Turqia ka marrë të mërkurën nga NATO “dritën jeshile” për kërkesën për vendosjen e raketave patriot përgjatë kufirit të saj me Sirinë. Ekspertë të sigurisë e vlerësojnë vendosjen e raketave si masë konkrete parandaluese.
Turqia ka marrë të mërkurën nga NATO “dritën jeshile” lidhur për kërkesën për vendosjen e raketave patriot tokë – ajër përgjatë kufirit të saj me Sirinë. Me vendosjen e tyre, e cila mund të bëhet brenda disa javëve, NATO është duke bërë hapin më të guximshëm që ka bërë deri tani në krizën e Sirisë, dhe konflikti 20 mujor hyn kështu në një nivel të ri. Ndërkohë që disa politikanë perëndimorë e shohin NATO-n të futet ngadalë në konflikt, shumë ekspertë të çështjeve të sigurisë e vlerësojnë vendosjen e raketave si masë konkrete parandaluese, që mund të pengojë përhapjen e luftës në territoret turke.
Profesor Mustafa Kibaroglu, akademik i njohur turk dhe ekspert për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes me raketa, kërkon që të mos bëhen shumë spekullime. “Kërkesa e Turqisë për raketat patriot është më shumë një përpjekje për të shtuar masat parandaluese”, i tha ai Deutsche Welles. “Siria, Irani apo ndonjë vend tjetër nuk guxon të sulmojë me raketa Turqinë, duke parë së NATO është duke qëndruar hapur dhe qartë në krah të Turqisë,” tha ai duke theksuar se vendosja e raketave do të ketë së pari domethënie politike, por edhe do t`i sigurojë Turqisë mbrojtje më të madhe, në rast se konflikti shkallëzohet.
Frikë nga armët kimike
Javën e fundit, presidenti turk Abdullah Gül shprehu shqetësimin se Siria mund të përdorë armë kimike kundër Turqisë, dhe shtoi se vendosja e raketave patriot të NATO-s mund t`i kundërvihet këtij rreziku. Gül i tha gazetës Financial Times se Siria ka armë kimike dhe ish Bashkimi Sovjetik i ka dhënë sisteme për përdorimin e tyre. “Në rast se mund të ndodhë ndonjë eventualitet me ndonjë lloj çmendurie në këtë drejtim, duhen bërë planet për rastet e mundshme dhe këtë është duke bërë NATO tani,” tha ai. Qeveria siriane tha në muajin korrik, se do të përdorë armë kimike apo biologjike nëse sulmohet nga jashtë.
Ekspertë turk të çështjeve të sigurisë nuk janë duke parë ndonjë sulm sirian, pasi një i tillë do të thoshte sulm ndaj NATO-s, por shqetësimet ekzistojnë sepse nëse regjimi sirian humbet kontrollin e situatës, atëherë grupe ushtarake ose grupe të tjera mund të shfrytëzojnë vakumin e pushtetit. Raketat patriot do të përmirësojnë dukshëm mbrojtjen nga ajri të Ankarasë, sepse ato janë krijuar posaçërisht për mbrojtje kundër raketave dhe avionëve. Por ato nuk ofrojnë mbrojtje ndaj rrezikut kryesor që ka Turqia.
Ushtria siriana është duke luftuar kundër kryengritësve që ndodhen në zonën kufitare, dhe predhat e artilerisë godasin ndonjëherë territoret turke. Një predhë që u gjuajt nga Siria mbi një qytet kufitar turk, vrau në muajin tetor pesë civilë. Që kur ushtria turke i është kundërvënë predhave dhe mortajave, janë rritur shqetësimet se konflikti mund të përhapet.
Zonë ndalim- fluturimi?
Për shkak të rrezes së gjatë të veprimit të raketave patriot, kërkesa që Turqia i ka bërë NATO-s është interpretuar prej disa vëzhguesve si hapi i parë në një plan më të gjerë për të detyruar krijimin e një zone ndalim- fluturimi në Siri. Turqia ka kërkuar prej kohe krijimin e një zone ndalim-fluturimi në Siri, e cila do të mbronte refugjatët dhe do krijonte një strehë të sigurt për kryengritësit që të mbroheshin nga sulmet ajrore siriane. Por Ankaraja nuk ka arritur deri tani të bindë aleatët e saj.
Diplomatë perëndimore theksojnë se një zonë e tillë do të duhet të mbështetet nga një forcë ajrore e fuqishme dhe do të përbënte rreziqe serioze sepse rregjimi sirian ka kapacitete të avancuara në mbrojtjen nga ajri. Në mënyrë që të bindë aleatët evropiane për nevojën e vendosjes së raketave patriot, Turqia ka theksuar në letrën që i drejtoi NATO-s se dislokimi i raketave do të jetë vetëm “për mbrojtje”. “Vendosja e raketave nuk do të mbeshtesë në asnjë mënyrë ndonjë zonë ndalim- fluturimi apo ndonjë operacion tjetër ofensiv,” tha ditën e mërkurë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh-Rasmussen. “Vendosja e raketave do të kontribuonte në qetësimin e gjendjes në kufirin juglindor të NATO-s. Dhe do të ishte dëshmi konkrete për solidaritetin e vendosmërinë e NATO-s,” tha Rasmussen.
Dalje nga izolimi
Disa vëzhgues turk shohin tek vendosja e raketave një lloj lehtësimi për qeverinë turke, e cila ka qenë e izoluar për shkak të politikës së saj ndaj regjimit të Assadit. Sipas Kibaroglu, anëtarët e NATO-s e kanë vlerësuar pozitivisht vendosjen e raketave patriot si një shenjë solidariteti dhe si një masë më të fortë parandaluese, por ata janë duke pritur që vendosja e raketave të nxisë bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë dhe t`i japë NATO-s hapësirë më të madhe për të ndikuar në politikën turke ndaj Sirisë. “Kjo ndërhyrje mund të pengojë shkallëzimin e krizës dhe të mbajë larg ndonjë reagim të pakontrolluar sirian ndaj politikës së ashpër të Turqisë,” tha Kibaroglu. “Duket se pritet që Turqia të ketë bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n për politikën ndaj Sirisë.”
Shqetësime të mëdha për rajonin
Kërkesa e qeverisë turke për vendosjen e raketave patriot, është kritikuar nga opozita turke e cila fajëson qeverinë e Erdoganit për dështim të politikës së jashtme, gjë që ka çuar në përshkallëzim të tensioneve në rajon. “Qeveria e AKP-së e ka fshehur realitetin nga publiku,” tha Faruk Logoglu, ish ambasadori turk në Uashington, zëvendëskryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Republikane të Popullit (CHP). “Arsyeja pse qeveria e Erdoganit ka vendosur tani që të kërkojë patriotë nuk ka të bëjë me krizën e Sirisë,” tha Logoglu. “Pas operacioneve të Izraelit në Rripin e Gazës, kërcënimi iranian kundër Izraelit është bërë më serioz. Raketat patriot do të mbrojnë stacionin e ri të radarëve në Kurecik, i cili është i domosdoshëm për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Izraelit,” theksoi ai. “Raketat patriot do të ndihmojnë sigurinë e Izraelit.”
Eksperti i sigurisë Prof Mustafa Kibaroglu, thotë po ashtu se shqetësimet rajonale kanë luajtur një rol në vendimin e marrë nga Turqia. “Vendosja e raketave patriot mund të shihet si një masë e pakufizuar për të mbrojtur Turqinë nga Siria, por edhe nga ndonjë kërcënim i mundshëm nga Irani në të ardhmen,” thotë ai. “Mbas operacioneve të Izraelit kundër Rripit të Gazës, zhvillimet e ardhshme në rajon janë krejt të paqarta. Ekziston nevoja për të mbrojtur hapësirën ajrore të Turqisë, në rast të një konfrontimi të mundshëm në të ardhmen midis Izraelit dhe Iranit,” thotë Kibaroglu.