6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Psikologjia tek imam Gazali

Më të lexuarat

Nga: Prof. Ali Ferid

Psikologjia tek imam Gazali

Imam Gazali nuk e përballoi dot barrën e rëndë të stresit psikologjik, të shkaktuar si rezultat i kotësisë së jetës që bënte asokohe, jetë që gëlonte nga destabiliteti politik, social dhe fetar. Ai ndjente se qëllimi që kishte pasur për nxënien e dijes, i ishte veshur me një farë egoizmi, pasion për famë, lakmi për të mira materiale, poste dhe tituj nderi. Tashmë, justifikimet që i bënte vetes, nuk ishin aspak bindëse, pasi e ndjente se nijetin për të mbrojtur fenë dhe besimin dhe përpjekjet për të nxënë dije, ishin tronditur nga ndjenjat e krenarisë, dëshira për triumf, vetëpëlqimi dhe fiksimi pas epiteteve që i vishnin njerëzit: Edhi imami, u largua imami… gjë e cila e bëri Gazalin të qëndrojë gjatë para jetës së tij të shkuar, me qëllim që të ridimensionojë mendimet e veta, ambiciet e zemrës dhe të mendjes.
Për këtë, i duhej patjetër që të largohej nga vendet e dyshimta, vatrat e pasionit dhe pistat e fitnes. Kështu, ai brodhi vend më vend, në kërkim të qetësisë shpirtërore, dëlirësisë së zemrës dhe paqes së arsyes. Ai preferoi izolimin dhe vetminë, duke hequr dorë nga çdo marrëdhënie që i kujton familjen dhe vendlindjen. Udhëtimi dhe rrugëtimi ishin udha e tij për reflektim dhe llogari të vetes.
Gazali e futi veten në një cikël plogështie për një periudhë kohe, duke kërkuar tek vetja e tij, po veten e tij, duke medituar rreth shpirtit të njeriut, thelbin dhe esencën e tij, motivet, joshjet, ligësitë, tradhtitë, prushin dhe borën e tij, nurin dhe errësirën. Ai donte të dijë se si xhelozon dhe si dashuron, si largohet nga ai që uron të jetë sa më pranë, si mërzitet dhe përse, si gëzohet dhe përse, si është formuar, nga çfarë është përbëhet, si i ndryshojnë qëllimet sa hap e mbyll sytë, si depërton e mira dhe e keqja tek ai, ku është ajo qoshka e errët ku përleshen litarët e shejtanëve me dritat e engjëjve…
Mes, si, kur dhe përse, e kaloi Gazzali vetminë dhe izolimin e tij, mu tek minarja e xhamisë Omejade në Damask, si  dhe tek dhoma e Kubesë së Shkëmbit pranë xhamisë Aksa në Kuds. Që andej, ai doli si një libër voluminoz, por i shpërndarë, në pritje të koleksionimit të ideve të tij, rreth shpirtit dhe vetes së njeriut, duke vendosur kështu gurët e parë të themelit të psikologjisë islame, e cila, me gjithë kundërshtimet, lidhet shumë ngushtë me sufizmin e vërtetë, i cili nga ana e tij, është shumë i lidhur ngushtë, me njohjen e shpirtit dhe Krijuesit të tij.
“Dije se çelësi i njohjes së Zotit, është njohja e shpirtit dhe e vetes. Nuk ka gjë më të afërt sesa vetja jote, e nëse nuk e njeh atë, si mund të njohësh Zotin.”
Me këto fjalë të fuqishme e shemb përtokë imam Gazzali materializmin e psikologjisë perëndimore, psikologji e cila lindi njëmijë vite pas tij. Si qëllim të njohjes së shpirtit, ai vendos njohjen e Zotit. Mjeti për njohjen e Zotit, sipas tij, është njohja e shpirtit, duke theksuar se çdo teori e cila ndalet tek shpirti i njeriut, pa e lidhur me Krijuesin e tij, është teori e cila nuk sheh përtej hundës, teori e cila do të përplaset gjatë rrugëtimit të saj, me një bllok (qëllimin) të cilin nuk e njeh dhe nuk i ka kushtuar vëmendje.
Psikologjia e vërtetë, siç e sheh imam Gazali, nuk lidhet kaq rrënjësisht me instinktet kafshërore dhe epshet fizike. Këto janë motive dytësore, të cilat nuk janë më shumë se impulse të cilat mund të kontrollohen, frenohen dhe kaliten, për tu kanalizuar në linjën normale dhe qëllimin sublim.
Prandaj dhe Gazali shprehet kështu:”Brenda teje, janë kompleksuar tipare të kafshëve, egërsirave dhe të engjëjve. Shpirti, është realiteti i thelbit tënd, ndërkohë që të tjerat janë të huaja për ty, të janë huazuar. Prandaj, të del për detyrë ta dish këtë, të dish se secili prej tyre ka ushqimin dhe lumturinë e vet. Lumturia dhe kënaqësia e kafshëve gjendet tek ushqimi, ngrënia, pirja, gjumi dhe riprodhimi. Nëse je i tillë, atëherë shërbeji barkut dhe epshit. Kënaqësia dhe lumturia e egërsirave gjendet tek sulmi, shqyerja dhe sherri. Kënaqësia dhe lumturia e shejtanëve gjendet tek ligësia, hilet, mashtrimi dhe dredhitë. Nëse je prej tyre, merru me këto punë. Sakaq, kënaqësia dhe lumturia e engjëjve gjendet tek vështrimi i hijeshisë hyjnore. Zemërimi dhe epshet nuk kanë asnjë rrugë që i lidh me engjëjt. Nëse je nga esenca e engjëjve, atëherë bëj çmos që të njohësh origjinën tënde, me qëllim që të njohësh më pas edhe rrugën që të çon tek ekzistenca hyjnore, derisa të arrish të shohësh madhështinë dhe hijeshinë, duke e shpëtuar veten nga litari i epshit dhe zemërimit.”
Imam Gazali, me këtë dëshiron të thotë se shpirti mysliman, është ai i cili vë në efiçensë të gjithë fuqinë e tij kundër epshit, pasionit, joshjeve të trupit dhe instinkteve, të cilat nuk njohin kufi nëse u krijohen hapësira lirie.
Shpirti është ambicioz, sa herë që shijon diçka ka ambicie për diçka tjetër, prandaj dhe për njeriun, është më mirë që ti vërë frerin sesa ta lerë të lirë e ta shpjerë drejt greminës, duke u marrë peng dhe robëruar nga epshet dhe instinktet. Ai thotë:”Duhet ta dish se përse të janë dhënë këto instinkte. Zoti nuk krijoi që të shndërrohesh në skllavin dhe robin e tyre, por i krijoi ato, që ato të jenë nën hyqmin tënd. Ai ti nënshtroi ato për rrugëtimin që të pret, me qëllim që njërën ta përdorësh si mjet udhëtimi dhe tjetrën si armë, për tu ngjitur në shkallët e lumturisë.”
Dëlirësia dhe pastërtia, me vigjilencën ndaj instinkteve, epsheve dhe pasioneve, është themeli mbi të cilin ndërtoi Gazali filozofinë e tij të shpirtit. Megjithatë, ai nuk neglizhoi aspektet e tjera dytësore, por i zgjati dorën kujtdo që ka rrëshqitur në batakun e ligësisë dhe në moçalin e pasionit, duke u treguar shtigjet e shpëtimit të tyre. Ai kërkoi në thellësitë e shpirtrave të tyre, për tu dhënë recetën shpëtuese dhe rrugët e pastrimit të shpirtit.
Gazali thotë:”Ti përbëhesh nga dy elementë; I pari, është zemra, i dyti është ajo që quhet shpirt. Shpirti, është zemra të cilën e dallon me syrin e brendshëm dhe realiteti yt i vërtetë është pikërisht bota jote e brendshme. Kjo, sepse trupi është i pari, por i fundit. Ndërkohë që shpirti është i fundit, por i pari.”
Gjymtyrët e jashtme, organet e dukshme dhe struktura fizike, nuk janë realiteti dhe thelbi i vërtetë, por janë thjesht një kufomë e pajetë në mungesën e shpirtit. Prandaj dhe realiteti duhet të burojë nga ky shpirt, thelbin dhe esencën e të cilit nuk e di kush tjetër përveç Krijuesit të tij. Që këtu, buron dhe lidhja e ngushtë – sipas Gazalit – mes njohjes së vetes dhe njohjes së Krijuesit. Të gjitha udhët të çojnë tek Zoti dhe kushdo që e kërkon veten larg udhës së Zotit, ka humbur.
Këtij shpirti të i izoluar në trupin tokësor, i lipsen sinjale dhe piketa në rrugë, të cilat e udhëzojnë, e orientojnë dhe e paralajmërojnë. Prandaj dhe Zoti ka krijuar arsyen, e cila do e udhëheqë përgjatë udhës drejt Zotit. Nëse mendja ç’orientohet dhe rrëzohet në humnerën e epshit dhe pasionit, shpirti e humbet udhën drejt Zotit dhe lidhet në trupin tokësor dhe me litarët e instinkteve, pasioneve dhe motiveve të dobëta.
Imam Gazali e ka sqaruar mekanizmin që të çon tek pastrimi i shpirtit dhe mirëmbajtja e tij. “Mos mendo se kjo energji çel dhe aktivizohet vetëm falë gjumit dhe vdekjes. Ajo çel dhe aktivizohet edhe me zgjim, për atë që është i sinqertë me xhihadin ndaj vetes, si dhe ka hequr dorë nga epshet, zemërimi, veprat e shëmtuara dhe ligësia. Nëse ulet në një vend të vetmuar, e bllokon rrugën e shqisave, çel syrin dhe veshin e tij të brendshëm, e vendos zemrën në botën e mbretërive të qiellit, thotë gjithë kohës “Allah”, me zemër dhe jo me gjuhë, vazhdon kështu derisa të mos e ndjejë veten dhe botën përreth, duke mos parë gjë gjetur përveç Zotit, të lartësuar, e ndihmon të çelë dhe aktivizohet kjo energji.”
Kushdo që i lexon këto fjalë, e ndjen se preokupimi i vetëm i Gazalit ishte lidhja e njeriut me Zotit, me qëllim që njeriu ta njohë më thellë veten, nëpërmjet njohjes së Zotit.
Ata që kanë arritur gradat e larta, të mbushura me qetësi dhe harmoni, nuk janë prej melekëve të zbritur nga qielli, por janë njerëz si puna jonë, njerëz të sinqertë me luftën e tyre ndaj nefsit, njerëz që kanë vuajtur gjatë ushtrimit shpirtëror, derisa u janë shëruar trupat dhe u kanë fluturuar shpirtrat drejt vendlindjes së tyre të parë dhe banesës së tyre të fundit.
Nëse vërejmë mënyrën sesi i edukoi profeti Muhamed a.s shokët e tij, kuptojmë se mënyra më sublime me të cilën mund të pastrohet shpirti dhe unifikohet zemra, është mënyra e cila e lidh këtë shpirt me Krijuesin e tij, sepse Ai është më i dituri.
Nuk dal nga konteksti nëse them se ne mund të nxjerrim nga ajetet e Kuranit, një metodë psikologjike dhe hyjnore për trajtimin e çrregullimeve psikologjike të kohëve moderne, me diagnostikimin e të cilave po përpëliten shumë ekspertë, larg përcaktimit të diagnozës së duhur. Nuk dua ta zgjerojë temën më shumë, prandaj dhe them se: Thëniet e profetit Muhamed a.s dhe veprat e tij, janë një referencë e rëndësishme, tek e cila duhet të kthehemi për të nxjerrë recetat e këtyre çrregullimeve psikologjike të kohës tonë. Kësaj, shtoji kontributet e vyera të parëve tanë, ulemave, shkrimtarëve dhe mendimtarëve të çdo kohe.
Kurse lidhur me kontributet e sufizmit të vërtetë, i cili bazohet në Kuran dhe traditë profetike, është një gur themeli i rëndësishëm, madje është margaritari i kurorës. Nëse trashëgimia sufiste do të pastrohej nga ekzagjerimet, do të mbanim në duart tona një thesar të mrekullueshëm i cili do i ndryshonte ekuilibrat e psikologjisë moderne. Nuk e di përse studiuesit tanë nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur deri tani dhe janë mjaftuar me Frojdin, me hamendësimin se ai vlen për çdo kohë dhe vend, duke injoruar ndryshimet medisore dhe faktorët e tjerë.
Në fund, idetë e Gazalit dhe teoritë e tij psikologjike, kanë nevojë për më shumë studime serioze. Kushdo që do i hyjë kësaj fushe, do të gjejë një thesar të vyer, i cili do të hapë një portë për teori të reja në fushën e psikologjisë së njeriut.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit