1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Pse tani Rusia po “minon” Izraelin?

Më të lexuarat

Në një intervistë për një televizionin italian, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov u pyet nëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është një pengesë për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Lavrov u përgjigj se “nazizmi është këtu: militantët e kapur, si dhe anëtarët e batalioneve Azov, Aidar dhe njësive të tjera kanë svastika ose simbole të njësive naziste SS në rrobat e tyre ose i kanë tatuazhe në trupat e tyre; ata haptazi lexojnë dhe promovojnë “Mein Kampf”.

“Si mund të ketë nazizëm në Ukrainë nëse Zelensky është hebre? Mund ta kem gabim, por edhe Adolf Hitleri kishte gjak hebre. Kjo nuk do të thotë absolutisht asgjë. Populli i mençur hebre thotë se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenjtë. “Çdo familje ka delen e saj të zezë, siç themi ne”, përfundoi ai.

Tel Avivi ka mbetur i befasuar me këtë deklaratë të kryediplomatit rus, Lavrov.

“Qëllimi i gënjeshtrave të tilla është të akuzojnë hebrenjtë për disa nga krimet më të tmerrshme në histori të kryera kundër tyre”, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.

“Përdorimi i Holokaustit për qëllime politike duhet menjëherë të ndalet”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yar Lapid ka pohuar se Lavrov duhet të kërkojë falje dhe ftoi ambasadorin rus për bisedime. Ministri Lapid tha se pretendimi që Hitleri ishte me prejardhje hebreje ishte saktësisht i njëjtë sikur të thuhej se hebrenjtë kanë kryer krime kundër vetvetes.

Lapid tha se gjyshërit nuk ia vranë hebrenjtë, por nazistët.

Identiteti i njërit prej gjyshërve të Hitlerit nuk dihet dhe tashmë është thënë, pa prova, se ai mund të jetë hebre, shkruan reuters.

Moska nuk do të dorëzohet, ndaj Ministria e Punëve të Jashtme do të publikojë një mini disertacion me temën e hebrenjve, antisemitizmin si dhe antisemitizmin në Ukrainë.

Një mesazh i ndërgjegjshëm nga Kremlini?

Megjithatë, nuk duhet anashkaluar mundësia që ky është një mesazh i dërguar me vetëdije. Në fillim të agresionit rus, Izraeli mbajti një qëndrim neutral, por menjëherë bëri të ditur se nuk do të kundërshtonte vendosjen e sanksioneve. Kryeministri Bennett u përpoq të paraqitej si negociator, por kjo nuk u mor parasysh.

Turqia mori për një kohë rolin udhëheqës në atë fushë dhe tani negociatat, siç pretendon Lavrov, po zhvillohen në fshehtësi.

Rusia ishte e kënaqur me një zhvillim të tillë, veçanërisht pasi Izraeli nuk dërgoi armë në Ukrainë. Telashet nisin pasi u zbuluan krimet e tmerrshme të kryera nga ushtarët rusë në qytetin ukrainas Bucha. Ministri Lapid më pas ndryshoi retorikën dhe dënoi ashpër krimet e luftës.

Ndërkohë, qeveria izraelite është e përbërë nga spektri më i gjerë i mundshëm i partive nga e majta në të djathtë, përfshirë partinë arabe. Gjegjësisht, nëse vetëm një deputet largohet nga koalicioni, kjo do të thotë se qeveria nuk e ka më shumicën në parlament, Knesset.

Benjamin Netanyahu, ish-kryeministri, tashmë po ëndërron të rikthehet në pushtet pa zhvilluar zgjedhjet dhe Moska sigurisht që mbështetet në një bashkëpunim më të mirë me të. Është tregues se autoritetet ruse po e drejtojnë sulmin ndaj ministrit Lapid dhe jo ndaj kryeministrit Bennett, duke tentuar të shkaktojë një ndarje mes koalicionit qeveritar të Izraelit.

Qeveria izraelite gjithashtu u trondit shkaku i përleshjeve me palestinezët për qasje në Malin e Tempullit ku ndodhet xhamia Al-Aqsa. Nuk mund të përjashtohet mundësia se Kremlini po e financon edhe Hamasin përmes Iranit.

Moment vendimtar

Momenti vendimtar ishte takimi i thirrur nga Ministri i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin III më 26 prill në bazën ushtarake amerikane, Ramstein në Gjermani. Në takim morën pjesë rreth 40 vende, Pentagoni tha se secili vend mund të flasë për pjesëmarrjen e vetë, kështu që ne nuk e dimë listën e saktë të atyre që e dëshirojnë.

Izraeli konfirmoi pjesëmarrjen dhe sytë e Moskës, pa dyshim u zhvendosën në një kamp tjetër, atë të opozitës izraelite.

Rusia i afrohet botës me parime binare – ju jeni ose me ne ose kundër nesh. Ndërkohë, u njoftua se Jerusalemi do të dërgonte disa pajisje ushtarake në Ukrainë, që është një kthesë e re në politikë.

Mbetet për t’u parë nëse Moska dhe Jerusalemi do të veprojnë në mënyrë multi-vektoriale, në temën e mosmarrëveshjes dhe tjetrës, Sirisë, ku pritet të vazhdohet bashkëpunimi. Ka të ngjarë që ata ta bëjnë këtë sepse është në interesin e Rusisë.

Ndër anëtarët e takimit në Rammstein ishte Maroku, i cili është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për njohjen e sovranitetit të saj mbi Saharën Perëndimore (për këtë arsye Algjeria nuk mori pjesë). Ishte edhe Katari, i cili është vendimtar për furnizimin me gaz të Evropës, në mënyrë që të lirohet nga varësia ruse.

Nuk ishin, me sa mund të konkludohet, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilat janë ende neutrale sepse nuk duan të provokojnë një konflikt me Rusinë brenda kartelit të naftës OPEC +, gjë që mund të ulë çmimet.

Por kjo është arsyeja pse Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan dërgimin e parë të naftës në Evropë. Bashkimi Evropian po përgatit një embargo për importet e naftës nga Rusia, gjë që u hap hapësirë Emirateve për të fituar para, të cilët vazhdojnë të mbajnë lidhje me Izraelin sepse ndajnë frikën e Iranit. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit