Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë konferencës për gazetarë. Moskë, 23 dhjetor, 2021.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kërkoi nga Perëndimi që t’i ofrojë menjëherë garanci për sigurinë.
Putin takoi shtypin të enjten, në një kohë kur tensionet midis Moskës dhe Perëndimit janë në kulm.
Rusia është duke grumbulluar forca pranë kufirit të saj me Ukrainën dhe ka frikë se ajo është duke planifikuar një sulm të shpejtë në këtë vend.
Duke folur në konferencën vjetore për gazetarë, Putin iu përgjigj pyetjes së gazetarit të televizionit Sky News për qëllimet e Rusisë:
“Duhet të na jepni garanci. Ju! Dhe, me asnjë vonesë! Tani!”.
Garancitë e sigurisë që kërkon Putin, do të bllokonin zgjerimin e NATO-s dhe do të kufizonin në mënyrë drastike aktivitetin e aleancës në të gjithë ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore.
Putin përsëriti pohimet e kaluara të Kremlinit se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sisteme raketore në kufirin e Rusisë.
Ai duket se iu referua sistemeve anti-raketë Aegis Ashore, që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur në vendet aleate të NATO-s, Rumani dhe Poloni, në vitet e fundit.
Uashingtoni këmbëngul se sistemet janë të nevojshme për ta mbrojtur Evropën kundër kërcënimeve nga raketat e Iranit dhe thotë se janë joefektive kundër arsenalit të Rusisë.
“A jemi ne ata që kemi vendosur raketa pranë kufijve të SHBA-së?”, tha Putin, duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër.
“Jo. Është SHBA-ja me raketat e saj që ka ardhur në shtëpinë tonë dhe është në pragun e shtëpisë sonë”.
“A është kjo një kërkesë e pazakontë? Mos vendosni më sisteme sulmi pranë shtëpisë sonë! Çfarë është e pazakontë në lidhje me këtë?”, pyeti Putin.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër, Putin duket se dha sinjale pozitive në lidhje me bisedimet e propozuara midis Rusisë, SHBA-së e ndoshta edhe aleatëve të tjerë perëndimorë.
Diplomatët amerikanë dhe rusë pritet të takohen për bisedime ndoshta në Gjenevë, diku pas Vitit të Ri.
“Partnerët tanë amerikanë na kanë thënë se janë të gatshëm t’i fillojnë këto diskutime, këto bisedime, në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Putin.
A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Rusia ka bërë publike disa kërkesa më 17 dhjetor. Disa nga propozimet e saj janë hedhur menjëherë poshtë nga Uashingtoni dhe NATO-ja, veçanërisht përpjekjet për t’i dhënë Moskës veto në zgjerimin e NATO-s dhe për të negociuar sigurinë evropiane drejtpërdrejt me SHBA-në, pa pjesëmarrjen e aleatëve dhe partnerëve evropianë.
Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se disa propozime ia vlejnë të diskutohen dhe se bisedimet për to ka të ngjarë të zhvillohen në janar.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Kievi kanë ngritur alarmin për rreth 100,000 ushtarë rusë, të vendosur pranë kufirit me Ukrainën dhe në Krime.
Zyrtarë amerikanë kanë thënë se Moska është duke planifikuar një ofensivë të mundshme ushtarake, që nëse ndodh, mund të shpërthejë brenda javësh.
Putin ka thënë më herët se nuk do luftë, por ka paralajmëruar se nëse luftimet shpërthejnë në ose pranë konfliktit ekzistues në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës, ky do të jetë faji i Kievit dhe Perëndimit.
Ai përsëriti të enjten akuzat kundër Ukrainës, duke thënë se Kievi po përgatit një ofensivë të re ushtarake në rajonet lindore, ku lufta vazhdon qysh në vitin 2014.
“Tani na thonë, luftë, luftë, luftë. Duket se ata po përgatisin një tjetër operacion [në Donbas] dhe po na paralajmërojnë neve që të mos pengojmë, ose do të ketë sanksione”, tha Putin.
Ai gjithashtu akuzoi Perëndimin për krijimin e një ndjenje “anti-ruse” në Ukrainë, duke e armatosur atë dhe “duke shpëlarë trurin e popullsisë”.
“Ne po bëjmë çmos për të vendosur lidhje të mira fqinjësore me Ukrainën. Por, është e pamundur ta bëjmë këtë me udhëheqjen aktuale. Njerëzit në Ukrainë, që duan të punojnë me ne, përballen me presion apo edhe vriten”, tha Putin.
Putin mban konferencën e fundvitit prejse është zgjedhur president në vitin 2001.
Për shkak të kufizimeve nga pandemia e koronavirusit, gazetarëve iu kërkua të dorëzonin tre teste negative PCR, për të hyrë në sallë.
Qysh në vitin 2004, çdo konferencë shtypi e Putinit ka zgjatur së paku tri orë. Vitin e kaluar ka qenë më e gjata: katër orë e gjysmë.
Përgatiti: Valona Tela