si fond rezervë për të shtuar në rast nevoje ndonjë nga destinimet e lartpërmendura e këtë të drejtë e lë në kompetencën e Myteveliut. Dhe po të teprojë gjë, do të shpenzohet për të shtuar gjellën e Imaretit; pastaj për të përmirësuar gjendjen e bijave të skllevërve të liruar të vakëflënësit dhe bijve të bijave të tyre brez pas brezi dhe bark pas barku”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit)

Mundësinë për të pasur larmi gatimesh e ofronte pazari i Korçës, ku mund të siguroje gjithçka, që nga fruta-perimet, bulmeti e drithërat e deri te mishi e peshku: “Pazari i drithit zverdhte nga grykët e hapura të thasëve të mbushur me grurë dhe misër; koshat me piperka, domate e fruta e mbushnin rrugën me erën e bostaneve dhe të kopshteve fshatare… Pazari i bulmetit më ka mbetur në kujtesë me qypka me gjalpë dhe kacekë me gjizë. Edhe pazari i peshkut tregtonte në ajër të hapur me koshat e mbushur me cironka dhe peshk nga liqeni i Prespës; mishi shitej në Kasaphanë, në kompleksin e dyqaneve të vendosura me radhë nën një çati të përbashkët; çdo dyqan ishte i pajisur me ujë të rrjedhshëm dhe kishte një pastërti shembullore”. (Vangjush Ziko, “Korça, qyteti dhe kujtime”, f. 45).

Qendra Sociale nuk do të shuhej kurrë, ajo do të funksiononte për aq kohë sa do të kishte edhe të varfër. Deri atëherë Imareti nuk mund të shitej, të falej, të lihej peng apo të trashëgohej, kjo gjë ishte e sanksionuar edhe në dekret: “Pastaj u regjistruan vakëfet e sipërshënuara, mbasi u pranuan kushtet e regjistrimit, që mos të kthehen e mos të ketë pretendim, dhe u vendos saktësia, vlefshmëria e nevoja e praktikimit të tij. Gjithçka u përmend dhe u shkrua më sipër dhe u bë pra, vakëf i regjistruar dhe i legalizuar për saktësinë e vlefshmërinë ligjore të tij dhe as nuk mund të shitet, as nuk mund të falet, as nuk mund të lihet peng dhe as nuk mund të trashëgohet, veçse kur ta trashëgojë Perëndia tokën me gjithçka ka përsipër, duke qenë se ai është trashëgimtari më i mirë”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit.

Për 400 vjet me radhë askush nuk fjeti pa darkë.

Vepror Hasani

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit