0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pse Najada?

Më të lexuarat

ERGYS MËRTIRI

Najada Çomo nuk ka spikatur për ndonjë arritje profesionale. Askush nuk e përmend për ndonjë vlerë të veçantë si mjeke, apo për ndonjë mbresë te pacientët në raste kritike. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e aftë si shefe, e aftë jo për të përmbushur detyrën duke ofruar një produkt në dobi të qytetarëve, por për të plotësuar nevojën e dëshpëruar të qeverisë për të fshehur problemet e për të fabrikuar një panoramë pas së cilës të fshihet. Znj. Çomo ka punuar fort në këtë drejtim. Ajo është investuar fuqishëm në fabulën që qeveria ka krijuar për pandeminë, duke u vetëprojektuar në një rol protagonisti në serialin kinematografik të ERTV-së mbi këtë çështje.

Sigurisht, ka plot mjekë që kanë sakrifikuar vërtet shumë në këtë histori. Por jo të gjithë kanë mundësinë dhe aftësinë që ta konvertojnë punën e tyre në imazh publik. Drejtoresha, jo vetëm që ka ditur ta bëjë këtë mjaft mirë, por madje ka arritur të kapitalizojë edhe sakrificat e të tjerëve, e impostuar mediatikisht si komandante e “vijës së parëë” të frontit kundër “armikut të padukshëm”, pa harruar këtu modestinë për ta bashkëndarë kapitalin e saj personal me qeverinë, së cilës i duhet kaluar patjetër pjesa më e madhe e meritave.

Znj. Çomo ka ditur gjithashtu të shtrëngojë me dorë të hekurt gjuhët e vartësve të saj “heronj”, për të mos nxjerrë në publik asgjë që dëmton qeverinë, në një kohë kur mosbesimi te sistemi shëndetësor është në nivele dramatike: asnjë ankesë, asnjë problem, asnjë informacion. Për muaj me radhë terri informativ dhe mungesa e plotë e transparencës u zëvendësuan me videoklipe raportimesh e kronikash që transmetonin plot patos e solemnitet “soap opera”-n e qeverisë, ku heronjtë bluzëbardhë përleshen si titanë me vdekjen, me kurajë, durim, përkushtim, në një shërbim spitalor të avancuar e modernizuar ku, nga pamjet, ke qejf të kurohesh.

Jo vetëm kaq, por zonja në fjalë ka punuar mirë për t’i vënë “heronjtë” në rresht para Kryeministrit sa herë që ai dukej në spital për videoklipet e veta. Gjithashtu, ajo është treguar e përkushtuar edhe në cilësinë e anëtares së Komitetit të Ekspertëve, duke miratuar pa hezitim çdo vendim të qeverisë e duke mbrojtur më pas në publik gjithçka, sado e pambrojtshme qoftë.

Madje ajo është vetofruar edhe në frontin e vërtetë, atë kundër “armikut të dukshëm”, duke sulmuar opozitën, për gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me detyrën e saj. Ajo nuk ngurroi të vendosë fytyrën e saj as kur u denoncua fshehja e numrit të vdekjeve, duke e shfaqur problemin sikur gjithçka ishte në përgjegjësi të spitalit. Duke shërbyer si truprojë, ajo është hedhur mbi qeverinë për të marrë mbi trupin e saj shigjetat e akuzave që kanë shenjestruar Kryeministrin. Natyrisht që do shpërblehet për të gjitha këto.

Por përtej të gjithave, Najada Çomo ka profilin tipik që i intereson Ramës për vetë mënyrën se si ai qeveris, të cilin e gjejmë te pjesa më e madhe e ministrave të tij. Prej kohësh ai tashmë qeveris me njerëz jopolitikë e joprofesionistë, të cilët kanë disa veti të thjeshta, por të arta, për atë çfarë atij i nevojitet: janë të bindur, të nënshtruar, të përkushtuar, të gatshëm për të zbatuar çdo urdhër sado të papranueshëm, si dhe të përshtatshëm për të ofruar një imazh në vitrinën e kukullave me kurdisje të qeverisjes. Pra Rama kërkon të rrethohet nga burokratë, pa profil politik dhe pa skrupuj profesionalë, nëpërmjet të cilëve ai përmbush të gjitha tekat dhe nevojat e tij publike.

Nga ana tjetër, politikën e vërtetë, atë të magazinimit të parave dhe votave, ai e bën me ortakët realë nga bota e oligarkisë, me të cilët ndan tortën e pushtetit, si dhe me të fortë lokalë nga bota e krimit, nëpërmjet të cilëve organizon armatën e çunave problematikë për maksimalizimin e votës. Një pjesë të këtyre të fundit Rama nuk ka ngurruar t‘i përfshijë në Parlament në këto 8 vjet dhe shihet që po i shton në këto zgjedhje. Pra, dy modelet e kandidatëve tipikë me të cilët ai po shkon në zgjedhje ndahen midis këtyre dy kategorive: kukullave burokratike dhe gangsterëve politikë. Najada i duhet për të plotësuar kolorin e kategorisë së parë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit