1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Psikologjia e tiranisë (3)

Më të lexuarat

Nga: Muhamed Mehdij

Psikologjia e tiranisë (3)

Palët e tiranisë. Ekzistojnë tre palë dhe shtylla të cilët ndërveprojnë dhe janë në aleancë me njëri-tjetrin duke krijuar sistemin e tiranisë prej të cilit përfitojnë, ose mendojnë se përfitojnë disa persona. Dr. Jusuf Karadavi, në fetvatë e tij bashkëkohore, volumi i dytë, i përcakton qartë këto tre palë të tiranisë:
E para: Sovrani i vetë hyjnizuar, që ushtron dhunë dhe persekuton robërit e Zotit. Përfaqësuesi më i denjë i tij ka qenë dhe mbetet faraoni.
E dyta: Politikani oportunist, i cili vë në shërbim të tiranit të gjithë përvojën dhe bagazhin e tij intelektual. Gjithçka e tij, i shërben forcimit të pushtetit të tiranit dhe nënshtrimit të popullit. Përfaqësues i denjë i tij është Hamani.
E treta: Kapitalisti ose feudali i cili përfiton nga pushteti i tiranit. Ai e mbështet atë duke shpenzuar ca napolona nga njëra anë, por të fituar me mijëra të tjerë nga djersa e popullit dhe gjaku i tij. Ai përfaqësohet historikisht nga Karuni.
Kurani fisnik e ka cekur këtë treshe aleate e së keqes, gjakpirjes, dhunës dhe luftës ndaj misionit profetik të Musait a.s. Ai nuk lë pa cekur edhe fundin e tyre. Thotë Zoti në Kuran:”Më parë Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe me një autoritet të qartë te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar!” (Gafir, 23-24)
“Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin! Atyre u vajti Musai me prova të qarta, por ata treguan mendjemadhësi në Tokë dhe nuk i shpëtuan dënimit.” (Ankebut, 39)
E çuditshme është se Karuni, ishte prej popullit të Musait a.s, megjithatë u tregua agresiv ndaj tyre, duke iu bashkangjitur faraonit i cili e pranoi. Ky është fakt se ishin interesat materiale ato që i bashkuan, me gjithë diferencat racore dhe shtresore.” (Jusuf Kardavi)
Mekanizmat e tiranisë:
Që një sistem tiranie të funksionojë, i duhen disa mekanizma me të cilat ushtron dhunë fizike dhe psikologjike për të shtypur dhe nënshtruar njerëzit, për të ndrydhur vullnetin dhe minimizuar kërkesat e tyre. Tiranët i kuptojnë mirë pikat e dobëta të njerëzve dhe përpiqen ti shfrytëzojnë me mënyrat më të shëmtuara dhe të liga në të njëjtën kohë. Mekanizmat më të rëndësishëm që ai përdor, sipas rëndësisë janë:
1 – Pushteti. Kështu, një baba tiran dhe despot, shfrytëzon autoritetin, paranë, fuqinë fizike dhe statusin e tij që të shtypë fëmijët. Një bashkëshort tiran, shfrytëzon dhe keqpërdor autoritetin (kavama) të cilin e interpreton sipas leverdisë. Ai shfrytëzon gjithashtu epërsinë fizike e muskulore dhe depozitat bankare, për të nënshtruar gruan dhe për ta varrosur atë. Një epror despot, shfrytëzon postin dhe kompetencat e tij për t’ua nxirë jetën vartësve. Një sovran tiran shfrytëzon ushtrinë e policinë për të terrorizuar popullin. Ai keqpërdor sistemin politik, për të legjitimuar veprat e tij, si dhe për ti mbajtur kundërshtarët nën presion duke i akuzuar për komplot, tradhti, shkatërrim dhe prishje të rendit dhe qetësisë së njerëzve.
Kurani fisnik na sjell pasazhe të ndryshme të tiranit i cili e keqpërdor pushtetin. “Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.” (Kasas, 8)
“Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas, 40)
2 – Paraja. Me ata njerëz me të cilët nuk funksionon shantazhi dhe kërcënimi, përdoret joshja me para. Ky është një ndër shkaqet përse tiranët janë të dhënë pas parasë, pasi e shohin si mekanizëm presioni dhe joshje për të blerë mbështetës.
3 – Postet. Tirani zgjedh njerëzit e etur për pushtet dhe poste, ata që vuajnë për karrierë pa pyetur për çmimin që u duhet të paguajnë. Ai i përdor si mburoja dhe mjete defensive. Ata i duhet për të justifikuar sjelljet e tij, si dhe për të dalë i larë para njerëzve.
4 – Mediat. Tiranët dhe despotët gjithmonë kanë nevojë për dikë që ua mbulon horrllëqet, dikë që ua justifikon humbjet, madje ua konsideron si fitore, dikë që u bën shpëlarje truri njerëzve dhe dikë që u reklamon idetë “gjeniale” gjatë gjithë kohës. Këtë rol, sot e luajnë shumë mirë punonjësit e mediave të cilat sponsorizohen nga vetë tiranët. Ata luajnë rolin që luanin magjistarët e faraonit, misioni i të cilëve ishte të magjepsin njerëzit, pra të falsifikojnë të vërtetën.
5 – Klerikët. Ekzistojnë njerëz të fesë, të cilët kanë pranuar të legjitimojnë fetarisht idenë e tiranisë dhe veprimet e vetë tiranit. Ata keqpërdorin konceptet fetare, për të justifikuar çdo akt të tiranit. Ata janë të gatshëm të nxjerrin dekrete fetare, bazuar në interpretime të cilat shtrembërojnë të vërtetën, për hir të interesave të tiranit në pushtet. Çdo tiran, në çdo kohë dhe vend, ka mbajtur pranë disa njerëz feje, edhe pse ai vetë mund të ketë pasur pikëpamje ateiste, por e kuptonte rëndësinë dhe ndikimin e fesë tek njerëzit e thjeshtë.
Tirani është produkt i njerëzve dhe mjedisit përreth.
Për një dritëshkurtër, mund të thuhet se personat që rrethojnë tiranin janë viktima të tiranisë dhe despotizmit të tij. Nga një anë, ky pohim është i vërtetë, por nga ana tjetër, këta njerëz janë pjesëmarrës në krijimin e këtij tirani. Disa prej tyre kanë marrë pjesë me fjalët, duke i fryrë arritjet dhe sukseset e tiranit. Ata, herë e mburrin dhe lëvdojnë, herë ia justifikojnë gabimet, bëhen bashkëpunëtorë në projektet e tij të liga, herë të tjera heshtin dhe mbyllin gojën etj… Kjo ka bërë që zëri i diktatorit të ngrihet mbi çdo zë tjetër dhe i kanë mundësuar të shtrijë këmbët aty ku janë tërhequr të tjerët, me apo pa dëshirë. 
Prandaj, parimi dhe rregulli i ndryshimit të keqes shihet i domosdoshëm me të tre nivelet e tij, me dorë, gjuhë dhe zemër. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush konstaton prej jush një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, ta ndryshojë me gjuhën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë le ta ndryshojë me zemrën e tij, edhe pse ky është besimi më i dobët.” Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Xhihadi (lufta) më e mirë është fjala e drejtë në praninë e një sovrani të padrejtë (tiran).”
Edhe pse ndryshimi me zemër duket i mekur e i dobët, ai konsiderohet shumë i rëndësishëm sidomos kur njeriu është i paaftë ta ndryshojë me metodat e tjera (dorë dhe gjuhë). Fakti që kjo e keqe vazhdon të refuzohet fuqishëm nga zemra, konsiderohet si një farë premtuese, e cila do të mbetet e mbuluar derisa ti jepet rasti për të mbirë dhe për tu zhvilluar. Nëse nuk do të ekzistonte dhe kjo formë ndryshimi, e mira dhe e drejta do të humbiste përgjithmonë. Njerëzit e vuajnë pasojën e heshtjes para tiranisë dy herë, një herë në këtë botë dhe një herë në botën tjetër. Në këtë botë, ata vuajnë korrupsionin, vuajtjet, terrorin dhe kaosin. Kurse në botën tjetër do të vuajnë ndëshkimin e rëndë.
Transmetohet nga Xhabiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit a.s i ka thënë Kab ibnu Uxhure:”Zoti të ruajt nga pushteti i mendjelehtëve o Kab!” Ai e pyeti:”Çfarë është pushteti i mendjelehtëve o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Ata janë sovranë të cilët do të vijnë pas meje, nuk do të udhëzohen sipas udhëzimit tim dhe nuk do të respektojnë traditën time. Kushdo që i beson gënjeshtrat e tyre dhe i ndihmon në zullumet që bëjnë, nuk është prej meje dhe nuk do të pinë ujë nga hauzi im. Kush nuk i beson në gënjeshtrat që thonë dhe nuk i ndihmon në zullumet që bëjnë, ata janë prej meje dhe do të pinë nga hauzi im.” (Ahmed dhe Bezzar)
Transmeton Abdullah ibnu Amr, se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Nëse sheh që umeti im tutet ti thotë zullumqarit “Ti je zullumqar!” i lani duart prej tyre.” (Ahmed)
Prototipi i tiranisë:
Prototipi në psikologji, është tipi tek i cili hasen të gjithë cilësitë ose shumica e tyre, duke u shndërruar në njësi matëse dhe merret si shembull. Ai përfaqëson një fenomen të caktuar në formën dhe domethënien më të plotë.
Nëse i kthehemi sërish temës tonë mbi tiraninë, gjejmë se prototipin më të mirë të tiranit, e gjejmë në historinë e faraonit, e cila është trajtuar në librat e shenjtë dhe të cilës i është qasur fuqishëm Kurani fisnik. Ajo është përmendur 74 herë në Kuran në 27 sure (kapituj).
Kjo prani kaq e shpeshtë e historisë së faraonit, tregon se prototipi tiranik i saj, është një patologji e rëndë, me të cilën duhet të përballet njerëzimi. Këtë e konfirmon vetë historia në të gjithë etapat e saj. Kurrë njerëzimi nuk ka vuajtur siç ka vuajtur nga tirania me të gjithë nivelet dhe format e sa të ndryshme.
Faraoni është shndërruar në simbol të tiranisë. Ai është lideri dhe mësuesi shpirtëror i të gjithë tiranëve pas tij. “Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë.” (Kasas, 4)
Një tiran dhe diktator, ndjehet madhështor, mendjemadh, i plotfuqishëm, nënshtron kë të dojë, vret meshkujt, dhunon femrat dhe prish rregullin në tokë.
Vetë fakti që ai i therte meshkujt, është tregues se tirani i ka frikë burrat. Ai është paranojak ndaj burrave, prandaj kërkon që personat që e rrethojnë të heqin dorë nga burrëria e tyre. Zakonisht, ai i vret ose i tredh burrat përreth, me qëllim që të mos ketë asnjë rival dhe asnjëri të mos ngrejë kokë.
Në momentin që mungojnë rivalët burra, të fisëm, krenarë dhe të ndershëm, ai i përdor gratë si të dojë dhe shkel normat dhe ligjet sipas qejfit. Ai i përdor gratë për të shuar epshet e tij të shfrenuara. Kurse shkelja e normave dhe ligjeve, do të thotë shkatërrim, plaçkitje, vjedhje, persekutim etj…
Por, me gjithë kujdesin dhe masat e mara nga faraoni, me gjithë vigjilencën dhe vëmendjen për të hequr qafe të gjithë burrat rivalë dhe që mund të kërcënonin fronin mbretëror të tij, kjo nuk shërbeu si pengesë e vullnetit hyjnor. Ai e humbi fronin dhe mbretërinë e tij, sakaq ata që i kishte nënshtruar për dhjetëra vite, i shpëtuan dorës së tij të hekurt. Thotë Zoti në Kuran:”Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.” (Kasas, 5-6)
Faraoni dhe ushtria e tij, si çdo tiran dhe diktator tjetër, ushtronin dhunë dhe persekutonin njerëzit, me qëllim që të përhapin panik mes tyre. “Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht..” (Bekare, 49)
“Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend.” (Araf, 130)
Faraoni ndërtoi një lavdi falso, të cilën e shembi vullneti i Zotit. “Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.” (Araf, 137)
Faraoni dhe oborrtarët e tij nuk u besonin shenjave dhe mrekullive të dërguara nga Zoti, edhe pse hiqeshin si besimtarë dhe fetarë.
“Kështu u ndodhi edhe ithtarëve të Faraonit dhe atyre që kanë qenë para tyre. Ata i mohuan shpalljet e Allahut..” (Enfal,52)
Fundi i faraonit dhe mbështetësve të tij ishte ndëshkimi dhe shuarja përfundimtare. “Ata i përgënjeshtruan shpalljet e Zotit të tyre dhe kështu Ne i shkatërruam për shkak të gjynaheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i fundosëm.” (Enfal, 54)
Faraoni nuk hezitonte aspak në përdorimin e të gjithë mjeteve propaganduese, për një imazh sa më të mirë. Në çdo kohë dhe në çdo vend, çdo faraon ka pasur magjistarët e tij. Sot, rolin e magjistarëve e luajnë shumë punonjës dhe pronarë mediash, të cilët ua fshehin njerëzve fytyrën e vërtetë të faraonëve modernë dhe jo vetëm. Ata u paraqesin një imazh joshës të liderit politik. “Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!” (Junus, 79)
Faraoni është i interesuar që njerëzit të terrorizohen dhe të mbahen në panik. “nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij.” (Junus, 83)
Ai madhështohet dhe lartësohet, shpërdoron, dhunon dhe kalon të gjithë kufijtë. “Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.” (Junus, 83)
Ai është shumë i dhënë të shfaqet me pamje madhështore, luksi dhe shkëlqimi, plot me tituj të pafund, për të verbuar njerëzit. Paratë i përdor për të blerë mbështetjen e njerëzve dhe besën e tyre. “Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri” (Junus, 88)
Faraoni kurrë nuk ndihet rehat dhe i qetë, atë nuk e merr gjumi, pasi është në ndjekje të armiqve kudo që gjenden dhe kjo nëpërmjet spiunëve dhe agjentëve të tij. “Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata..” (Junus, 90)
Urdhrat dhe komandat e faraonit nuk janë të drejta. “por paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” (Hud, 97)
Ai nuk heziton aspak në akuzat që ia adreson opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë, me qëllim që ti largojë njerëzit prej tyre. “Faraoni i tha atij: “O Musa, unë besoj se ti je i magjepsur”, (Isra, 101)
 Faraoni ishte një diktator dhe tiran, i cili i kishte kaluar të gjithë kufijtë. “Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë”. (Taha, 24)
Ai nuk rresht së komplotuari dhe përdorur të gjithë mjetet e mundshme në shërbim të vazhdimësisë së fronit të tij dhe manifestimit të forcës, për të frikësuar kundërshtarët. “Faraoni u largua, i mblodhi magjistarët e vet e pastaj erdhi.” (Taha, 60) Ai mori në qafë dhe popullin e vet, të cilët i largoi nga rruga e  drejtë. “Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë.” (Taha, 79)
Ai bashkë me mbështetësit e tij, ushtronin presion dhe persekutonin njerëzit e thjeshtë, saqë padrejtësia dhe persekutimi ishin shndërruar në tipare të pandashme të tyre. “Kur Allahu e thërriti Musain: “Shko te populli keqbërës, populli i Faraonit! vallë, a nuk po i frikësohen ata Allahut?”, (Shuara, 10-11)
Ai e kishte të vështirë të besojë në Zotin e vërtetë, pasi despotizmi dhe tirania e kishin bërë  të besojë se ai përfaqëson fuqinë më të madhe mbi faqen e tokës. “Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Shuara, 23)
Ai blinte gjithçka që i nevojitej me para. “Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: “Vërtet do të shpërblehemi, nëse dalim fitues?” (Shuara, 44)
Një tipar tjetër i faraonit ishte mos bindja dhe devijimi nga rruga e drejtë. “Vërtet, ata janë popull i pabindur!”. (Neml, 12)
Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre – sot përfaqësohen nga politikanët diktatorë dhe fuqia e tyre ushtarake – përbëjnë një treshe djallëzore. “Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.” (Kasas, 8)
Faraoni nuk hezitonte aspak të deklarojë hyjnizimin e tij, direkt apo indirekt. “Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje! O Haman, më ndez një zjarr për të pjekur qerpiçë dhe më ndërto një kullë të lartë që të ngjitem te Zoti i Musait. Jam i bindur se ai (Musai) gënjen!” (Kasas, 38)
Faraoni përfaqësonte diktatorin dhe tiranin, Hamani përfaqësonte politikanin pragmatist dhe mashtrues, kurse Karuni pasanikun makut. Thotë Zoti në Kuran:” Kështu ndodhi edhe me Karunin, Faraonin dhe Hamanin! Atyre u vajti Musai me prova të qarta, por ata treguan mendjemadhësi në Tokë dhe nuk i shpëtuan dënimit.” (Ankebut, 39)
Faraoni urdhëron të eliminohen kundërshtarët e tij fizikisht apo moralisht, duke menduar se kjo do e zgjidhë problemin. “Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”. (Gafir, 26)
Ai e ka lënë popullin e tij në injorancë të thellë dhe analfabetizëm, duke i mbajtur të izoluar nga dijet dhe përparimi, duke i programuar dhe formatuar mendjet e tyre sipas dëshirës. “Faraoni tha: “Unë ju tregoj vetëm atë që shoh dhe ju udhëzoj vetëm në rrugën e drejtë”. (Gafir, 29)
Ai besonte se ka në dorë gjithçka. Sakaq, veziri i tij Hamani, e mbivlerësonte duke i premtuar se gjithçka ishte e mundur dhe se çdo gjë varej nga një sinjal prej tij.
“Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët, rrugët e qiellit” (Gafir, 36)
Për shkak se gjithë jetën është marrë me gënjeshtra dhe mashtrime, ai arrin në një pikë saqë fillon e i beson ato. “Kështu, Faraonit iu dukën të bukura veprat e tij të shëmtuara dhe u shmang nga rruga e drejtë, por dredhia e tij e çoi vetëm në rrënim.” (Gafir, 37)
Ashtu si faraoni në fjalë, është zhgënjyer dhe është ndëshkuar çdo faraon tjetër përgjatë historisë njerëzore. “Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.” (Gafir, 45)
Ai nuk ndëshkohet për veprat e tij të liga vetëm në këtë botë, por ndëshkimi e pret edhe në botën tjetër. Përveç faraonit, do të ndëshkohen të gjithë ata që identifikoheshin me të dhe veprat e tij. “kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet:“Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 46)
Fakti që për faraonin është rezervuar dënimi më i rëndë, është tregues i krimeve të shëmtuara.
Atë e kishte mashtruar pasuria dhe besonte se është i përjetshëm. “Dhe Faraoni i thërriste popullit të vet: “O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje? A nuk shihni?” (Zuhruf, 51)
Faraoni dhe mbështetësit e tij, në çdo kohë dhe vend, nuk nxjerrin mësim nga mesazhet dhe paralajmërimet që u dërgohen, por i injorojnë njëra pas tjetrës, derisa të përballen me realitetin e hidhur. “Edhe njerëzve të Faraonit u patën ardhur paralajmërimet, por ata i mohuan të gjitha shenjat Tona, andaj Ne i mbërthyem ata, ashtu siç dënon i Plotfuqishmi dhe i Plotpushtetshmi.” (Kamer, 41-42)
Këto ishin tiparet dhe karakteristikat e faraonit të përmendura në Kuran, si një prototip për të gjithë diktatorët dhe tiranët.
vazhdon…
 
Perktheu: Elmaz Fida
 
Psikologjia e tiranisë (1)
Psikologjia e tiranisë (2)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit