0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Putin vaksinohet kundër koronavirusit

Më të lexuarat

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mori vaksinën kundër koronavirusit dhe ndihet mirë, njoftoi Kremlini, transmeton agjencia ruse e lajmeve RIA. Më herët, Kremlini tha se ka vendosur qëllimisht që të mos e zbulojë emrin e vaksinës së prodhuar në Rusi, që Putin ka zgjedhur të marrë. Në Rusi ka hezitim të madh për vaksinimin kundër koronavirusit. Deri më tani, vetëm 4.3 milionë rusë i kanë marrë dy doza të vaksinës, që do të thotë më pak se 5 për qind e popullsisë 146-milionëshe. Rusia ka numrin e katërt më të lartë në botë të infektimeve me koronavirus: mbi 4.4 milionë. Numri i viktimave atje është mbi 94,000. Rusia ka zhvilluar tri vaksina kundër koronavirusit: Sputnik V, EpiVacCorona dhe CoviVac. Ajo ka miratuar Sputnik V-në në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit. Kjo ka bërë që shkencëtarët në gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme. Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V – vaksinë që jepet në dy doza – është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit. Edhe dy vaksinat tjera ruse, EpiVacCorona dhe CoviVac, kanë marrë miratimin e rregullatorëve shëndetësorë përpara se të përfundonin testimet e fazës së fundit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit