Nga: Dr. Muhamed El-mehdij
Psikologjia e birësimit
Zakonisht, fëmija e porsalindur pritet me gaz e hare, për të ndizen qirinj dhe rrethohet nga të katër anët nga përkujdesja, përkëdheljet e nënës dhe mbikëqyrja e të atit. Ai rritet në një mjedis plot dashuri e dhembshuri, duke zhvilluar në vetvete identitetin ndaj familjes me të cilën ndihet krenar.
Por për fat të keq, në raste të tjera ky fëmijë i porsalindur pritet me neverie e urrejtje. Me të parë botën, merren masat për ta hequr qafe sa më shpejt duke e braktisur në ndonjë trotuar, pranë koshit të plehrave ose tek dyert e ndonjë objekti kulti. Ai lihet për ditë të tëra pa ushqim dhe pa përkujdesin e duhur, në kushte atmosferike të rënda, derisa të ketë fatin e ta gjejë dikush. Për të fillon një kalvar i gjatë, duke kaluar dorë më dorë, nga personi që e gjen, tek policia, në jetimore, në shtëpinë birësuese…
E kështu, fëmija në fjalë nuk e shijon ëmbëlsinë e stabilitetit, rehatisë dhe sigurisë. Ai është destinuar të paguajë fajin e prindërve të tij që e lindën, edhe pse ai vetë s’ka asnjë faj.
Herë të tjera, këtij i vdesin dy prindërit ose njëri prej tyre. Ai mbetet pa përkrahje dhe pa strehë, duke pësuar të njëjtin fat të foshnjës së gjetur rrugëve, edhe pse këtë herë për shkak të vdekjes ose fukarallëkut. Me qëllim që kësaj teme ti qasemi nga aspekti psikologjik, na lipset të shtjellojmë fillimisht disa terma të nevojshme.
Fëmija i gjetur, është një fëmijë që nuk ka mbushur moshën e pubertetit, i cili endet rrugëve, mund të ketë humbur dhe nuk njeh prindërit.
Çfarë bëhet me të:
Përkujdesja ndaj një fëmije të tillë është një obligim kifaje (nëse e bën dikush bie përgjegjësia nga të tjerët), siç veprohet me gjithçka tjetër të humbur dhe pa përkrahje. Lënia e tij pa përkrahje do të thotë ta groposësh për së gjalli.
Kush duhet të përkujdeset për të?
Ai që e gjen meriton ti ofrojë kujdesin dhe përkrahjen e nevojshme, nëse është njeri i besueshëm, i ndershëm dhe i pjekur. Ai duhet ti sigurojë edukimin dhe arsimimin.
Shpenzimet e tij. Personi që përkujdeset dhe e ka marrë përsipër, duhet të shpenzojë nga pasuria e fëmijës, nëse kur e ka gjetur ka pasur ndonjë farë shume të hollash. Në të kundërt, ai duhet ndihmuar nga shteti, e nëse dhe kjo nuk është e mundur, atëherë mund të kontribuojë për të kush të mundet.
Trashëgimia e fëmijës së braktisur. Nëse një fëmijë i gjetur vdes dhe lë pas trashëgimi, por jo trashëgimtarë, atëherë kjo pasuri i shkon shtetit. E njëjta gjë vlen dhe për shpagimin nëse ka vrarë, të cilat shlyhen nga shteti. Personi që e ka gjetur dhe përkujdeset për të, nuk ka të drejtë trashëgimie nga pasuria e tij.
Pretendimi prindëror. Kushdo që pretendon se është prindi apo njeri i afërt i këtij fëmije, i jepet, burrë qoftë apo grua, pasi të japë prova për këtë pretendim. Një rast i tillë është në favorin e vetë fëmijës dhe i cili eviton dëmet e mundshme.
Birësimi: Është një proces gjatë të cilit përkujdesi i një fëmije ose më shumë, i besohet një familjeje alternative e cila nuk është familja e vet biologjike. Ajo është një familje ligjore, e cila gëzon të drejtën që këtij fëmije ti japë mbiemrin e tij në bazë të ligjeve në fuqi. Nuk lejohet që fëmija të marrë identitetin e një familjeje të caktuar, nëse i dihet identiteti dhe origjina. Thotë Zoti i lartësuar në suren Ahzab:”Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab, 5)
Përkrahja: Është përkujdesi që tregohet nga një person apo familje ndaj një fëmije i cili nuk ka mbiemrin e personit në fjalë apo familjes, kur fëmijës i dihet prejardhja ose kur përkrahësi nuk dëshiron ta birësojë.
Familja alternative: Është ajo familje të cilës nuk i përket biologjikisht fëmija, edhe pse ai jeton në gjirin e saj dhe ndoshta mbart dhe mbiemrin e saj.
Procedurat e birësimit dhe përkrahjes, pritet të rriten në dekadat e ardhshme për shkak të ndryshimeve sociale dhe morale, të cilat i kanë dobësuar relativisht lidhjet familjare, kanë rritur divorcet dhe shtuar marrëdhëniet jashtëmartesore.
Pyetja e vështirë e cila i shqetëson njerëzit është: Kur i duhet treguar fëmijës e vërteta e prejardhjes së tij?
Përgjigja varet nga shumë faktorë dhe për çdo rast lipset një skenar i përshtatshëm. E megjithatë, bazuar në përvojën njerëzore, është zbuluar se mosha më e përshtatshme për ti treguar të vërtetën, është ajo mes dymbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeçare. Atij i flitet në mënyrë të thjeshtë dhe të përshkallëzuar, me qëllim që ta perceptojë drejt mendja e tij e njomë. Fillimisht atij i thuhet se dy prindërit e tij kanë vajtur larg dhe se ata që përkujdesen për të aktualisht e duan si djalin e tyre dhe kurrë nuk do të heqin dorë prej tij. Kjo bëhet me qëllim që fëmija mos e dëgjojë faktin që është i braktisur nga prindërit e tij biologjikë dhe se prindërit adaptues ia kanë mbajtur të fshehtë këtë fakt. (Kaplan, Sdock and Grebb, 1994)
Disa familje e shtyjnë dhe zvarrisin këtë moment derisa fëmija të ketë mbushur shtatëmbëdhjetë ose tetëmbëdhjetë vjeç, me qëllim që ta perceptojë më drejt realitetin. E familje të tjera e shtyjnë derisa fëmija të piqet dhe të mbështetet në forcat e tij në jetë. Në çdo rast, duhen marrë në konsideratë dhe duhet të ballafaqohemi edhe me pasojat e kësaj të vërtete dhe fëmija duhet të ketë mbështetje psikologjike që ta kapërcejë këtë moment.
Gjendja psikologjike e fëmijëve të adaptuar
Tek këta fëmijë vihen re çrregullime të humorit dhe të sjelljes, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre. Ata manifestojnë sjellje agresive, vjedhin, kanë vështirësi në nxënie etj… Është vënë re se sa më në moshë të rritur të bëhet birësimi, aq më shumë rritet mundësia për çrregullime të tilla. Këto çrregullime kanë arsye gjenetike dhe të fituara. Lidhur me aspektin gjenetik, i referohet fekondimit dhe formimit të tyre biologjik. Është vënë re se gratë të cilat mbeten shtatzëna nga marrëdhënie jashtëmartesore, kanë koefiçent inteligjence më të ulët – në përgjithësi – se gratë e tjera. Koefiçenti i tyre i inteligjencës është mes 83 dhe 96 dhe përgjithësisht i përkasin shtresës më të ulët të shoqërisë. Shtatzënitë jashtë kuadrit martesor lidhen me sindroma patologjike të personalitetit të femrës, të cilat mund t’ia trashëgojë dhe fëmijës së saj.
Kurse lidhur me aspektin e fituar, konsiston në gjenden e stresuar dhe ankthioze që përjeton nëna që nga fillimi i ngjizjes së këtij fëmije të paligjshëm. Këto çrregullime ushtrojnë ndikim tek lëndët kimike të cilat kanë efekt në zhvillimin e fëmijës dhe humorin e tij. E ëma mund edhe të orvatet disa herë për ta abortuar fëmijën. Por edhe nëse këto orvatje nuk kurorëzohen me abort dhe fëmija lind, ai nuk pritet me gaz e hare, as me qirinj të ndezur dhe nuk pritet me ngrohtësi. Përkundrazi, nëna bën çmos që ta heqë qafe duke e hedhur në rrugë. Të gjitha këto, më vonë lënë gjurmë në personalitetin e këtij fëmije. Kësaj, shtoji dhe mungesën e kujdesit emocional i cili plotëson nevojat e fëmijës, si dhe injorimin dhe neglizhimin në faza të ndryshme të fëmijërisë.
Nëse fëmija rriten në jetimore, atij i mungon atmosfera e ngrohtë familjare, i mungon identiteti familjar dhe indetifikimi me nënën, babain dhe familjen e tij më të madhe. Ai vuan nga damka shoqërore dhe opinioni, i cili e etiketon si fëmijë të braktisur dhe të hedhur në rrugë nga prindërit biologjikë për shkaqe morale ose materiale.
Avantazhet dhe disavantazhet e familjes alternative
Nëse ndodh që ky fëmijë ti jepet një familjeje, duke e birësuar apo për tu përkujdesur, ai gëzon privilegjin e edukimit në një atmosferë familjare ku nuk i mungon dashuria dhe përkatësia. Sipas udhëzimeve bashkëkohore fëmijë të tillë lipset tu bashkëngjiten familjeve alternative, të cilat duhen mbështetur materialisht nga organizmat sociale, gjë e cila i motivon familjet që ti pranojnë. Kjo realizohet nëpërmjet një marrëveshjeje mes jetimores dhe familjes, pasi ekspertët socialë të kenë studiuar familjen alternative dhe të jenë siguruar që është familje e shëndoshë moralisht dhe shoqërisht. Kjo përvojë është konsideruar e suksesshme në disa vende të zhvilluara ku u arrit vendosja e 90 % të fëmijëve të jetimoreve në familje alternative. Një pjesë e madhe e buxhetit të jetimoreve, i kaloi pikërisht këtyre familjeve që pranuan këta fëmijë. (Carson, Butcher & Coleman, 1988)
Lidhur me shkaqet e pranimit të këtyre fëmijëve nga ana e familjeve, mund të themi se janë:
1 – Arsye materiale, pra, për shkak të fondit që këto familje marrin në këmbim të përkujdesit ndaj fëmijëve të jetimores.
2 – E shohin si zgjidhje të problemeve të fertilitetit të prindërve. Kështu, ata sjellin një fëmijë i cili plotëson instinktet prindërore brenda familjes. Në këtë rast, fëmija përdoret për zgjidhjen e problemeve të familjes dhe jo e kundërta.
3 – Keqardhja dhe dhembshuria karshi këtyre fëmijëve, pa pritur ndonjë shpërblim material përkundrejt këtij përkujdesi.
Në çdo rast, fëmija mund të përballet me probleme edukative në familjen alternative, probleme të cilat mund ti përmbledhim si më poshtë:
1 – Llastimi, sidomos nëse familja ka vuajtur për një kohë të gjatë nga privimi për të pasur fëmijë për shkak të fertilitetit. Ka shumë mundësi që prindërit alternativë ta llastojnë fëmijën duke i plotësuar çdo tekë. Kështu, tek fëmijën fillon e hedh rrënjë egoizmi, ka shumë kërkesa dhe është i paaftë të marrë përgjegjësi mbi supe.
2 – Përkujdesi i tepruar, sidomos nëse nëna alternative është obsesive në përkujdesjen dhe frikën ndaj fëmijës. Ajo kontrollon çdo lëvizje të fëmijës, për rrjedhojë kultivon tek ai përtacinë dhe mbështetjen tek të tjerët.
3 – Neglizhimi, i cili zakonisht ndodh tek një familje e cila e ka pranuar fëmijën për shkak të shpërblimit material. Familje të tilla, përgjithësisht, nuk ofrojnë kontribut emocional për këtë fëmijë. Kjo neglizhencë e bën fëmijën të rritet i vetëmbyllur, pa besim tek vetja dhe tek njerëzit.
4 – Braktisja dhe injorimi, gjë e cila ndodh me apo pa vetëdije për shkak të damkës sociale që mban ky fëmijë i braktisur nga prindërit e tij biologjikë. Kështu, ai rritet me prirje agresive ndaj të tjerëve.
5 – Xhelozia, e cila zakonisht ndodh gjatë adoleshencës. Nëse fëmija është femër, mund të ndodhë që nëna alternative të ketë xhelozi, e cila bazohet tek frika e saj se mos i shoqi lidhet emocionalisht me këtë vajzë (shih filmin “E virgjëra dhe floku i bardhë”. E nëse fëmija është djalë, në adoleshencën e tij, ai që xhelozon është babai alternativ, nga frika se mos e shoqja lidhet emocionalisht me të. Kjo xhelozi mund të mos shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me tronditje të marrëdhënieve në familje. Ndonjëherë çështja mund të arrijë deri atje sa të bëhen orvatje për ta hequr qafe këtë fëmijë problematik, e ndonjëherë kjo ndodh në mënyrë agresive. Në një rast që mu paraqit, nëna alternative i kishte treguar vajzës adoleshente, në mënyrë të befasishme, se ishte fëmijë i braktisur nga prindërit biologjikë dhe se duhej të kthehej sërish në jetimore dhe ashtu kishte ndodhur. Për fëmijën kjo ishte një goditje tepër e rëndë. Ajo sapo kishte humbur identitetin e saj social sa hap e mbyll sytë, si të ishte përpirë nga toka. Të gjithë ambiciet dhe pritshmëritë e saj nga jeta kishin avulluar aty për aty. Brenda asaj dite, ajo kishte kaluar nga një mjedis familjar i ngrohtë, në një dhomë të ftohtë të jetimores, e shoqëruar nga damka sociale dhe morale e cila e pengonte të ndjekë universitetin, shoqërinë dhe të njohurit.
Ky është një lloj agresiviteti, të cilin prindi alternativ e manifeston për shkak të xhelozisë.
6 – Diferencimi në komunikim. Nëse prindërit alternativë kanë edhe fëmijët e tyre biologjikë, në përgjithësi vihet re një diferencim në komunikim mes fëmijëve të tyre dhe fëmijës së birësuar. Kjo çon në mosmarrëveshje, braktisje, padrejtësi dhe mungesë të sigurisë.
Psikologjia e atashimit
Një pikë e rëndësishme që duhet pasur parasysh në trajtimin e fëmijës, është ajo që njihet me “psikologji e atashimit” ku njeriu priret të atashohet me persona të caktuar të cilët përkujdesen për të. Gjithashtu, ai priret për vazhdimësinë e këtij atashimi, pasi ai i fal qetësi dhe siguri. Prandaj nuk duhen prerë këto lidhje herë pas here në mënyrë të befasishme, gjë e cila për fat të keq, u ndodh shpesh këtyre fëmijëve. Shumë prej tyre kalojnë nga një ambient në një tjetër, nga nëna biologjike në rrugë të madhe, në polici, në jetimore, tek një kujdestare e cila përkujdeset për të deri në moshën dy vjeçare dhe me të cilën atashohet si të ishte e ëma. Mandej hiqet nga ajo për tu kthyer sërish në jetimore, që atje në një familje alternative me të cilët atashohet gjatë viteve, e në fund befasohet kur dëbohet dhe rikthehet sërish në jetimore. Këto ndryshime të ambientit e privojnë fëmijën nga atashimi i përhershëm i cili e pajis me identitet dhe siguri.
Fëmija i birësuar ose ai që është marrë nën kujdes, pasi të kuptojë realitetin, vuan nga dualizmi i identitetit mes prindërve biologjikë dhe atyre birësues. Ndonjëherë ai zhytet në konflikt mes këtyre dy identiteteve, konflikt të cilin ndonjëherë e shpreh me agresivitet ndaj njërës palë. Meqë prindërit e tij biologjikë nuk i njeh, ai e shpreh agresivitetin ndaj prindërve birësues. Kam njohur një të ri i rritur nga i ati birësues, i cili ishte përkujdesur maksimalisht për të, derisa e kishte bërë doktor. Megjithatë, i riu vuante nga ndjenja agresive karshi të atit birësues dhe nuk e kuptonte dot shkakun.
Fëmija i birësuar ëndërron gjithë kohën ti njohë prindërit e tij biologjikë, madje bën dhe përpjekje të shumta, e kur i takon të dy, ose njërin prej tyre, nuk ndjen karshi asnjë emocion të fortë. E megjithatë gjen prehje tek identiteti i vet biologjik dhe kërkon të ruajë një lidhje qoftë dhe të brishtë, e cila i garanton vazhdimësinë e kësaj ndjeshmërie.
Disa pyesin me të drejtë: A është më mirë që një fëmijë i tillë të jetojë në jetimore, apo në një shtëpi alternative?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetje fokusohet në radhë të parë në dobi të fëmijës dhe kushteve të tij. Jetimorja nuk ia krijon fëmijës atmosferën normale të familjes, pasi aty, zakonisht, janë një numër i madh fëmijësh për të cilët kujdeset një staf punonjësish, të cilët edhe pse profesionalisht janë të kualifikuar, nuk mund t’ua plotësojnë fëmijëve nevojat emocionale.
Kushdo që i viziton këto ambiente, sheh fëmijë, syve të cilëve u mungon shkëlqimi i dashurisë dhe dhembshurisë nga e cila janë privuar viteve të shkuara. Ata janë të izoluar nga shoqëria gjatë gjithë kohës. Më kujtohet që gjatë një vizite në një jetimore, konstatova se dëshira më e madhe e tyre ishte që një nga vizitorët ti mbajë në krahë që të shohin makinat dhe njerëzit që lëvizin jashtë. Deri në këtë nivel vuanin nga privimi emocional. Këtë mungesë dhe nevojë nuk ua përmbushin dot vizitat e njerëzve zemërmirë, pasi jetesa e këtyre fëmijëve është brenda katër mureve të jetimores, mure të cilat nuk përcjellin dhembshuri, dashuri dhe ngrohtësi. Kur dikush shkon ti vizitojë, ata rendin me vrap drejt tij duke i thërritur “Babi” ose “Mami” nëse është grua. Kjo, edhe pse këto fjalë nuk përcjellin ndonjë domethënie të madhe për ta, siç ndodh me fëmijët që jetojnë me prindërit e tyre biologjikë dhe që nuk u mungon dashuria, përkëdheljet dhe përkujdesi prindëror. Izolimi i këtyre fëmijëve nga shoqëria, i komplekson dhe ua vështirëson familjarizimin kur të rriten.
Në të katër anët e botës, janë shtuar thirrjet për tu kushtuar më shumë kujdes kësaj shtrese, nëpërmjet familjeve alternative, gjë e cila duhet bërë pas studimit të çdo rasti, kushteve familjare të familjes alternative, si dhe ndjekjes së ecurisë së fëmijës në mënyrë konsekuente nëpërmjet organizatave shoqërore dhe të specializuara. Kjo, me qëllim që fëmija të mos ekspozohet ndaj kushteve të papërshtatshme.
Në shoqëritë islame, kemi një trashëgimi të pasur morale dhe fetare, e cila na motivon që sidomos për këtë shtresë fëmijësh të tregojmë kujdes dhe ti socializojmë. Profeti Muhamed a.s thotë:”Shtëpia më e mirë myslimane, është ajo shtëpi në të cilën gjendet një jetim i cili trajtohet me dinjitet.” Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Unë dhe kujdestari i një jetimi, do të jemi në xhenet si këta të dy” dhe ngriti lart gishtin tregues dhe gishtin e mesëm.
Perktheu: Elmaz Fida
…