Në përpjekjet për të mbrojtur operacionet ushtarake në Siri, Vladimir Putin e pranoi hapur se fushata e bombardimeve ruse ka një qëllim të qartë: stabilizimin e autoritetit legjitim të Presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Shefi i Kremlinit i tha televizionit shtetëror “TV Moska” se kërkon sidoqoftë “krijimin e kushteve për një kompromis politik”, ndërsa edhe një herë hodhi poshtë pretendimet se avionët e Rusisë po godasin grupet e moderuara opozitare në vend të militantëve të ISIS-it, edhe pse provat në terren dëshmojnë se pikërisht kjo është ajo çfarë po ndodh në Siri.
“Synimi i Moskës është stabilizimi i qeverisë në Damask. Pa mbështetjen ruse ndaj presidentit Assad, Siria do të përfundonte në duart e grupeve terroriste. Qeveria e Assadit, aktualisht është nën rrethim. Militantët janë në portat e Damaskut”, tha Putin.
Dhe duket se bombardimet kanë pasur efekt. Forcat siriane raportohet të kenë shënuar përparim në betejën me rebelët. Avancimin e trupave qeveritare në Idlib, Hama e Latakia e pohuan një ditë më parë si Damasku zyrtar, ashtu edhe aktivistë të opozitës.
Fronti kryesor i betejës është spostuar shumë pranë austostradave kyçe, që lidhin kryeqendrën e Sirisë me qytete të tjera të rëndësishme, përfshirë Aleppon, ku ushtarët e Assadit po përpiqen t’i izolojnë rebelët në Idlib.
Forcat qeveritare praktikisht po përpiqen të rifitojnë zonat e humbura këtë vit në veri të Hamasit e në rajonet veriore të provincës së Latakias, pranë bregdetit.
Kryengritësit arritën të depërtojnë atje, pasi shtrënguan radhët e morën mbështetjen e përkrahësve të jashtëm: Turqisë, Arabisë Saudite dhe Katarit. Ky ishte një kërcënim real për këtë zonë kyçe të regjimit të Assadit dhe tashmë është thuajse e qartë se, pikërisht kjo situatë e nxiti ndërhyrjen ruse në Siri dhe angazhimin e madh të Iranit.
Një sërë vendesh e shohin si “gabim” këtë mbështetje të Moskës për Assadin dhe koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që prej muajsh tashmë ndërmerr sulmet e veta në Siri, më herët e bëri të qartë se nuk do të bashkëpunojë me Rusinë.