2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Pse rrezikohet trashëgimia islame në Kosovë

Më të lexuarat

Flet: Esat ef.Rexha, sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë

Është obligim yni të punojmë që të vetëdijesohet populli për ruajtjen e trashëgimisë islame

D.l.: Gjakova me rrethinën është nder rajonet më të pasura në trevat tona me objekte te kulturës materiale islame, na i përmendi cilat janë më të rëndësishmet?

Esat ef. Rexha: Ne Gjakove, është e vërtetë, kemi shume objekte te kulturës materiale islame që kane vlera historike, por me te rëndësishmet janë:

Xhamia e Hadumit, e nderuar ne shek XVI apo me saktësisht me 1595. Është objekti i pare i ndërtuar ne qytetin e Gjakovës, dhe për këtë arsye ka vlera te mëdha historike. Themeluesi i këtij objekti ka qene Sylejman Aga, i njohur me emrin Hadim Aga, emrin e te cilit e mban xhamia.

– Objekt me karakter historik ka qenë Hamami i ndërtuar në afërsi të xhamisë së Hadimit. Ky objekt është shkatërruar në tërësi, nga vjetërsia qe moti, dhe në vitin 1953 është nacionalizuar toka ku ka qenë i ndërtuar, nga pushtetmbajtësit e asaj kohe. Po ashtu objekt me rëndësi fetare, kulturo-historike dhe arsimore është Medreseja e Madhe, në lagjen e Hadimit ne Gjakove, e ndërtuar me 1748. Në të janë zhvilluar mësimet fetare, dhe ajo ka luajtur rolin e shkollës së mesme dhe ka funksionuar gjer më 1945. pastaj është mbyllur me urdhër të organeve

kompetente të Kuvendit të komunës së Gjakovës të asaj kohe. Në këtë medrese vijonin mësimet, përveç banorëve të komunës së Gjakovës, edhe të rinjtë nga viset tjera të Kosovës, Sanxhakut etj. Pas mbylljes së medresesë ky objekt është shndërruar në strehimore të banuesve, kryesisht në raste sociale, të cilët i dërgonte Kuvendi i komunës i asaj kohe dhe me kohë, për shkak të pamundësisë materiale për mirëmbajtje, ndërtesa ka pësuar dëmtime. Gjate luftës në vitin 1999, medreseja është djegur në tërësi nga okupatori serb, mirëpo, për fat te mirë muret e jashtme të ndërtuara prej guri, të objektit që ka shërbyer si konvikt, kanë shpëtuar dhe ka filluar rindërtimi në saje të shoqatës humanitare “Muhamed Aid Iben Thanif nga Katari, në tërësi sipas projektit të përpiluar nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Gjakovë, ashtu si ka qene. Medreseja e vogël, e nderuar në vitin 1730 është objekt me rëndësi kulturore-historike dhe arsimore, dhe ajo gjendet në lagjen M. Pasha. Xhamia e Hasan Agës ne fshatin Rogove te Gjakovës është ndërtuar ne vitin 1580. Gjate luftës nga sulmet barbare serbe, janë dëmtuar kupolat, kurse minarja është rrënuar nga themelet.

D.I.: Si është gjendja e tyre?

Esat ef. Rexha: Objektet me vlerë historiko- kulturore kanë qenë në shënjestër të armikut që synonte t’i fshinte gjurmët e kulturës islamo-shqiptare, në mënyrë që të mohonin lashtësinë e popullit shqiptar autokton në këto treva. Kështu, xhamia e Hadimit, falë Allahut xh.sh. i ka shpëtuar shkatërrimit të tërësishëm: Është djegur mbuloja e hajatit të xhamisë, janë dëmtuar minarja dhe kupolat e pjesërisht është djegur porta e xhamisë, e cila është prej materialit të drurit, punim dore,

– Biblioteka është djegur ne tërësi me gjithë inventarin qe ka qene brenda, si dhe literatura e vjetër me karakter fetar, një vlerë e pakompensueshme historiko – kulturore.

– Medreseja e madhe është djegur në tërësi.

– Medreseja e vogël ka shpëtuar nga lufta. Por, është shkatërruar shume nga motet.

D.l: Gjate luftës se fundit qyteti juaj me rrethinën pësoi me se shumti ne

Kosove. Ne ç’shkalle u dëmtuan objektet e kulturës materiale islame?

Esat ef. Rexha: Gjatë luftës së fundit nga objektet fetare janë dëmtuar si vijon:

– Xhamia e Hadimit, Biblioteka, Medreseja e madhe, xhamia e fshatit Shqiponjë (ish Jabllanicë), xhamitë në fshatrat Rogovë, Rashkoc, Mulliq, Brovinë, Ponoshec, dhe Smolicë. Këto objekte fetare janë djegur në tërësi. Janë djegur edhe 17 dyqane-lokale afariste prone e KBI-së së Gjakovës.

D. I: Sa janë sanuar deri tani pasojat e luftës?

Esat ef. Rexha: Siç e theksuam më lart, për të sanuar pasojat e luftës, pas luftës kemi pasur ndihma të shoqatave humanitare arabe dhe joarabe që kanë rinovuar rindërtuar këto objekte:

– Mejtepi i xhamisë së Hadimit nga Komiteti i Bashkuar Saudit për Ndihmë Popullit të Kosovës (SJRC).

-Xhamia e Hadimit, është duke u rinovuar dhe mbetet që këtë vit, sipas projektit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Prishtinës, të rinovohet në tërësi nga një shoqatë amerikane.

-Medreseja e madhe është duke u ndërtuar nga shoqata humanitare arabe “Muhamed Iben Thanij” nga Katari.

-Xhamia e lagjes Gecë në Gjakove, xhamia e fshatit Mulliq, ajo në Brovinë si dhe në Ponoshec, janë rindërtuar nga shoqata “Muslim AID” e Anglisë.

-Xhamisë së fshatit Rogovë i janë rinovuar vetëm kupolat nga një shoqatë humanitare turke.

-Xhamia në fshatin Shqiponje është rinovuar (rindërtuar) nga një shoqatë humanitare amerikano- hebraike.

D. I: Në shtypin e përditshëm është shkruar shumë rreth rindërtimit të xhamisë së Hadimit dhe kompleksit të saj. Çka mund të na thoni për këtë?

Esat ef. Rexha: Po, rreth ngecjes së punimeve në xhaminë e Hadimit, është folur dhe shkruar shumë dhe në mesin e atyre fjalëve e shkrimeve ka shumë të pavërteta. Në fillim kemi kontaktuar me Entin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës së Gjakovës, me drejtorin z. Osman Gojani, i cili ka kërkuar të përpilohej projekti dhe kane filluar punimet. Në këtë projekt ka qenë e paraparë që biblioteka të rindërtohej nga themeli, prandaj është rrënuar pjesa e mbetur e bibliotekës, gjegjësisht gjysma e saj. Ky veprim është herë me vendimin e dy inxhinierëve dhe një arkitekti, ndonëse nuk është dashur të rrënohej, por të ruhej si monument e të bëhej vetëm sanimi i saj, e pjesa tjetër të ndërtohej e re. Kjo sipas mendimit të Departamentit të Kulturës në Prishtinë. Këtu fillojnë mosmarrëveshjet. Dikush përhapi një dezinformatë se Komiteti i Bashkuar Saudit për Ndihmë Popullit të Kosovës (SJRC), kishte vendosur t’i prishte varrezat dhe t’i fshinte mbishkrimet brenda në xhami dhe pas kësaj janë ndërprerë punimet nga KFOR-i, me urdhrin e drejtorit të Departamentit të Kulturës në Prishtine, z. Alvaro.

D. I: Sa bashkëpunoni gjatë rindërtimit apo restaurimit të objekteve që kanë vlerë të monumentit, me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Gjakovës dhe atë të Kosovës?

Esat ef. Rexha: Për renovimin e xhamisë së Hadimit kemi qenë dhe jemi në kontakt të përhershëm me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Gjakovës dhe të Kosovës në Prishtinë, dhe në bazë të projekteve e konsultimeve, të gjitha punimet janë bërë nën mbikëqyrjen e rreptë të institutit ne fjale. Asnjë veprim nuk është bërë pa pëlqimin e tyre.

D. I: Ka kohë që kultura materiale islame në Kosovë rrezikohet edhe nga disa persona gjoja në emër të fesë. Sidomos në shënjestër ata kane nishanet mbi varreza dhe mbishkrimet e ndryshme, megjithëqë ato kanë vlerë të madhe historike. A keni raste të tilla në qytetin e Gjakovës dhe në rrethinën e saj?

Esat ef. Rexha: Sa i përket dëmtimit të varrezave dhe mbishkrimeve të gurëve të varrezave, është e vërtetë se kjo ka ndodhur në oborrin e xhamisë së Hadimit. Ngjarja është paraqitur në polici, por personi nuk është zbuluar dhe nuk kemi informata të sakta se kush fshihet pas kësaj vepre vandale; raste tjera nuk kemi pasur.

D. I: Ç’duhet të ndërmarrin, sipas jush, këshillat e Bl-së për ruajtjen e asaj që ka shpëtuar, nga trashëgimia islame?

Esat ef. Rexha: Këshilli Bashkësisë Islame të Gjakovës ka në mbikëqyrje të plote të gjitha objektet fetare me karakter historiko- kulturor nga trashëgimia islame.

D. I: Cila është porosia juaj për ata që rrezikojnë trashëgiminë islame?

Esat ef. Rexha: Është obligim i yni të punojmë që të vetëdijesohet populli për ruajtjen e trashëgimisë islame. Ata që në çfarëdo mënyrë rrezikojnë kulturën materiale islame i porosis të heqin dorë nga kjo veprimtari, ngase i bëjnë dëm të madh së kaluarës sonë të ndritshme, thjesht dëmtojnë gjurmët e Islamit në këto troje.

D. I: Ç’mendim keni për iniciativën e kryeimamit të Kosovës që të formohet drejtoria apo instituti për çështjen e vakëfeve?

Esat ef. Rexha: Sa i përket iniciativës së kryeimamit të Kosovës që të formohet Drejtoria për ruajtjen e pasurisë Vakëfnore, mendojmë se është një iniciative e qëlluar, e cila kishte për të ndikuar dukshëm në ruajtjen e pasurisë vakefnore.

Intervista është huazuar nga revista “Dituria Islame” 144-155, qershor-korrik të vitit 2002.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit