3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pse të dhënat për pandeminë në Indi mund të mos jenë të sakta?

Më të lexuarat

Edhe pas më shumë se një viti të përballjes së botës me pandeminë e coronavirusit, intensiteti dhe shkalla e krizës aktuale në Indi është bërë më e dallueshme.

Pacientët atje nuk kanë qasje në oksigjen, spitalet janë të mbingarkuara derisa nëpër rrjetet sociale shihen radhë të gjata të njerëzve për të dërguar viktimat nëpër krematoriume.

Teksa numri ditor i të infektuarve rritet përtej shifrave që kanë raportuar vendet tjera deri më tani, ekspertët thonë se shifrat zyrtare të të diagnostikuarve me COVID-19, sëmundjen që shkakton coronavirusi, në vendin e dytë me popullsinë më të madhe në botë, duket se nuk janë të sakta.

Por pse të dhënat në Indi konsiderohen të jenë kështu?

Cilat shifra tregojnë realitetin mbi krizën?

A po numëron India secilin rast?

India nuk është duke numëruar secilin rast të infektimit me coronavirus, pasi asnjë shtet nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Në gjithë botën, zyrtarët prezantojnë vetëm rastet e konfirmuara.

Numri i të gjitha rasteve nuk dihet edhe për faktin se testimi është rastësor dhe disa persona kanë pak ose aspak simptoma pas infektimit me këtë virus.

Sa më i kufizuar testimi, aq më pak raste dihen. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shtetet duhet të bëjnë 10 deri në 30 teste për çdo rast të konfirmuar.

India është duke bërë pesë teste për çdo rast të konfirmuar, bazuar në faqen online Our World in Data.

Shtetet e Bashkuara janë duke bërë 17 teste për një rast të konfirmuar, derisa Finlanda 57.

“Ka ende shumë persona që nuk janë duke u testuar”, ka thënë mjeku Prabhat Jha nga Universiteti i Torontos.

“Shtëpi të tëra janë të infektuara. Nëse një person testohet nga një shtëpi dhe del pozitiv, secili person që jeton brenda asaj shtëpie nis të ketë simptoma, është e qartë se ata janë të infektuar, andaj pse të testohen?”

Bazuar në modelin e valës paraprake të pandemisë në Indi, Jha beson se shkalla e vërtetë e infektimit mund të jetë 10 herë më e madhe sesa raportimet zyrtare.

Çka për vdekjet?

Vdekjet janë tregues më i mirë i lakores së pandemisë, ka thënë Jha, mirëpo edhe aty ka probleme me të dhëna.

“Hapësira më e madhe lidhet me zonat rurale të Indisë”, ka thënë Jha.

Nëpër rajone më periferike, njerëzit zakonisht vdesin nëpër shtëpi pa vëmendje mjekësore dhe një pjesë e këtyre vdekjeve nuk raportohen.

Familjet i varrosin apo djegin trupat e më të dashurve të tyre pa i regjistruar viktimat.

Konsiderohet se 70 për qind e vdekjeve, pavarësisht shkakut, raportohen nëpër zonat rurale të Indisë, për çdo vit.

Puna e mjekut Jha me projektin Million Death Study ka vërtetuar se vdekjet në zonat rurale mund të numërohen.

Projekti i nisur para pandemisë, është realizuar përmes sondazheve të kryera në rajone periferike të Indisë, për të kuptuar simptomat dhe shkaqet e vdekjeve.

Shumë shtete me të ardhura të ulëta apo të mesme kanë probleme me regjistrim të saktë, ka thënë Jha, duke besuar se India ka kapacitet për më shumë.

“Është shtet që ka program hapësinor. Numërimi i të vdekurve është punë bazike”, ka thënë ai.

“India mund të jetë shumë, shumë më e mirë në këtë aspekt”.

Sa kanë rëndësi shifrat?

Njohuritë mbi numrin dhe shkallën e shpërthimit të pandemisë, mund t’iu ndihmojnë qeverive dhe zyrtarëve shëndetësorë që të planifikojnë përgjigjet e tyre.

Edhe me problemet, tashmë të ditura me të dhëna, trajektorja e rasteve dhe vdekjeve me COVID-19 në Indi, përbën rikujtim alarmues sesi virusi mund të përhapet në një popullsi të pavaksinuar, dhe kur masat kufizuese injorohen.

“Ajo çfarë po ndodh në Indi është e rëndësishme për gjithë botën”, ka thënë Amita Gupta, udhëheqëse e Institutit për Indinë në Universitetin Johns Hopkins, në një bashkëbisedim në Facebook.

“Për ne situata atje ka rëndësi, si nga perspektiva humanitare, e shëndetit publik si dhe sigurisë shëndetësore”, ka thënë mes tjerash ajo. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit