0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Putin kërcënon me rinisjen e prodhimit të raketave me rreze të mesme veprimi

Më të lexuarat

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me rinisjen e prodhimit të armëve bërthamore me rreze të mesme veprimi nëse Shtetet e Bashkuara konfirmojnë qëllimin e tyre për dislokimin e raketave në Gjermani apo diku tjetër në Evropë.

“Nëse SHBA-ja realizon plane të tilla, ne do ta shqyrtojmë çlirimin nga moratoriumi i njëanshëm që më herët është miratuar për dislokimin e armëve që kanë aftësi të mesme dhe të shkurtër veprimi”, tha Putin gjatë paradës detare në Shën Petersburg më 28 korrik.

Raketa të tilla, që mund të fluturojnë midis 500 deri në 5.500 kilometra, ishin subjekt i traktatit për kontrollin e armëve bërthamore të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik më 1987.

Uashingtoni dhe Moska u larguan nga Traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme veprimi më 2019, duke akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të traktatit.

Më vonë, Rusia tha se nuk do të riniste prodhimin e armëve të tilla për aq kohë sa SHBA-ja nuk do të dislokonte raketa jashtë vendit.

Në fillim të korrikut, Uashingtoni dhe Berlini njoftuan për “dislokime episodike” të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi, përshirë raketa lundruese të llojit Tomahawk, në Gjermani duke nisur nga viti 2026.

Putin tha se “vendndodhjet e rëndësishme administrative dhe ushtarake ruse” do të ishin në rrezen e veprimit të raketave të tilla, të cilat “në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore dhe këto raketa mund të arrijnë në territoret tona brenda 10 minutash”.

“Kjo situatë na kujton ngjarjet e Luftës së Ftohtë që lidhen me dislokimin në Evropë të raketave amerikane me rreze të mesme veprimi”, tha Putin.

Kremlini veçse ka paralajmëruar më herët gjatë këtij muaji se njoftimi për dislokimin e armëve amerikane do të nënkuptonte se kryeqytetet evropiane do të bëheshin caqe për raketat ruse.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit