-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pse ranë investimet e huaja pas pavarësisë?

Më të lexuarat

Që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, në vitin 2008, investimet e huaja në shtetin më të ri në Evropë, filluan për çdo vit të zvogëlohen.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, investimet e huaja ishin solide dhe udhëheqësit e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, por edhe ekspertë të ekonomisë, atëbotë, pengesë kryesore për mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, e konsideronin moszgjidhjen e statusit.

Por, zgjidhja e statusit të Kosovës, ka zhgënjyer investitorët ndërkombëtarë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë, thotë Bujar Dugolli, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë deri në janar të vitit 2008, kur, siç thotë ai, investimet e huaja kanë qenë në nivel të duhur.
 
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Dugolli tregon se para zgjidhjes së statusit të Kosovës, në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, kishin ndërtuar ligje dhe projekte të shumta që nxisnin investimet e huaja.
 
Mirëpo, Qeveria e re, pas pavarësisë, thotë Dugolli, nuk ka pasur qasje reale dhe nuk e ka ndjekur praktikën që ishte ndërtuar më herët sa i përket promovimit të investimit të huaja.
 
“Nuk ka pasur një qasje reale, pozitive apo mikpritëse në raport me investitorët e huaj pas shpalljes së pavarësisë dhe institucionet kompetente kanë qenë neglizhente. Dhe, të gjitha statistikat tregojnë se deri në vitin 2007 ka pasur ardhje të investitorëve të huaj dhe politikat kanë qenë më reale deri në pavarësinë e Kosovës”, thotë Dugolli.
 
Sidoqoftë, në vitin 2008, investimet e huajakanë qenë 355 milionë euro, kurse shtatë vjet më vonë, investimet janë përgjysmuar.
 
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës thuhet se bilanci i investimeve të huaja direkte në nëntëmujorin e vitit të kaluar, ka qenë 121. 7 milionë euro.
 
Por, Bujar Dugolli tregon se para shpalljes së pavarësisë, ka pasur një bashkëpunim më të madh me donatorët dhe me faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Sipas tij, në atë periudhë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte hapur zyrë për promovimin e investimeve të huaja në vende të ndryshme të Evropës, por edhe në Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyre këto që janë mbyllur nga ministritë pas pavarësisë së Kosovës.
 
“Donatorë ndërkombëtarë e ndihmonin promovimin e investimeve, sillnin investime të huaja në Kosovë. Edhe ajo e keqja që ndodhi që pasi u ndërruan strukturat udhëheqëse qeveritare, ministra të caktuar lëre që nuk e mbështetën funksionimin e këtyre zyrave që u bënë nga fondet ndërkombëtare, por i injoruan dhe as që i pritën në takime më. Dhe, kjo solli atë zhgënjimin e investitorëve të huaj dhe fajtore për të gjitha këto, janë institucionet e Kosovës”, deklaron Dugolli.
 
Pritjet se pavarësia do të rrisë interesimin e investitorëve të huaj për Kosovën, kanë qenë të gabuara, thotë Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës.
 
Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, megjithatë shprehet se edhe kriza globale ndërkombëtare mund të ketë ndikuar në uljen e investimeve të huaja.
 
“Unë besoj se ne kemi krijuar pritje të gabuara edhe atëherë se pavarësia është çelësi kryesor edhe për investimet e huaja, për shkak se investitorët e shohin ambientin biznesor në tërësi”.
 
“Në realitet, shtetësia e Kosovës ka pasur ndikimin e vet, në mënyrë që të rritet shkalla e sigurisë politike. Por, megjithatë shumë sfida kanë mbetur pas pavarësisë, përfshirë këtu sfidën më të madhe në tërheqjen e investimeve – sundimin e ligjit”, thekson Rukiqi.
 
Ndryshe, nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, investimet dhe donacionet e huaja vazhdimisht janë konsideruar si “shpëtimtare” për ndërtimin dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit. /REL/kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit