Qendra e Trajnimit në Medresenë e Vogël të Gjakovës hynë në fazën përfundimtare të përgatitjeve
Qendra e Trajnimit në Medresenë e Vogël në Gjakovë ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve, me fillimin e procesit të mobilimit.
Ky objekt i ri, i cili po merr formën përfundimtare, është projektuar për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e trajnimeve profesionale për imamët e kuadrin fetarë në përgjithësi si dhe profesorët, teologet- mualimet dhe nëpunësit e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ndërtimi i kësaj qendre moderne synon të përmirësojë infrastrukturën dhe cilësinë e trajtimeve fetare dhe profesionale, duke krijuar hapësira të përshtatshme për mësim dhe praktikë. Qendra është e pajisur me salla trajnuese, bibliotekë, ambiente për grumbullime dhe hapësira akomoduese për pjesëmarrësit.
Gjatë ditës së sotme ka filluar mobilimi i plotë i cili pritet të përfundojë së shpejti, duke e bërë Qendrën e Trajnimit gati për të pritur aktivitetet e para në muajt e ardhshëm.
Ky projekt është duke u mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve dhe po realizohet falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Bashkësinë Islame të Kosovës.