PSE QUHEMI “SHQIPTARË”
Nga Bukurosh Dylgjeri
Shkas i këtij shkrimi u bë im bir, nxënës në një shkollë 9-vjeçare i cili një pasdite teksa ishte duke mësuar tekstin e historisë së popullit tonë, krejt papritur më pyeti: – Babi, pse quhemi shqiptarë ne? U ndjeva ngushtë, nuk po dija si të përgjigjegja, diç mërmërita me gjysmë zëri dhe i thashë se do të përgjigjem më saktë ndonjë ditë tjetër. Në fakt, kemi mësuar në shkollë dhe më pas se në lashtësi vendasit që banonin me shumicë në gadishullin Ballkanik, pasardhës të të cilëve jemi ne shqiptarët e sotëm, quheshin ilirë (mendohet se e kemi zanafillën nga formacionet etnike të lashta ose pellazgjike!), ndërsa vendi ynë thirrej Iliri. Hapsira ilirike shtrihej nga Istria në perëndim e deri në lumin Tuna (Danubi) në lindje, si dhe vazhdonte poshtë në jug deri në malet e Pindit (Greqi) e kthehej në perëndim në Gjiun e Ambrakisë në detin Jon. Këtë dëshmi e japin shumë dijetarë dhe udhëpërshkues të huaj, antikë dhe të mëvonshëm (Ptolemeu, Plini, Polibi, Livi, Hierakli, Straboni, Halkokondili, Prokopi i Çezaresë, Anonimi i Ravenës, Itinerari i Antonit, Itinerari i Burdigales, Kristobuli, Hoxha Saddedin Efendi, Idris Tbilis, Haxhi Kallfa, Çelebi, Hahn, Durham etj.). Po kështu, qytetet e Ilirisë (Apollonia etj.) përmenden edhe në Bibël, kur bëhet fjalë për apostullin Pal i cili gjatë rrugëtimit të tij nëpër Europë për të predikuar krishtërimin, kaloi edhe nëpër vendin tonë (Veprat e Apostujve, 17:1). Hapsira ilirike u rrudh më pas nga dyndjet sllave në shekujt VI-VII e.s. dhe popullsia veriore e këtyre trevave u përzie dhe u asimilua me ta prej nga u krijuan kombi kroat, boshnjak, slloven, maqedon e pjesërisht edhe ai serb. “…Ilirët do të përmenden për herë të fundit në historinë kishtare në Euagrit në lidhje me luftën e Bizantit kundër avarëve në vitin 584…” (S.Anamali). Në vazhdimësi sot ne vetënjihemi me emrin shqiptarë dhe vendin tonë e quajmë Shqipni-Shqipëri, ndërkohë që të huajt atdheun tonë e cilësuan Albanoi (Plini), apo Arbanon, Arbëri dhe ne na quajtën: arbanë, arbnesh, arbanas, albanë (ndoshta për shkak të emrit që mbanin fiset që banonin nga Durrësi deri në Dibër, ose nën Shkodër). Ndërkohë që të tjerë të huaj përdorin shprehje derivate të këtij termi si albanci, albanezi, alvanikos, arnautë etj.. Sipas dokumentave kishtare të vjetra del se popullsia albanofone emërtohej etnikisht sipas fesë dhe në varësi të pushtetit politiko-fetar të sundimtarëve të kohës, pra latin për katolikun, grek për orthodoksin, bullgarë për ata që ishin nën sundimin bullgar, apo dhe vlleh(!) për ata që ishin blegtorë. Në periudha të caktuara të kësaj kohe nga të huajt u përdorën për këtë popullsi edhe termat ilirë, romaios, makedonë, epirotë etj. Kjo ishte gjendja deri para pushtimit osman i cili siç do të rezultojë, do ta ndërpresë sllavizimin dhe greqizimin e mëtejshëm të arbërve.
Por pse gjithë këto emra, kur ka ndodhur kalimi nga një term i caktuar etnogjeografik tek një tjetër, për çfarë shkaqesh… janë pyetje që kërkojnë me u ndal gjatë. Siç shihet edhe më lart, kalimi i emrit nga ilirë në arbën, arbër mendohet se u bë në Mesjetën e herëshme. Të dyja trajtat: arbnesh apo alban për popullsinë albanofone fillimisht janë dokumentuar nga autorët bizantinë Mihal Ataliati dhe Ana Komnena në shek.XI. (Hist.Shqipërisë, Vol.I, 1967,fq.153).
Në këtë periudhë të Mesjetës vihet re se shumë bujarë arbër të kësaj kohe kishin lidhje të shumta martesore me familjet orthodokse sllave dhe bizantine të të njëjtin rang dhe mbiemrit të tyre origjinal këta fisnikë i shtonin edhe mbiemrat e krushqive që bënin. Kështu psh Aranitët mbanin mbiemrin Golem-Komnen-Topia, familja e Kastriotëve kishte lidhje martesore me një familje bujare sllave nga Pollogu afër Tetovës, Balsha II kishte grua Helenën që ishte e bija e car Lazarit të Serbisë, mungesa e alfabetit shqip, si dhe nën presionin e pushteteteve politikë të huaj njerëzit e thjeshtë krahas emrave origjinalë arbër mbanin edhe emra e mbiemra me sufiksë sllavë ose krejt sllavë, apo grekë etj. Pra, mendoj se lidhja e martesave të këtij lloji, përdorimi i antroponimeve sllavë, latinë apo bizantinë nga arbërit, besimi fetar kristian i përciptë dhe lënia e tyre jashtë prej historiografisë bizantine të jepte përshtypjen e një populli pa identitet. Një kronist bizantin i fundshekullit XIV, jo pa qëllim, për të përcaktuar përkatësinë etnike të një fisniku arbër, përdori termin e përçudnuar “servo-arvanito-vullgaro-vllah“! Për mendimin tim, tre ishin shkaqet e kësaj tollovije të etnosit albanofon në këtë periudhë të mugët të Mesjetës: mungesa e onomastikës tonë unitare kombëtare, mungesa e klasës së formuar feudale dhe mungesa e kishës tonë kombëtare, siç i kishin fqinjët përreth.
Por, qëllimi i këtij shkrimi është që të përqëndrohemi shkurtimisht vetëm te rasti i fundit, ai i kalimit nga arbën, arbër në shqiptarë, fakt të cilin tekstet tona të historisë dhe të gjuhësisë historike e anashkalojnë dhe nuk japin fare asnjë të dhënë. Ja sa thuhet për këtë çështje në “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipërisë, autor Rrok Zojzi, fq..507. “…Formimi i kombit shqiptar u shpreh edhe me emrin e përbashkët “shqiptar” për popullin e “Shqipni” për vendin, që shkoi duke mbuluar emrat e krahinave të veçanta. Nuk dihet se kur filloi të përdoret për herë të parë emri shqiptar për gjithë popullin shqiptar; në literaturë ndeshet për të parën herë në vitin 1766 tek Zmajçeviçi në veri dhe më 1774 te Thunmani në jug. Emrat e rinj u përgjithësuan që në fillim të shek. XIX dhe janë shprehje e zhvillimit kombëtar të popullit tonë…“. Asgjë më shumë.
Parë sa më sipër, rezulton se ky emërtim i ri pra, shqip për gjuhën, shqiptarë për popullin dhe Shqipni-Shqipëri për vendin, duhet të ketë ndodhur aty kah messhekulli i XVII deri në shekullin e XVIII. Në veprën studimore Antologji Historike, (botim i “SEIKO”, 2001, fq.120) autori Mustafa Kruja jep një fakt interesant duke na rrëfyer se i fundmi komunitet arbërish që janë larguar nga trungu amë (krahina e Krajës, sot në Malin e Zi) në vitin 1726 e që përdor ende fjalën arbnesh për identifikim etnik, janë shqiptarët e vendosur në Borgo Erizzo pranë Zarës në Kroaci. Pra, para 283 vjetësh. Më tutje, fjala arbnesh, arbëresh ndër banorët e të 4 Vilajeteve shqiptare është shuar, nuk përdoret më dhe është zëvendsuar me fjalën: shqiptar. Sipas autorit, shkaqet që çuan në këtë ndryshim termi ishin të thella dhe kishin të bënin me ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe kompaktësinë territoriale nën një realitet të ri, që do të thotë se është koha kur arbërit masivisht filluan me ndërrue fenë. Nëse çështja trajtohet në kontekstin etimologjik dhe kronologjik, ky ndryshim emri përputhet vërtetë me kohën kur duke iu referuar regjistrave osmanë për popullsinë (tahrir defterleri), arbërit me shumicë filluan të konvertohen valë-valë nga të krishterë në myslimanë (ndonëse paria feudale dhe popullsia e qyteteve kishin nisur më herët islamizimin). Sipas autorit të mësipërm M.Kruja, ky përdorim i ri i termit përcaktues etnogjeografik u bë për të shmangur dasitë e reja fetare dhe lindjen e konflikteve të mundëshme. Pra, lindi emri i ri: shqip, shqiptarë dhe Shqipni-Shqipëri. Por, nuk jepen shpiegime bindëse. Megjithatë, kemi përpara një gjë tepër interesante, dallohet qartë se me konvertimin konfesional, populli ynë filloi të përdorë emrat: shqip, shqiptarë dhe Shqipni-Shqipëri. Mirëpo, ky korrelacion i ndërrimit të fesë dhe ndërrimit të emrit kombëtar njëkohësisht nuk ishte krejt rastësor.
Me të drejtë lindin pyetjet, pse u kthyen arbërit nga të krishterë në myslimanë gati 300 vjet pasi kishte përfunduar pushtimi osman; pse ky kthim nuk u krye që në fillim të pushtimit, pse kthimi nuk qe i përgjithshëm dhe i menjëhershëm ashtu siç vepruan bogumilët e Bosnjës? (e quajtur lëvizje heretike antifeudale, antikatolike-hungareze dhe antiorthodokse-sllave njëkohësisht). Pse nuk e ndërruan fenë edhe grekët, serbët, bullgarët, polakët, hungarezët, armenët etj. të cilët ishin nën të njëjtat kushte si edhe ne? A mundet që dhuna ushtarako-ekonomike osmane ishte më e madhe tek ne dhe më e vogël te fqinjët; si shpiegohet që grupe të mëdha të popullsisë në brendësi të vendit e ruajtën fenë e parë (Himara, Myzeqeja, Shpati, Mirdita, Malësia e Veriut etj.); çfarë mënxyre parandjenë arbërit saqë u shtrënguan me “tradhtue” besimin e parë; nga kush kërcënoheshin; dhe a u tjetërsua geni arbër me kthimin në fenë e re, gjuha, psikika, tradita, toponimia, ritet e lashta, mënyra e jetesës, kultura shpirtërore në përgjithësi?
Le t’i gjykojmë gjërat me radhë. Bash në këtë kohë zhvillimet politiko-ushtarake përreth hapsirave me popullsi autoktone albanofone në Ballkanin Jug-Perëndimor, po lëviznin me shpejtësi dhe kahje jo të favorëshme për ta. Kjo situatë duhet të ketë pasur pa dyshim ndikim absolut në vetëpagëzimin me emrin: shqiptar. Kështu, pas humbjes në Luftën e Krimesë me rusët, Perandoria Osmane u detyrua të firmosë më datë 21 korrik 1774 dokumentin më fatzi të historisë së saj, Traktatin e Kyçyk Kajnarxhasë në të cilin Sulltan Mustafai III (mbretëroi 1757-1774) u bëri lëshime të shumta rusëve. (Hist.Perandorisë Osmane….., botim i ” Jehona Study Center “, 2006, autor S.J.Shaw, fq.301). Me anë të kësaj marrëveshje perandoresha Ekaterina e Rusisë përveç përfitimeve territoriale në kurriz të osmanëve mori edhe rolin e mbrojtjes së orthodoksëve në Ballkan në të cilin bënin pjesë edhe shumica e arbërve, që më herët kishin qenë pjesë e Bizantit për afro 6 shekuj. Në të njëjtën kohë dhe në po atë linjë fanariotët grekë shpallën se të gjithë orthodoksët që jetojnë nën sulltanin “duhet të jenë grekë“(!), kurse serbët e paraqitën Kosovën si me qenë “djepi i trashëgimisë së tyre historike“(!). Ata shkuan edhe më tej duke përpunuar programe politike antishqiptare siç ishin Naçertanja serbe dhe Megaliidhea greke. Haptas synohej gllabërimi i trojeve me popullsi albanofone që atbotë banonte në pellgun adriatiko-ballkanik prej Tivarit deri në Prevezë në një sipërfaqe afro 100.000 km kuadrat. Referuar kohës dhe hapsirës kur zhvilloheshin këto ngjarje, arbërit pra, ishin të përfshirë pa dashje në këtë qerthull kobzi për ta. E në këto kushte, mendohet se të trembur nga ky ekspansion pansllav në tërësi, nga presioni asimilues e kontinuitiv i fqinjëve sllavo-orthodoksë për fat të keq me të njëjtin besim fetar e që e rrethonin në tre anë të horizontit në veçanti, si dhe mungesa e aleatëve të fuqishëm bëri që instikti i vetëmbrojtjes ta shtyjë shumicën e arbërve të përqafojnë vullnetarisht fenë e pushtuesit osman, fenë Islame. Ishin pikërisht banorët e rajoneve kufitare më të ekspozuarit e për pasojë më të rrezikuarit ndaj rrezikut sllavo-bizantin, që u konvertuan të parët në myslimanë dhe krijuan si të thuash një “kordon sanitar”. Këtë të vërtetë e pranon edhe studiuesi ynë Aleks Buda i cili konstaton: “Proceseve të serbizimit dhe greqizimit iu kundërvu deri diku islamizimi i një pjese të popullsisë shqiptare, ndërsa vazhduan deri vonë për pjesën tjetër të mbetur e krishterë” (Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipërisë, fq.38). Këtë ide e përforcon edhe tradita jonë gojore dhe veçanërisht Eposi Shqiptar i Kreshnikëve i cili është tërësisht antisllav dhe aspak antiosman.
Dhuna dhe metodat barbare që kishin nisur me kohë serbo-sllavët për zbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre ishin të përbindshme. Kjo dëshmohet edhe në Kanunin e perandorit serb Stefan Dushan i cili që në kohën e mbretërimit të tij (mbret 1331-1342 dhe perandor 1345-1355) shpalli sllavizimin e orthodoksizimin e të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera. Në Nenin Nr.10 të këtij Kanuni famëkeq thuhet: “Dhe në qoftë se ndodh që ndonjë heretik (joorthodoks) të jetojë mes pravosllavëve, të damkoset me hekur të skuqur në fytyrë dhe të përzihet, e nëqoftëse gjendet dikush që i jep strehim, edhe ai të damkoset”. – (Zakonik Stefana Dušana, autor Stojan Novaković).
Për fat të keq, koha-kjo aleate besnike e drejtësisë vërtetoi pse arbërit patën të drejtë që u ndjenë të friguem. Meqenëse asimilimi “paqësor” i tyre që kish filluar kah motit tash me kthimin në fenë Islame u ndal, ahere në skenë u thirrën ushtritë sllavo-orthodokse të bekuara nga kishat e tyre shoviniste, të cilat ndërmorën fushata masive vrasjesh, djegie të banesave, shkatërrim të pronave dhe shpërnguljen me forcë të shqiptarëve drejt Turqisë duke i paraqitur këta sikur të ishin myslimanë turq. Sipas historianit amerikan Justin McCarthy, pansllavistët rusë, serbë, bullgarë, grekë, malazezë dhe armenë brenda një shekulli (1821-1922) vranë, masakruan si dhe dëbuan prej shtëpive mbi 10 milion myslimanë (shqiptarë, turq, boshnjakë, çerkezë, kurdë etj). nga ky genocid u vranë 5.060.000 burra, gra e fëmijë, ndërsa 5.381.000 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë. (”Death and exile- the ethnic cleansing of Ottoman Muslims, 1821-1922″.-The Darwin Press, New Jersy 1995″, evidentuar nga historiani Skënder Riza në botimin “Kosova në shekujt…“).
Me kthimin në fenë e re Islame, shqiptarët u distancuan përfundimisht nga fqinjët e tyre agresivë orthodoksë dhe me vetëpagëzimin e ri, shqip për gjuhën, shqiptarë për veten dhe Shqipni-Shqipëri për vendin, ata u distancuan njëkohësisht edhe nga popujt e Lindjes që më së shumti e përbënin perandorinë Osmane.
Kjo ishte si një mrekulli hyjnore. U njësua kështu nën të njëjtin emër kompaktësia etnike dhe gjeografike shqiptare. Megjithatë, ndonëse shumica dërrmuese e shqiptarëve u kthyen në myslimanë ndjenja nacionale ishte aq e fortë tek ata sa që këtë të vërtetë e kanë dalluar me habi edhe shumë udhëtarë apo konsuj europianë të kohës që kalonin nëpër Rumeli. Kur këta të huaj pyetnin banorët e rajoneve të ndryshme se çfarë jeni, përgjigja ishte sipas përkatësisë fetare dhe vetëm shqiptarët, pavarësisht nga besimi fetar, përgjigjeshin sipas përkatësisë kombëtare. Po kështu, midis shqiptarëve, tash e tutje me besime të ndryshme nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur kurrë as edhe një e vetme Natë Shën Bartolome.
Nën këtë emër të ri gjithpërfshirës, pjesë të veçanta të trojeve nga trungu albanofon që njiheshin më herët me toponimet antikë e mesjetarë si Dardania, Maqedonia, Arbëria dhe Epiri, tash do të vihen në heshtje paqësisht.
Ndërkohë, dihet se fise të tëra arbërish që banonin në veri dhe pikërisht në territoret ku sot janë Mali i Zi, Serbia dhe F.Y.R.O.M. (Maqedonia) e që nuk u konvertuan në myslimanë, u sllavizuan përfundimisht. Është i njohur koncepti mesjetar osman, por edhe europian i kohës sipas të cilit: e kujt ishte kisha, e atij ishte edhe kombësia që ndiqte atë fe. Fatkeqsisht kjo ndodhi edhe me popullsinë shqiptare të Çamërisë në fund të Luftës II Botërore, ku çamët myslimanë u masakruan dhe u deportuan dhunshëm drejt Shqipërisë ndërsa vëllezërit e tyre me besim orthodoks u mbajtën në Greqi, por u greqizuan dhe pothuajse nuk njihen më si shqiptarë.
Por, le të kthehemi te qëllimi i këtij shkrimi dhe të shohim, kush e vendosi emrin e ri shqiptar, ç’përfaqson ky emër, nga e ka prejardhjen…?
Natyrisht ky term nuk u shpik, nuk u planifikua dhe aq më pak nuk u “importua” nga jashtë prej ndonjë propagande proshqiptare. Meritë e këtij termi universal, etno-kulturor-gjeografik të kombit tonë është
vetë mendja e gjeniut shqiptar.
Sipas studiuesit M. Pirraku (Përmbledhje studimesh, botim i “Genelek”, 2003, fq.80) thuhet se vallja e emrit të ri për gjuhën, popullin dhe vendin, nisi nga vendet e Dardanisë-Peonisë antike dhe pikërisht nga trevat albanofone midis Nishit-Limit-Malet e Sharrit-Matit-Dibrës-Strugës-Shtipit e Kumanovës, me epiqendër në viset e qytetit të Shkupit, që në shkencën gjuhësore konsiderohen si djepi i gjuhës shqipe, fazë moderne e ilirishtes dhe e popullit shqiptar historik pasilirian. Në vazhdim ky autor shkruan se emri i ri për popullin, emri kombëtar, duhej të ishte emër i një popullsie dardano-ilire i periudhës parakrishtere dhe pikërisht emri i popullsisë që jeton midis Qafës së Prushit dhe poshtë nën qytetin e Shkupit, banorët e të cilës Plini i lashtësisë i shënoi si skirtarë, kurse aleksandrini Ptoleme i quajti skyrtonë. Emri i ri mund të ishte edhe shumësi i banorëve të Shkupit: shkuptarë, shkyptarë, shqyptarë, shqiptarë; lidhje më e thellë me emrin e shpendit totem ose Orë dardano-ilire; shqype, shqipe. Në këtë përfundim arrin edhe studiuesi ynë E.Çabej i cili shkruan: “Brenda kësaj treve, ndër të tjera Naissus-Nish, Scupi-Shkup e Astibos-Shtip dëshmojnë që Dardania bashkë me viset kufitare të Maqedonisë e të Peonisë bëjnë pjesë në territorin e formimit të shqipes“.
Dhe nuk është çudi, pasi edhe albanologu i shquar austriak Norbert Jokl mbas studimesh të shumta albanologjike arrin në përfundimin se: djepi i lashtë i shqiptarëve në Ballkan ka qenë Dardania. (Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipërisë, fq.43, nga E. Çabej referuar Eberts Reallexikon der Vorgeschichte I,1924).
Çuditërisht, edhe turqit osmanë e quajtën qytetin e Shkupit: Ysqyp, që kur artikulohet është shumë i ngjashëm me hipotezën e mësipërme, ku baza ose rrënja e kësaj fjale është sqyp, shqyp, shqip.
Në përfundim, mendoj se ky shkrim do të ndihmojë sado pak në shtjellimin dhe përcaktimin e saktë të prejardhjes së fjalëve: shqip, shqiptar dhe Shqipni-Shqipëri.. Është e drejta e gjuhëtarëve dhe historianëve tanë që të merren me këtë çështje dhe të vendosin të vërtetën përfundimisht në tekstet e historisë tonë, veçanërisht sot kur që prej 19 vjetëve nuk ka më diktat dhe mungesë të lirive intelektuale.
BUKUROSH Z. DYLGJERI Historian