3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Më të lexuarat

Forcat e armatosura gjermane kanë nisur një seri takimesh me zyrtarë të industrisë për t’i informuar ata mbi masat e mundshme në rast të një lufte në Evropën Lindore, sipas raporteve të shumta.

Në një mbledhje të fundit në Dhomën e Tregtisë në Hamburg, një oficer gjerman u dha sugjerime konkrete përfaqësuesve të kompanive bazuar në skenarë të ndryshëm konflikti, raporton Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Bëhet e ditur se koloneli Jorn Plischke këshilloi forcimin e masave të sigurisë kundër akteve të mundshme të sabotimit dhe sulmeve kibernetike, zhvillimin e burimeve alternative të energjisë dhe blerjen e gjeneratorëve me naftë në rast të ndërprerjeve të energjisë.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e planifikimit të fuqisë punëtore, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

“Shtatëdhjetë për qind e të gjithë kamionëve në rrugët e Gjermanisë drejtohen nga evropianolindorët. Nëse ka një luftë atje, çfarë do të bëjnë këta njerëz?”, tha Plischke.

Ai sugjeroi gjithashtu: “Për çdo 100 punonjës, trajnoni të paktën pesë shoferë kamionësh shtesë që nuk ju nevojiten”.

Sipas planeve të mbrojtjes të NATO-s, në rast të një konflikti në Evropën Lindore, Gjermania do të shërbente si një qendër për dhjetëra mijëra ushtarë të aleancës, të cilët do të duhej të transportoheshin drejt lindjes, së bashku me pajisje ushtarake, ushqime dhe ilaçe.

Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se nëse infrastruktura përdoret për qëllime ushtarake, rreziku i sulmeve kibernetike dhe sabotazheve rritet ndjeshëm, duke ndikuar potencialisht në industritë dhe kompanitë gjermane.

Ndryshe, takimet janë pjesë e Planit të Operacioneve të Gjermanisë, një dokument strategjik i klasifikuar prej 1,000 faqesh që detajon planet për të përgatitur kompanitë në sektorë të ndryshëm, si dhe organizatat civile, për skenarë të mundshëm krizash dhe konfliktesh, sipas Die Welt.

Dokumenti thuhet se liston ndërtesat dhe objektet e infrastrukturës që konsiderohen vendimtare për qëllime ushtarake dhe përshkruan planet e reagimit në rast krize dhe konflikti, duke përfshirë agresionin e mundshëm rus në krahun lindor të NATO-s.

Raportohet se dokumenti përmban gjithashtu këshilla për mbikëqyrjen me dron, sulmet kibernetike dhe forma të tjera të spiunazhit në komunitetet lokale.

Për më tepër, ai detajon se si Gjermania do të menaxhonte në mënyrë logjistike pritjen e dhjetëra mijëra trupave të NATO-s nëse kjo kërkohet. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit