Një studim, që është kryer në 28 shtete ku ishin të përfshirë 77 ekspertë botërorë, virologë, infektologë dhe epidemiologë, gjeti se ka mundësi që vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 mund të bëhen “joefektive” brenda një viti, për shkak të mutacioneve që po pëson coronavirusi i ri.
Dy e treta e këtyre ekspertëve, që morën pjesë në këtë studim, thanë se njerëzimi ka në dispozicion “një vit ose më pak përpara se gjenerata e parë e vaksinave të bëhet joefektive dhe vaksina të reja apo këto që janë, do të duhet të modifikohen”. Ndërsa vetëm një në tetë ekspertë tha se beson se mutacionet e virusit kurrë nuk do të kenë një ndikim të atillë sa që do t’i bënte të paefektshme vaksinat ekzistuese, raporton CNBC.
Ky studim u publikua më 30 mars nga The People’s Vaccine Aliance (Aleanca e Vaksinave të Njerëzve), një koalicion ndërkombëtar ku bëjnë pjesë mbi 50 organizata përfshirë edhe Unionin Afrikan, Oxfam (organizata globale kundër varfërisë) dhe UNAIDS (Programi i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS) e cila bën fushatë për qasje të barabartë botërore në vaksinat kundër COVID-19.
Shumica e ekspertëve, pothuajse 90 për qind e tyre, thanë se qasja e ulët në vaksina në shumë shtete, ka të ngjarë që të rrisë mundësinë për shfaqjen e mutacioneve rezistente.
Aleanca e Vaksinave të Njerëzve ka paralajmëruar se, në bazë të shkallës aktuale të programeve globale të vaksinimit, në shumicën e vendeve të varfra, vetëm 10 për qind e njerëzve do të vaksinohen vitin e ardhshëm.
Një shkallë kaq e ulët e vaksinimit masiv do të krijojë kushte për shfaqjen e varianteve të reja të virusit, që mund të jenë rezistente ndaj vaksinave ekzistuese.
Politika, ekonomia dhe variantet e reja të virusit
Kjo aleancë po ashtu ka bërë thirrje që të hiqen monopolet e kompanive farmaceutike dhe që këto kompani të ndajnë teknologjinë e tyre përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në mënyrë që të rritet prodhimi dhe mundësohet një qasje më e madhe në vaksina.
“Sa më shumë që të qarkullojë virusi, aq më të mëdha janë gjasat që të shfaqen variante të reja, të cilat mund të bëjnë që vaksinat ekzistuese të mos jenë më efikase. Në të njëjtën kohë, shtetet e varfra janë lënë prapa, pa vaksina dhe pa furnizime bazike shëndetësore, siç është furnizimi me oksigjen”, thotë Devi Sridhar, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Ediburgut.
“Siç kemi mësuar, virusi nuk njeh kufij. Ne duhet të vaksinojmë sa më shumë njerëz që mundemi, në gjithë botën, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ajo.
Pavarësisht se nuk dha një afat kohor, Gregg Gonsalves, profesor i Epidemiologjisë në Universitetin Yale, theksoi urgjencën e vaksinimit global.
Sipas një raporti medial, të publikuar në ueb-faqen e Oxfam-it, Gosalves citohet të ketë thënë:
“Me miliona njerëz në gjithë botën të infektuar me virusin, mutacionet e reja po shfaqen çdo ditë.