1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Pse “marrëveshjet e shekullit” nuk mund të bazohen në shkëmbimin e territoreve?

Më të lexuarat

Nga Dr.Arben RAMKAJ

Donald Trump garoi 4 vite më parë si president i SHBA-së, duke vlerësuar lart tek vetja një tipar kryesor: aftësinë për të bërë marrëveshje (a deal-maker). Këtë e bazoi tek dhjetra marrëveshje të arritura gjatë karrierës së gjatë si sipërmarrës. Me këtë qasje, ai kritikoi presidentët e mëparshëm amerikanë lidhur me dështimet në politikën e jashtme dhe luftërat e pambarimta ku ishte zhytur Amerika. Ai u premtoi amerikanëve se do të kishte sukses aty ku kishin dështuar të tjerët para tij. Pra në zgjidhjen e konfliktit të vjetër izraelito-palestinez, denuklearizimin e Koresë së Veriut, apo nënshkrimin e një marrëveshjeje të re me Iranin, që të përmbajë kufizime më të rrepta mbi programin e tij bërthamor. Përpjekjet në këto fronte nuk munguan, por rezultatet ende janë larg nga të qenit të suksesshme.

Dy samite realisht historike me kreun komunist të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në fund nuk prodhuan asgjë konkrete, përveç uljes së toneve të ashpra dhe retorikës kërcënuese mes Phenianit dhe Uashingtonit. Strategjia e “presionit maksimal” e administratës Trump ndaj Iranit e ka dobësuar më tej ekonominë e regjimit atje dhe pakënaqësia e rritur popullore ka shkaktuar disa valë protestash të shtypura sërish me luftë. Por nga ana tjetër, kjo vetëm sa ka forcuar pozitat e linjës më konservatore të regjimit në Teheran, sidomos pas eleminimit të gjeneralit Qassam Soleimanit, diçka që rezultoi me fitoren e konsevatorëve ne zgjedhjet e fundit parlamentare, duke mos ofruar asnjë perspektivë në horizont të bisedimeve të afërta për rishikimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që pavarësisht daljes së SHBA-së, mbetet zyrtarisht ende në fuqi.

Për shumë arsye, por kryesisht të natyrës elektorale, basti më i madh i Trumpit është ajo që është quajtur prej tij me eufemizëm “Marrëveshja e Shekullit”, pra pakti historik që supozohet se do të garantojë një paqe të qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës. Për këtë çështje administrata Trump është angazhuar që prej 3 vitesh, derisa më 28 janar të këtij viti projekt-marrëveshja u prezantua me pompozitet në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Komuniteti izraelit në SHBA është me influence në financa dhe për pasojë edhe në vota, që presidenti trump Trump i shikon si pjesë e natyrshme elektorale për të garantuar rizgjedhjen në detyrë, në kushtet kur përballë mund të ketë rivalin demokrat Bernie Sanders, që me politikat e tij sociale po tërheq mbështetjen masive sidomos të të rinjve dhe emigrantëve. Propozimi kryesor në këtë draft është që SHBA-ja do të njohë sovranitetin e Izraelit mbi territorin që plani i zotit Trump parashikon të jetë pjesë e Izraelit. Dhe plani përfshin një hartë konceptuale për të cilin Trump tha më 28 janar se ilustron kompromiset territoriale që Izraeli është i gatshëm të bëjë.

Presidenti amerikan pretendon se harta e dyfishon territorin palestinez dhe siguron një kryeqytet palestinez në Jeruzalemin Lindor, kryesisht në pjesën e tij historike, ku SHBA- ja do të çelë edhe ambasadën e saj në shtetin e ri. Marrëveshja shoqërohet me një paketë të madhe ndihme prej 50 miliardë dollarësh nga e cila do të përfitojnë më së shumti territoret e varfëra palestineze. Kjo është konstestuar ashpër nga palestinezët, shumica e botës arabe, Bashkimi Europian, OKB-ja dhe së fundmi edhe nga vetë Papa Françesku.

Kontestimet janë të shumta, por ato rrjedhin kryesisht nga fakti se marrëveshja është e konsultuar vetëm me njërën palë, atë izralite, teksa nuk merr parasysh shumë nga kërkesat historike të popullit palestinez. Mbi të gjitha shumë analiza që i janë bërë deri më tani propozimeve, e vënë theksin tek fakti që “marrëveshja e shekullit” nuk garanton njohjen e menjëhershme të shtetit të ri palestinez. Kundërshtitë janë të forta dhe vështirësisht të kapërcyeshme.

Paralelisht, SHBA-ja po punon prej gati dy vitesh për arritjen e një marrëveshjeje historike mes Serbisë dhe Kosovës që do t’i japë fund armiqësisë shekullore dhe do të shoqërohet me njohjen reciproke midis dy shteteve, si dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Publiku ka shumë pak informacione se si do të arrihet kjo. Ndërsa në rastin e parë është ofruar zyrtarisht “Marrëveshja e Shekullit”, në të dytin kemi kryesisht spekullime që janë hedhur nga media të ndryshme, deri në nivelin e projekttraktateve për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës.

Rregullime territoriale propozohen edhe midis Izraelit dhe Palestinës ndaj marrëveshja e mundshme Kosovë-Serbi mund shihet jo vetëm si një dokument që do t’i garantojë njohjen dypaleshe, por edhe si një alibi që Uashingtoni e përdor për të zhdramatizuar atë që po propozon të ndryshojë në Lindjen e Mesme dhe që do të kishte me siguri pasoja të rënda. Flas për alibi, pasi nuk mund të hiqen kurrësesi paralele, në kushtet kur konteksti historik, kulturor dhe gjeopolitik është tërësisht i ndryshëm.

Ashtu si me “Marrëveshjen e Shekullit”, edhe marrëveshja Kosovë-Serbi bart nga pas premtime amerikane për investime të mëdha në të dyja vendet. Paratë në biznes mund të zgjidhin shumë probleme, por jo gjithmonë ofrojne stabilitet territorial. Europianët e përvëluar jo rrallë nga zjarret e nacionalizmave, e dinë mirë se shkëmbimet territoriale janë një lojë e rrezikshme që mund të hapin “Kutinë e Pandorës”.

Nëse Kosova pranon t’i japë Serbisë veriun e Mitrovicës dhe të marrë Luginën e Preshevës në këmbim të njohjes së pavarësisë, serbët e Bosnjes do të kërkonin brenda vitit shkëputjen nga federata dhe bashkimin me Serbinë. Pozita e shqiptarëve në Maqedoni është dukshëm më e përmirësuar nën qeverinë e socialdemokratit Zoran Zaev. Por, nëse në pushtet rikthehen nacionalistët maqedonas të VMRO-DPMNE, debatet e dikurshme mund të rikthehen përsëri në horizont. Ndërkohë, Bullgaria mund të pretendojë pjesën e mbetur të Maqedonisë Lindore.

Pra, vatrat konfliktuale që mund të ndizen janë të shumta. Në një pikëpamje pragmatike dhe nacionaliste, shqiptarët janë ndër më të interesuarit nga ndryshimi i kufijve. Pasi duke qenë më të sakatuarit e Konferencës së 1913-ës, nuk kanë asgjë më shumë për të humbur, përveçse për të fituar. Megjithatë kostot në tërësi do të ishin tepër të larta, dhe rajonit do t’i duheshin dekada për t’u stabilizuar. Kjo është arsyeja pse kancelarja gjermane Angela Merkel ka qenë që prej verës së kaluar e prerë kundër ideve të tilla, që u përkrahën publikisht nga presidenti serb Alekandër Vuçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi. Të njëjtin qëndrim Merkel e përsëriti edhe të premten. Ajo tha se mbështet vendimin e kryministrit të ri të Kosovës Albin Kurti, për një reduktim dhe jo heqje të menjëhershme të tarifës tregtare me Serbinë, në pritje të reagimit të kësaj të fundit, ndaj kërkesës për ndalimin e fushatës së Beogradit kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, në një intervistë për Euronews, Albin Kurti është shprehur së fundmi se shkëmbimi i territoreve mund të nxisë më shumë konflikte sesa të ofrojë paqe. “Të gjitha projektet e ngjashme në të kaluarën kanë dështuar dhe do të dështojnë në të ardhmen, por veçanërisht tani që në pushtet jemi ne.Shkëmbimet territoriale, janë receta për të nxitur më shumë konflikte dhe jo për paqen për të cilën kemi nevojë”- tha ai. Deklarata e tij, mund të lexohet edhe si një reagim i fortë ndaj qëndrimit të të dërguarit special të presidentit Trump për Ballkanin, Richard Grenell, që këmbënguli mbrëmjen e të enjtes në heqjen 100 për qind të tarifave me Serbinë. Ai madje e shtoi dozën e presionit, duke u shprehur se “Kurti po bënte një gabim serioz”.

Deklarata e tij në Twitter pasqyron sigurisht emergjencën që ndien tashmë administrata Trump për të përmbyllur të paktën njërën nga marrëveshjet përpara zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 3 nëntor. Pas lëvizjes së fundit, Kurti pati çuditërisht më shumë mbështetje në Berlin sesa nga aleati i tij në koalicion, kreu i LDK-së Isa Mustafa, që iu bashkua ashtu si presidenti Thaçi dhe partia kryesore opozitare PDK, qëndrimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë. Nisur nga përplasja Haradinaj-Rama mbi çështjen e taksës ndaj Serbisë, merret me mend edhe qëndrimi i Tiranës zyrtare në këto momente. Por ajo që kërcet më shumë, është heshtja e qeverisë shqiptare lidhur me çështjen e negocimit të supozuar të ndryshimit të kufijve.

Qytetarët shqiptarë e kanë sot të lehtë t’i besojnë, apo edhe t’i frikësohen çdo lloj spekulimi, teksa asnjë zyrtar nuk del të shpjegojë publikisht, nëse do të ndodhin realisht këto shkëmbime, apo se çfarë pasojash do të sjellin ato. Dhe kjo nuk duhet bërë mbi bazë hamendësimesh, por mbi bazën e shpjegimeve mbi informacione që duhen kërkuar nga Uashingtoni.

Në demokraci, dhe nëse duam vërtet që të shmangen konflikte të reja në Ballkan, shkëmbimet territoriale duhet të diktohen tashmë nga vullnetet e popujve dhe jo vetëm nga ato të liderëve. Dymbëdhjetë vite pas pavarësisë të Kosovës, në Beograd ideja e shkëmbimit të kufijve ka natyrshëm më shumë mbështetës, pasi vjen me perspektivën e zgjerimit të kufijve në perëndim, me të ashtuquajturën Republiksa Sprska në Bosnje. Është kjo arsyeja pse ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, deklaroi pak kohë më parë se diaspora serbe në SHBA do të angazhohej maksimalisht për të mbështetur Donald Trump-in në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke argumentuar që komuniteti shqiptar atje ka votuar kongresmenin Engel, i cili që prej janarit të 2019-ës është edhe Kryetari i Dhomës së Komisionit të Punëve të Jashtme.

Për simetri, nuk duhet domosdoshmërisht që shqiptarët të pozicionohen në kahun e kundërt. Pavarësisht se cili krah politik e udhëheq SHBA-në, miku më i madh i shqiptarëve janë SHBA që nga koha e presidentit Widrow Wilson. Dhe Amerika vijon që të jetë sot në ballë të reformave të guximshme që po tentohen të ndërmerren në fushën e sundimit të ligjit. Llogaritë se çfarë humbim apo fitojmë ne shqiptarët nga kjo lloj marrëveshje KosovëSerbi që po propozohet u takojnë ekspertëve dhe politikanëve. Por sigurisht në fund duhet të ketë transparencë, dhe fjala e fundit t’i takojë sovranit, prej nga ku në çdo shtet demokratik burojnë të gjitha pushtetet që ushtrohen sot nga liderët lokalë, rajonalë apo botërorë. /tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit