2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pushteti insiston që drafti i Lajçakut për Asociacionin të dërgohet në Venecia

Më të lexuarat

Zyrtarë qeveritarë insistojnë që drafti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian të dërgohet në Komisionin e Venecias për vlerësim.

Tri ditë para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, në ekzekutiv thonë se përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell apo emisari për dialogun, Miroslav Lajçak mund ta dërgojnë draftin për opinion këshilldhënës në Venecia, në mënyrë që krahas përmbajtjes të merr edhe një formë zyrtare të tij.

Ndërkaq, kërkesën e qeverisë ndaj BE-së, që draft statutin e Asociacionit të propozuar për Kosovën ta dërgojnë në Venecia e mirëpresin edhe analistët politikë, por potencojnë nevojën që edhe Kosova të përmbushë obligimet nga marrëveshjet ndërkombëtare për Asociacionin.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë për kp, se BE-ja dhe Lajçak duhet të legalizojnë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai shton se në formën aktuale si një non-paper pas një nënshkrim, logo, si dhe e ndarë nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, qeveria e ka të pamundur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Meqenëse Bashkimi Evropian po insiston dhe zyrtarisht ata nuk po e deponojnë draft-statutin në institucionet e Kosovës. Ai ka një përmbajtje, por nuk ka një formë në mënyrë që ai të (shqyrohet) nga Gjykata Kushtetuese nesër…Institucionet e Bashkimit Evropian, në këtë rast zotëri Lajçak apo Borrell dhe mekanizmat përcjellë të tyre të dërgojnë në Komisionin e Venecias. Venecia është një trup e cila merret me çështjet e sundimit të së drejtës dhe demokracive që kanë lindur me vonë… Institucionet e BE-së, mund të dërgojnë dhe t’i kërkojnë një opinion këshillëdhënës, i cili nuk është obligativ. Venecia pastaj dhe Gjykata Kushtetuese të bëhen dy vendime figurativisht. Zotëri Lajcak duhet të legjitimojë arsyen e vet dhe ta legalizojë përndryshe s’ka kuptim”, thotë ai.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se për të dalë nga ngërçi aktual në dialog dhe për të tentuar t’i jepet zgjidhje temës së Asociacionit, do të ishte mirë që BE-ja të dërgojë në Venecia draftin e Asociacionit të propozuar për institucionet kosovare.

Megjithatë, njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, deklaron se BE-ja, nuk e ka obligim me dërgu draftin e Asociacionit në Venecia.

Sipas tij, themelimi i Asociacionit është një obligim i Kosovës, andaj kërkesat e tilla Arifi i konsideron më shumë si elektorale sesa racionaliste.

“Bashkimi Evropian nuk e ka obligim me dërgu asgjë askund. Në fund të ditës ai është një obligim i joni ndërkombëtar që ne duhet ta zbatojmë. Si do të zbatojmë dhe kur është çështje e Kosovës, por BE-ja nuk e ka obligim me dërgu askund. Është më shumë një narracion zgjedhor sesa që ka një racionalitet”, deklaron ai.

Qeveria e Kosovës refuzon ta dërgojë në kushtetuese draftin e BE-së për Asociaciacionin duke kërkuar nga BE-ja që atë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq më 26 qershor në Bruksel, ku temë kryesore do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit