Papunësia e madhe në Kosovë kryesisht ka prekur të rinjtë. Niveli i papunësisë mes të rinjve, sipas të dhënave zyrtare, mbetet i lartë – rreth 60 për qind.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, shprehen të shqetësuar për perspektivën e tyre në Kosovë. Preokupim thelbësor thonë se e kanë punësimin.
Për më keq, ata konsiderojnë se përfundimi i studimeve universitare në Kosovë, nuk u iu garanton mundësi punësimi.
Arif Morina nga Malisheva është student në Universitetin e Prishtinës. Ai shprehet i zhgënjyer nga puna e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, të rinjtë në Kosovë po përballen me vështirësi të shumta në fusha të ndryshme, derisa autoritetet kompetente po heshtin.
“Mendoj që nuk ka ndonjë perspektivë për të rinjtë në Republikën e Kosovës, ne vetëm e përfundojmë fakultetin. Fakulteti është bërë njëlloj për të gjithë vetëm ta përfundojmë dhe asgjë tjetër”, thotë Arifi.
Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Sipas të dhënave të fundit,. papunësia në Kosovë është mbi 35 për qind.
Të shtyrë nga papunësia, shumë qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinj, patën migruar ilegalisht në Evropën Perëndimore gjatë nëntorit 2014 deri në qershor të 2015-s.
Fatri Zhitia, një i ri, konsideron se në Kosovë ka shumë pak perspektivë, derisa punësimi, siç shprehet ai, është sfida më e madhe për të.
“Është shumë vështirë kur e dimë për shkak se, siç e dimë, klientela, përmes partive qysh shkon në Kosovë, pa qenë pjesë e partive në pushtet, është shumë vështirë të gjesh një vend pune”, shprehet ai.
Edhe Donarta Zulfaj, studente në Fakultetin e Mjekësisë, mendon se të rinjve të Kosovës nuk po u ofrohet mundësi më e madhe punësimi dhe se kjo papunësi, siç thotë ajo, ka bërë që të rinjtë të zhgënjehen me punën e institucioneve të vendit.
“Besoj që është shumë vështirë më shumë sesa që mendojmë ne dhe besojmë se do ta kemi vështirë në të ardhmen, duke marrë parasysh faktin që po shihet çka po ndodh sot. Ne kemi dëshirë që ta përfundojmë fakultetin dhe të punojmë këtu për të ardhmen e vendit tonë, dhe jo të bëhemi argat të një shteti tjetër”, thekson Donarta.
Se nepotizmi apo lidhjet familjare janë faktorë të rëndësishëm për të siguruar në vend pune, është thënë disa herë edhe në hulumtimet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP).
Sidoqoftë, ka edhe të rinj që janë optimistë për mundësinë e gjetjes së një vendi pune.
Sami Shala, student i Gazetarisë, thotë se për të rinjtë në disa raste ka mundësi punësimi, porse kjo varet shumë, siç thotë ai, nga aftësitë profesionale që ka një punëkërkues.
“Varësisht si e gjen veten personi, individualisht, nuk janë rrethana për t’u ankuar pasi që tani janë mundësitë e mëdha, sidomos njohja e gjuhës angleze përbën një përparësi të mëdha për të gjithë studentët ose të gjithë individët. Shkolla ta jep një drejtim, por ka persona që edhe pa shkollë e gjejnë veten, sidomos në teknologjinë informative”, konsideron Samiu.
Studentët, të cilët përfundojnë studimet në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe universitetet publike dhe ato private, të licencuara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ishte thënë nga ekspertë të fushës se po nuk arrijnë të fitojnë njohuri të mjaftueshme dhe të jenë të përgatitur për tregun e punës.
Studenti Sami Shala thotë se në mungesë të praktikës që duhet bërë studentët gjatë studimeve, në raste të shumta ka studentë që nuk dalin mirë të përgatitur për tregun e punës.
“Mendoj që nuk janë 100 për qind për shkak se praktika mungon tek universitetet publike, praktika përbën një prej përparësive shumë të mëdha, sidomos në vendet e Bashkimit Evropian, ndërkaq te ne, në Kosovë, kjo është pengesa kryesore – praktika”, shprehet ai.
Por, Mirjeta Thaçi mendon ndryshe:
“Mendoj që po, jemi të përgatitur, për atë edhe po synojmë që të punojmë edhe më vonë”.
Supozohet se çdo vit, në tregun e punës në Kosovë, janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë deklaruar se janë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të papunësisë te të rinjtë dhe se për këtë Qeveria e Kosovës prioritet kryesor ka vënë zhvillimin ekonomik të vendit.(REL)