-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Editorial: Qasja e djeshme e Kurtit kritikohet si e pavend dhe e njëjta e ulë popullaritetin e Kurtit dhe të VV

Më të lexuarat

Qasja e djeshme e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, me rastin e procedimit në mënyrë të përshpejtuar për amendamentim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës vlerësohet si e pavend.

Ani pse çështja mund të jetë e drejtë, momentumi dhe mënyra e përzgjedhur për ta realizuar këtë proces duket të jenë të gabuara. Futja me urgjencë në listën e veprimeve me prioritet e ndryshimit të një ligji, ndryshimi i të cilit në praktika të demokracisë kërkon një lloj konsensusi të partive parlamentare, pa i pyetur ata fare dhe me një qasje imponuese nuk lë shijen e mirë as në politikë e as tek publiku.

E drejta e pa realizuar nga mangësitë e ligjit aktual, mund të jetë më pak e dëmshme për popullin e Kosovës në këtë periudhë se sa prodhimi i një situate ku cenohen shumë të drejta të tjera edhe më të rëndësishme të popullit që jeton në Kosovë. E drejta për siguri (nga pasiguria psikologjike publike dhe socio-politike) dhe e drejta për zhvillim, ngase liria duhet të jetë zhvillim dhe prosperitet, si të drejta cënohen nga krizat e njëpasnjëshme.

Këto përshtypje na krijohen kur Kryeministri Kurti, mos votimin e amendamentimit të ligjit e përcjell me kërcënimin për zgjedhje të reja. Qytetarët të lodhur nga masat e pandemisë, gjendja e vështirësuar ekonomike dhe depresioni shoqërorë janë të lodhur dhe mosbesues për veprime të tilla politike.

Veprimi abuzues me forcën e numrave, me një të dobët në një situatë të pa-përshtatshme, kur nuk ekziston arsye bindëse madhore për përdorimin “e forcës” (së numrave) nuk krijon mbështetje, por krijon të kundërtën. Ishte pikërisht situata e ngjashme, një vit më parë, që prodhoj irritimin më të madh të shqiptarëve ndaj LDK, PDK, AAK, NISMA dhe që ai irritim u prodhua si mbështetje më vonë për z.Kurti. Ndaj shqiptarit duhet bërë kujdes që mos të provokohet inati, edhe nëse çështja është e drejtë, ngase nga inati ai bën edhe veprime në dëm të interesit të vet personal dhe publik për ta bërë të kundërtën.

Qytetarët neutral, intelektualët e pavarur dhe shumë aktorë të tjerë social të cilët e mbështetën lëvizjen e z. Kurti në zgjedhjet e fundit (e të cilit ishin faktori përcaktues i fitores plebishitare) bëhen më skeptik nga një situatë e tillë.

Akuzat që i bëheshin z. Kurti për frikë nga marrja e përgjegjësisë dhe për provokim të krizave të anarkisë deri në konsolidim të pushtetit absolut, më herët dukeshin përralla dhe fantazi, por me qasje si ajo e ditës së djeshme, një pjesë e njerëzve mund të fillojnë t’i mendojnë më seriozisht.

Strategjitë me risk të lartë, ani pse mund të nxjerrin fitime të majme në rast se dalin të suksesshme, ato në shumicën e herave krijojnë edhe pasoja të mëdha, pasi ndodh ajo që ishte rrezik të ndodhte e jo ajo që synohej. Në këto rrethana duhet inspiruar unitet kombëtar, siguri dhe qetësi si parakushtet minimale për zhvillim.

Përpjekje të tilla e harxhojnë energjinë e të gjithë aktorëve në luftën për pushtet, i cili edhe nëse arrihet i tillë siç synohet, praktikisht do të ngelet qëllimi i vetëm i realizuar në tërë këtë proces. Zhvillimi dhe prosperiteti i cili mund të ishte arsyeja fillestare e kërkimit të këtij pushteti përhumben në rrugën e fitimit dhe mbajtjes së vet pushtetit.

Pasoja më e madhe që do të prodhohet, në rast se krizat e sjellin LVV dhe z.Kurti në një pozicion të rënies së popullaritetit, është humbja e shpresës tek populli shqiptar, për potencialin e tyre për të prodhuar një lidership politik të aftë, të dobishëm dhe që e ruan interesin kombëtar.

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit