4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Punëtorët e Abrashit dhe luksi i familjes “mbretërore” të kryeministrit Punëtorët e Abrashit dhe luksi i familjes “mbretërore” të kryeministrit

Më të lexuarat

Ka mundur të ndodhë në ballo. Aty, Haradinajt mund t’i ketë lindur ideja për ta dyfishuar pagën e tij, nga 1500 në afro 3 mijë euro.

Atë mbrëmje të 6 dhjetorit dhjetëra njerëz që dëshirojnë të duken aristokratë ishin mbledhur në një prej hoteleve luksoze të Prishtinës. Haradinaj, me gjasë, është ndier keq që nuk është më pasaniku prej tyre. Me gjasë, dëshiron të jetë më i pasuri mes “balloistëve”, kur ajo do të mbahet vitin e ardhshëm.

Këshilltari për ekonomi i Haradinajt, Gazmend Abrashi, ishte aty. Familja e tij ishte një prej organizatorëve të kësaj balloje. Haradinaj, i cili udhëheq vendin më të varfër të Evropës, nuk mund të mungonte.

Por, Haradinaj nuk e mori parasysh këtë fakt në të dy rastet. Nuk e mori parasysh më 6 dhjetor kur buzagaz futej në ambientet e një hoteli, në të cilin po organizohej një ballo e parëndësishme. Po ashtu, nuk iu kujtuan qindra mijëra të varfër e të papunë kur mori vendim që të rrisë pagat e shefave të Qeverisë.

Haradinaj e ka këshilltarin më adekuat për t’u konsultuar për varfërinë, të papunët dhe punëtorët me paga të vogla. Është Gazmend Abrashi, pronari i rrjetit të hipermarketeve “Maxi”. Abrashi në vend se ta ftojë Haradinajn në ballo, mund ti flasë me ditë të tëra për problemet e punëtorëve të tij.

Për pagat e vogla që ua jep. Për pagat, me të cilat nuk mund të bëhet jetë e dinjitetshme. Ai mund t’i tregojë kryeministrit se si qindra njerëz presin në radhë për t’u punësuar në marketet e tij. Për të përfituar ato 130, apo 170, apo 200 euro, të cilat nuk mjaftojnë për jetë të dinjitetshme.

Por, këto këshilla as nuk kërkohen nga Haradinaj, e as Abrashi nuk ka iniciativë për t’ia thënë shefit të tij. Duket se synimi i tyre është jetesa jashtë realitetit. Jetesa brenda ballove. Të sigurtë që e meritojnë luksin dhe të sigurtë që të padijshmit e vendit të tyre meritojnë të vdesin nga varfëria e skajshme.

Kjo është një logjikë e udhëheqësve të shekujve të kaluar. Nëse nuk do të ekzistonte kjo logjikë, atëherë nuk do të krijoheshin këto shifra tmerruese.

Derisa në Kosovë mijëra njerëz nuk kanë një vend pune, mijëra të tjerë marrin nga 130, nga 170 apo 200 euro është familja e kryeministrit që merr skajshmërisht shumë brenda një muaji. Ramush Haradinaj merr 225 euro në muaj pension invalidor, 2950 euro në muaj si kryeministër si dhe 6679 euro nga qiraja e shtëpisë në lagjen Arbëria (ish-Dragodan). I vetëm përfiton 9 mijë e 854 euro në muaj.

Bashkëshortja e tij, Anita Haradinaj përfiton mijëra euro të tjera. Bazuar në deklarimin e fundit të pasurisë, të publikuar në faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Anita Haradinaj ka tri paga. Nga RTK-ja përfiton 660 euro në muaj, nga kompania e sigurimeve “Elsig” përfiton 1 mijë euro në muaj ndërsa nga kompania e saj “Vibe” përfiton edhe 1 mijë euro tjera në muaj. Totali i të hyrave mujore për familjen “mbretërore” të kryeministrit është 12 mijë e 214 euro. Totali vjetor është afër 150 mijë euro.

Kjo shumë është shumë tepër e madhe. Madje, joracionale për një udhëheqës të një vendi të varfër. Aq sa fiton në muaj familja “mbretërore” Haradinaj, një kosovari të zakonshëm i duhen gjashtë vite për ta arritur këtë shumë. Përfshirë këtu edhe punëtorët e Gazmend Abrashit, këshilltarit për ekonomi të Haradinajt.

Edhe më keq: Për të arritur shumën vjetore që fiton kryeministri me bashkëshorten, punëtorët me pagë minimale në Kosovë duhet të shpenzojnë 70 vjet punë.

Por, këto statistika duken të jenë të parëndësishme dhe të pavërejtshme për lakmitarin joracional, Ramush Haradinajn. Po të ishte racional Haradinaj nuk do ta rriste pagën e tij.

Nëse nuk do ta rriste pagën e tij, prej 1500 në 2950 euro, sërish totali i të hyrave mujore do të ishte i madh. Familja do të merrte 10 mijë e 764 euro në muaj. Por, Haradinaj humbi mundësinë që të jetë shembull i një kryeministri jolakmitar.

Ai është prej të rrallëve kryeministra në rajon, i cili e ka aq të mirë gjendjen financiare, saqë ka mundur edhe të jetë refuzues radikal i rritjes së pagës së kryeministrit. E ka aq të mirë gjendjen financiare, aq sa edhe nuk i duhet fare paga e kryeministrit. Por, vendosi që të shpërfaq lakminë e tij. Vendosi të kumtojë lajmin se është i tunduar aq shumë nga paraja. Ndoshta, edhe i tunduar vetëm nga paraja.

Ai vendosi që të jetë prej kryeministrave më të paguar prej homologëve të tij në rajon. Vetëm kryeministri i Sllovenisë ka pagë më të lartë se ai. Paguhet 4 mijë e 500 euro. Me këtë ritëm, ndoshta e kalon edhe homologun slloven.

Por, dallimi mes Kosovës dhe Sllovenisë është i madh. Sllovenia nuk e ka një spital publik në qendër të Lubjanës, ku njerëzit vdesin nga mafioziteti i mjekëve. Ne e kemi QKUK-në e mbipopulluar nga mafiozët. Rritja e pagave pa i larguar mafiozët nga QKUK-ja është iracionalitet, në afërsi të çmendurisë.

Pajtim Olluri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit