8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pyetje vetëm për imamë dhe shkollarë myslimanë!

Më të lexuarat

1. Vogëlsia ime, nuk e kupton, prandaj me sinqeritetin më të madh po ju pyes: Pse jeni kaq shumë myslimanë, krejt Kosova e Maqedonia jeni myslimanë, dhe prapë se prapë ndjeheni të ‘vegjël’ dhe të pasigurtë ndaj ‘pakicës krishtere apo ateiste’!
Pse nuk ndjeheni ‘të fortë’ kur jeni të ‘fortë’.
Kjo më çudit.
Të jesh i ‘madh’ e të ndjehesh ‘i vogël’ është njëfarë ‘mallkimi’.
2. Pse silleni të trembur dhe të rrezikuar, jeni shumicë e silleni si ‘pakicë fetare’, silleni të trishtuar nga frika prej ‘të tjerëve’. Pse frikësoheni kaq shumë nga ‘zhdukja’.
Rrini në gjendje gatishmërie për t’u ‘mbrojtur’ nga një grusht fjalësh të shkapërderdhura ‘kundër jush’ nëpër kozmos!
Njerëzit e mëdhenj që janë kallaballëk dhe të një mendje, ndjehen komod dhe të qetë, sepse Zoti mbrohet vet nga ‘djalli’, nuk ka mbetur Zoti ta mbrojë nga fyerja ‘robi’ i tij.
3. Feja islame ju mëson dhe ua tërheq vërejtjen kur ju thotë: ‘Kujdes, armiqtë tuaj më të egër mund t’i gjeni brenda familjes tuaj, në mesin e grave tuaja, burrave, motrave e vëllezërve’, dhe ju vazhdoni të ‘çuditeni’ pse keni ‘armiq’ edhe jashtë familjes suaj.
4. Mua, me të vërtetë nuk më intereson fare a mbulohen gratë e hallkut a s’mbulohen, është zgjedhja e tyre. Le të mbulohen, mos të mbetet grua pa u mbuluar, le të dalin të mbuluar edhe meshkujt, punë për ta. Dhe as nuk e kuptoj pse dikush mërzitet pse disa gra myslimane i mbulojnë edhe sytë e tyre nga sytë e botës. Thjesht, s’më intereson.
Dikush s’dëshiron ‘të duket’, dhe unë e kuptoj nga aspekti psikologjik si ‘gjendje shpirtërore dhe si bindje’, ndërsa nga aspekti romantik e kuptoj si xhelozi e burrave ndaj grave të tyre. Aq xhelozë dhe posesivë duhet të jenë burrat e këtyre grave, sa thjesht nuk duan që gratë e tyre t’i shikoj askush përveç tyre. Xhelozia dhe mënyra se si i dashurojnë ata gratë e tyre, është punë për ta. Dhe, kjo xhelozi e tyre duhet të mirëkuptohet, dhe bile sikur të studiohej do të ishte fantastike.
Nuk është normale të kërkoni nga këta burra ‘t’i zbulojnë’ gratë e tyre para jush, se nuk është normale, as nuk është kulturë.
5. Silleni thuajse jeni të shkelur nga shoqëria, se s’keni xhamia. Shoqëria jeni ju. S’është fer nga ana juaj, sepse ka kaq shumë xhami në Kosovë, sa askush nuk e kurdis orën për të dalë n’sabah. Nëse ndjeni nevojë, ndërtoni dhe xhami të tjera sa të doni, ama pyetni veten dhe Zotin: Pse, gjithë kjo xhami nuk u mjafton, dhe s’ka ‘shtëpi e Zotit’ që ju qetëson.
Nuk ka fëmijë që nuk zgjohet i frikësuar nga gjumi i sabahit nga ezani i hoxhollarëve, të cilët qysh thoni ju që ka thënë Armstrongu, se dëgjohet edhe në hënë.
6. Nuk është normale shumica myslimane të kacafytet me individë. Deni Didro n’vakt të vetin ka guxuar të thotë: ‘Njeriu nuk do të jetë i lirë derisa tulla e fundit e kishës së fundit të rrënohet mbi kokën e priftit të fundit’, dhe asgjë nuk e gjet.
Çka do të bënit ju sikur në Kosovë të ‘guxonte’ dikush ta imitonte Denis Diderot dhe ta thoshte të njejtën fjalë për xhamitë.
Sa për që nuk guxoj, tani do ta imitoja Didron, por unë nuk pajtohem me të. Mendoj se pa idenë për Zotin, jeta nuk shkon. Bile unë shkoj edhe më larg, kujtoj se asgjë nuk ndodh, hiç asgjë, pa thënë Zoti.
7. Katolikët shqiptarë janë pakicë në Kosovë. Prandaj, nuk është në rregull, as humane nga ana juaj që të bëni fushatë kundër tyre. Nuk e keni zbuluar ju fenë të parët, ata e kanë zbuluar fenë e tyre para jush.
Fjala është për të njejtin Zot. Sikur mos të donte Zoti, s’do të kishte ekzistuar krishterizmi. Prandaj, sa herë flisni kundër tyre, flisni kundër Zotit.
8. Sa i përket xhamisë së madhe që do të ndërtohet, ju si myslimanë e dini, se nëse e ka shkruar Zoti, pa u ndërtu ajo xhami s’ka me lënë. Personalisht, e kisha zhagit edhe pak, veç me pa Naim Tërnavën duke ia filluar punës së ndërtimit pa leje😉.
Unë kisha propozu që posta, ashtu e gatshme që është të bëhet xhami, se xhamia nuk ndërtohet afër ‘mjeteve të përgjimit’, s’do të jeni të lirë të luteni si njerëz prej përgjimeve. Unë, me qenë xhamia ime, e kisha ndërtuar diku në një hapësirë të madhe, me gjelbërim, diku ku ka qetësi, larg njerëzve, e jo në pluhur e jo krah për krah me postën, përballë tregut.
Zoti është në zemër, e jo në qendër të qytetit. Qendra e Zotit është zemra jonë.
9. Lejen për xhaminë ua ka dhënë Isa Mustafa (se veç LDK është e zonja për vendime të mëdha sa u përket katedrales e xhamisë së madhe). S’e kuptoj pse ia harroni këtë ‘të mirë’ LDK-së.
10. Mos i ngucni katolikët. Jeta është shumë e varfër nëse nuk e keni pasur gjatë jetës një shok/shoqe katolike. Nga ta e mëson durimin, përmbajtjen, qetësinë dhe modestinë e madhe që e kanë. Shoqet dhe shokët më të mirë i kam katolikë.
(siç kam shumë shokë të mirë, hoxhollarë)
Mos i bëni katolikët të ndjehen keq.
Sepse të gjithë e kemi një Zot, të cilit i lutemi dhe e duam në mënyrën tonë. Për shembull, unë nuk e praktikoj asnjë fe, e dua Zotin drejtpërdrejt, pa ndërmjetësues (profet e pejgamber), ndërsa nuk i mohoj ata që e duan Zotin ndryshe nga unë.
Qetësohuni. Se, veç ai që e do Zotin me hile, nuk gjen paqe e qetësi në zemrën e tij.
Zemërimi ju çon në urrejtje, e urrejtja ju largon nga Zoti!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit