1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Puna si turp, rrogë dhe vuajtje

Më të lexuarat

Ermal Hasimja

Ka një paradoks të pabesueshëm sot në Shqipëri: nga njera anë kemi një përqindje të lartë shqiptarësh, sidomos të rinj, që janë pa punë dhe nga ana tjetër ankesa kryesore e sipërmarrësve në vend është pamundësia për të punësuar njerëz të përshtatshëm. Ndryshe nga sa thuhet në shprehjen tashmë të famshme, problemi nuk është te mungesa e profesionistëve. Është shumë më keq sesa kaq. Problemi i vërtetë është përdhunimi dhe shkatërrimi i konceptimit dhe mendësisë së punës. Si shihet puna sot nga të rinjtë, ose të paktën nga shumica e tyre? Çfarë dinë gabim për punën?

Puna nuk është e barabartë me rrogën.

Nëse puna është përpjekja jote për të ndryshuar jetën tënde për mirë, fatkeqësisht ajo sotshpesh barazohet me rrogën. Nuk është e çuditshme rrjedhimisht të dëgjosh të intervistuarin në një intervistë pune që, pa pritur të mësojë për vendin e punës, të pyesë për rrogën. Natyrisht nuk është e ndaluar që të kesh ambicie për rrogë të mirë, por dallimi një të punësuari që synon vetëm rrogën dhe një tjetri që e ka punën pjesë të planit të vet për jetën, është i njëjtë me dallimin mes një condottiere-je me mercenar italian dhe Garibaldit.

Puna nuk është e drejtë dhe as e garantuar.

Koncepti i punës si e drejtë te shqiptarët është me tepër mbetje historike sesa reminishencë e komunizmit. Kujtoj këtu ata nostalgjikë të regjimit komunist që u tregojnë fëmijëve e nipave sesi shteti komunist të gjente punë: secilit. Natyrisht harrohet të saktësohet se punën dhe venddodhjen e punës e caktonte shteti dhe jo ti. Madje edhe profesionin, sepse me herët të kishte përcaktuar edhe shkollën (kuptohet, nëse ishe nga ato shtresa të shoqërisë që u lejohej shkolla). Puna është një e drejtë universale e njeriut, po aq sa një rrogë sa të pëlqen ty dhe 4 javë pushime falas në Bahamas. Nëse ti shpreson se shteti (sepse kush tjetër) duhet të të garantojë punën, atëherë duhet të pranosh t’i lësh shtetit gjithçka në dorë. Vetëm një shtet totalitar mund të të garantojë gjithcka, natyrisht me kushtet e tij, jo me tuat.

Puna nuk është e drejta jote, sepse ti nuk ke asnjë të drejtë mbi vullnetin e tjetrit për të bashkëpunuar ekonomikisht mbi ty. Një kontratë pune që të jep të drejtën vetëm ty për t’iu imponuar tjetrit është thjesht një formë tjetër skllavërie e kamufluar.

Puna ideale është puna në shtet.

Para ca kohësh pyeta studentët e mi në një universitet privat se çfarë synonin të bënin profesionalisht pas studimeve. Mbeta pa fjalë kur shumica u përgjigjën pak a shumë “do kap ndonjë punë në shtet”. Pothuajse të gjithë kishin prindër sipërmarrës ose të paktën në gjendje të mirë ekonomike, pra mund të merreshin me biznesin e prindërve ose të mbështeteshin tek ata për një start-up të ri. Por jo …. Akoma më shokuese ishte përgjigja ndaj pyetjes sime vijuese “Pse?” Sepse “në shtet je rehat, nuk të kërkon njeri llogari”. Një cipë e lehtë morali shpëtoi ndonjerin, jam i bindur, për të hedhur përgjigjen tipike shqiptare “edhe po nuk rrodhi, do pikojë”.

Puna është turp.

Ata që i mbajnë mend shfaqjet ose filmat e parë humoristikë shqiptarë pas rënies së komunizmit mund t’u kujtohet se në shumicën prej tyre kishte një personazh standard negativ: afaristi, domethënë biznesmeni me gjuhën e sotme. Ky biznesmen ishte tipikisht barkderr, injorant, i babëzitur, seksualisht manjak dhe intelektualisht i pagdhendur. Pa e ditur, artistët shqiptarë po rindërtonin në skenën e lirë pikërisht ato imazhe që komunizmi u kishte mbjellë në kokë për sipërmarrësin. A ka ndryshuar gjë sot? Aspak! Biznesmeni është edhe sot një personazh po aq i xhelozuar sa edhe i përbuzur. Përshtypja e përgjithshme është që injorantët kanë fituar para. Pyetja që lind natyrshëm: nëse qenkan injorantë si shpjegohet që paskan qenë të suksesshëm?

Elementi i dytëështë sulmi moral: ata që kanë bërë para janë maskarenj. Së pari barazohen pa të drejtë një grusht njerëzit që përdorin politikën ose thjesht mashtrimin për të zhvilluar kompanitë e tyre. Së dyti, presupozohet se puna për fitim është moralisht e papranueshme. Kjo natyrisht nuk thuhet, por mendohet. Diku thellë në nënvetëdijen e përdhunuar nga komunizmi, mendohet ende se njeriu duhet të punojë për të tjerët e jo për veten. Por natyrisht po ta thuash kështu tingëllon shumë komuniste, prandaj preferohet lënia e konstatimit në ajër me presupozimin e paparaqitur.

Në fakt barazimi i personazhit të sipërmarrësit me stereotipin komunist të borgjezit maskara është një mënyrë efikase për të shfajësuar këdo që ka më tepër ego e ambicie sesa vullnet e guxim për t’i realizuar. Meqë unë nuk bëra dot para si ata, atëherë rrjedhimisht ata janë injorantë ose hajdutë.

E vetmja gjë që nuk pranohet kurrëështë ajo më e thjeshta: kur punon, fiton. Ai që fiton më shumë, zakonisht ka punuar më shumë, ose të paktën më mirë.

Jo vetëm puna e të varfrit është e ndershme.

Ai që nuk është i varfër detyrimisht është i pandershëm. Kjo është ajo që politikani populist i thotë turmës për t’i ushqyer urrejtjen ndaj atij që ka më tepër. Pa ia thënë drejtpërdrejt. Politikani nuk ka ndonjë problem me të suksesshmit. Nëse ata do të ishin shumicë, ai do të premtonte çfarëdo që të dëshironin ata. Por i duhet të premtojë për shumicën reale, për ata që kanë më pak. Nga pikëpamja krahasimore, kuptohet. Sepse kur u futesh fakteve ligjërimi pro-varfëri rezulton shpesh qesharak. Për shembull, koncepti i 99%-shit, zhvilluar fuqishëm në Amerikë. Statistikat tregojnë se 40% e amerikanëve, mes tyre një shumicë mendojnë se bëjnë pjesë te 99%-shi i shfrytëzuar, janë në fakt pjesë e 10%-shit më të pasur të planetit. Problemi është se kur bën listën e dëshirave njeriu nuk e krahason kurrë veten me ata që janë më keq, por me ata që janë më mirë. Politikani e di këtë. Prandaj, siç ndodhi edhe në 2013 në Shqipëri premton “taksa të ndershme” gjë që nënkupton paradoksalisht se ata që fitojnë më tepër dhe rrjedhimisht edhe paguajnë më tepër taksa, janë në një gjendje pandershmërie kronike që duhet rregulluar. Dhe kjo rregullohet duke i taksuar edhe më tepër sesataksoheshin, ndërkohë që realisht shumica e atyre që politikani i lajkaton si të ndershëm gjithsesi nuk taksohet sepse nuk kap limitin e poshtëm të taksimit. Ja pra, ku politikani të bind me dashurinë e një prindi të drejtë që sa më tepër të punosh aq më i pandershëm je dhe duhesh ndëshkuar me taksa progresive. Të nxit gjithshtu të bëhesh ekspert i evazionit fiskal ose në këtë rast i fshehjes së punës tënde përmes maskimit me hile juridike kur ty të mërzitet kjo “drejtësi sociale”.

Puna është lodhje e vuajtje e tepërt.

Ky mësim merret që në ditën e parë të shkollës. Prindër të kompleksuar nga vuajtjet nga komunizëm mendojnë se fëmijët e tyre duhet të kenë gjithçka që nuk kanë patur. Gjithashtu të kompleksuar nga njëdelir epidemik i madhështisë janë të bindur se po rrisin gjeni dhe natyrisht gjeniut (ose princi e princesha e mamit/babit) nuk i thuhet kurrë“jo”. Të njëjtën gjë bën edhe mësuesi kur i ve nxënësit 10 për t’i mbyllur gojën prindërve dhe për të mos bërë punën e tij, ose shteti kur i le të kopjojnë në provimet shtetërore në mënyrë që të dalin të gjithë të shkëlqyer.

Strategjia e prindit: ta llastoj sa më tepër që të mundem fëmijën tim (special në univers), dhe kur të përballet me jetën ai do të ketë reflekset e të qenit zot i vetes në mënyrë të natyrshme. Ndoshta do t’i vijë nga ndonjë depërtim në botën e kulluar të ideve platonike, apo ndonjë iluminim hyjnor. Ose ku i dihet arrihet socializmi si në Suedi (sepse injoranca nuk na lejon ta njohim as Suedinë përveçse përmes legjendës se është vend socialist). Fëmija mëson se është i zgjedhuri, i iluminuari dhe se ai nuk ka nevojë të punojë veçse pak për të merituar gjithçka. Mbi të gjitha duhet të zhvillojë talentin e qarjes, ankimit dhe viktimizimit. Kur të rritet do të kërkojë pikërisht gjithçka, për shembull edhe universitet falas, shëndetësi falas, gjithçka falas. E thënë ndryshe: gjithçka të paguar nga të tjerët.

Prandaj kur përballet me punën, bebushi 30 vjeçar ndihet i abuzuar, i pakuptuar në gjenialitetin e tij, i zhgënjyer thellësisht që shoqëria nuk i paska gjetur një vend drejtori në shtet, por i kërkon që të punojë arkëtar në bankë ose larg qoftë kamarier në lokal. Ai mendon se nuk duhet të bëjë punë “koti”, sepse koncepti i punës nuk përfshin një drejtim ngjitës merite e karrierë. Ai ndihet meritues i vendit më të mirë pa patur nevojë të mësojë asgjë dhe mbi të gjitha pa patur nevojë ti provojë asgjëinstitucionit apo kompanisë. Sa për të qeshur studenti XY që vuante në trajektoren kafe-shtëpi mosgjetjen e punës! Kur e pyeta “ku ke kërkuar” i ndezi papritur në mendje ideja gjeniale që puna duhet kërkuar se nuk të gjen vetë. Ja, kjo ide gjeniale, ajo e dërgimit të një CV-je online apo çfarëdo gjëje të ngjashme nuk i kishte shkuar ndërmend! Po aty kuptova dramatikisht se studenti nuk ishte i mërzitur se nuk po gjente punë … por sepse nuk po i gjenin punë! Ose më saktë rrogë! Ose më saktë një rrogë të merituar pa patur nevojë të provojë asgjë për atë që çfarë di apo vlen.

Shoqëria jonë e ka përdhunuar konceptin e punës. Atë koncept bazik që ka patur një pjesë e mirë e shqiptarëve përpara se murtaja komuniste të prishte mendjen e njerërzve. Jo thjesht punën si mënyrë jetesë, por punën si instrument realizimi të vetvetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit