0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Pse Marina Ruse po e teston Perëndimin në Detin e Zi dhe Mesdhe?

Më të lexuarat

Nga James Holmes, 19FortyFive

Dy javët e fundit në Detin e Zi dhe Mesdheun Lindor, janë zhvilluar disa manovra të rëndësishme. Aktualisht forcat detare që përfaqësojnë 32 vende, po kryejnë stërvitjen “Flladi i Detit 2021”, një ngjarje vjetore e bashkë-organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

Sipas një deklarate për mediat të Marinës Amerikane “stërvitja e këtij viti shoqërohet me numrin më të madh të kombeve pjesëmarrëse, me 32 vende nga 6 kontinente, duke bërë bashkë 5.000 trupa, 32 anije, 40 avionë,dhe realizuar 18 operacione speciale”.

Ndërkohë, Marina dhe Forcat Ajrore të Rusisë po tregojnë “muskujt” e tyre, jo vetëm në pellgun e Detit të Zi por edhe në Detin Mesdhe, ku aeroplanmbajtësja britanike“HMS Queen Elizabeth” dhe krahu i saj ajror po kryejnë operacione luftarake kundër pozicioneve në Siri, para se të vazhdojnë stërvitjet në Detin e Kuq, Oqeanin Indian dhe Paqësori Perëndimor. Avionët e armatosur rusë, po mbajnë nën vëzhgim flotën britanike.

Po si duhet kuptuar ky aktivitet kaq intensiv i palëve në ajër dhe det?

Unë shoh 4 shpjegime kryesore. Së pari, një mënyrë për të interpretuar stërvitjet ushtarake detare, është tregimi i i forcës dhe vendosmërisë që synon formësimin e mendimit tek audiencat e ndryshme, të huaja dhe të brendshme.

Duke treguar aftësitë ushtarake në kohë paqeje, një rival përpiqet ta portretizojë veten si fituesi i mundshëm në rastin e një konflikti të nxehtë. Edhe rivalët e tjerë, japin shfaqjen e tyre të forcës.

Ky procesi i ngjan një “debati të armatosur”, i përbërë nga deklarata dhe kundërdeklarata.

Janë audiencat e synuara, ato që gjykojnë rezultatin e debatit. Sa herë që një masë kritike analistësh beson se do të fitojë një takim gjatë luftës, ata besojnë se do të“fitojë”edhe një takim në kohë paqeje siç është ai që po zhvillohet aktualisht në Detin e Zi dhe Mesdhe.

Këta vëzhgues, mund të jenë ekspertë në çështjet ushtarake ose jo, por verdikti i tyre vlen njëlloj. Nga këtu buron nevoja për të dhënë shfaqje të tilla, si dhe për përsosmëri operacionale gjatë manovrave në kohë paqeje.

Duke mbledhur trupa nga 32  vende në Detin e Zi, dhe duke treguar që këto forca mund të luftojnë së bashku, aleatët perëndimore bëjnë një deklaratë në lidhje me fuqinë e tyre të kombinuar.

Nëse Moska beson se ata do të qëndrojnë bashkë edhe në kohë lufte, dhe do të kenë fuqi të mjaftueshme ushtarake për të realizuar qëllimet e tyre – në këtë rast duke mbështetur sovranitetin e Ukrainës – atëherë Rusia do të frenohet nga veprimet e mëtejshme agresive.

Në të njëjtën kohë, aleatët, partnerët dhe miqtë tanë do të marrin zemër dhe do të ndihen të sigurt aq sa për të kritikuar hapur Moskën për sjelljen e saj .Frikësojini kundërshtarët tuaj dhe trimëroni miqtë tuaj në kohë paqeje, dhe mund të mos ju duhet kurrë që të luftoni.

Së dyti, në përplasjet e fundit e fundit midis forcave të armatosura ruse dhe atyre perëndimore, është shfaqur dukshëm taktika e mashtrimit. Më e rëndësishmja, në dy raste dikush – ndoshta në Rusi – mashtroi me të dhënat për gjurmimin automatik të anijes.

Më 18 qershor, të dhënat dukej se tregonin se destrojeri “HMS Defender” i ishte afruar brenda 2 miljeve bazës detare ruse në Sevastopol. (Moska vazhdoi të pretendonte se forcat ruse kishin qëlluar në shenjë paralajmërimi, për ta dëbuar anijen britanike nga ujërat pranë Krimesë. Por zëdhënësit e Marinës Mbretërore Britanike, e hodhën poshtë versionin e rusëve).

Vetëm këtë javë gjurmimi i të dhënave tregon se destrojeri amerikan “USS Ross” dhe një anije patrulluese ukrainase, ishin afruar brenda 5 miljeve nga Gadishulli i Krimesë. Pamjet filmike provuan se Defender dhe Ross, ishin ankoruar në portin detar ukrainas të Odesës, në kohën kur Moska pretendon se kishin depërtuar thellë në detin territorial shumë pranë Krimesë.

Atëherë, pse rusët po falsifikojnë të dhënat e sistemit automatik të identifikimit? Ndoshta vetëm për të akuzuar marinat perëndimore për sjellje dashakeqe. Mashtrimi, ka qenë një gur themeli i operacioneve ushtarake të paktën që nga koha kur Sun Tzu shkroi traktatin e tij mbi “Artin e Luftës” në Kinën e lashtë.

Në thelbin e vet, mashtrim do të thotë të fshehësh diçka të vërtetë, dhe të shfaqësh diçka të gënjeshtërt në mënyrë që ta mashtrosh kundërshtarin tënd, dhe të fitosh një avantazh taktik ose strategjik. Rusët e kanë ngritur mashtrimit në piedestal,të paktën qënë kohën e Bashkimit Sovjetik, duke e quajtur atë maskirovka.

Telefonat celularë dhe tani mediat sociale,u japin mundësi kundërshtarëve që të kenë qasje direkte tek njësitë ushtarake të SHBA-së apo të aleatëve të saj,për të mbjellë konfuzion ose përçarje, ashtu si grabitqarët në internet, që përpiqen vazhdimisht të mashtrojnë të paditurit përmes e-maileve.

Së treti, operacionet e lirisë së lundrimit, janë një mjet i dobët për të kundërshtuar pretendimet ruse ndaj Krimesë. Zyrtari i Marinës Mbretërore, njoftoi se “HMS Defender” kishte kaluar përmes detit territorial ukrainas dhe jo atij rus.

Në përgjithësi, bashkësia ndërkombëtare e refuzon pushtimin rus të Krimesë. Në rregull. Por ligji i detit është shumë i paqartë se kush sundon në tokë. Lundrimet për hir të lundrimit janë një mënyrë e mirë për të kundërshtuar pretendimet e tepërta për hapësirën detare.

Por ato në vetvete, bëjnë shumë pak për të sabotuar pretendimet ruse për sovranitet mbi gadishullin e Krimesë. Dhe së fundmi, për të arritur në një nivel strategjik, demonstrimet në Detin e Zi dhe Mesdhe, janë vetëm faza e fundit në konkurrencën strategjike në periferinë Euroaziatike.

Për të ushtruar një ndikim në zonën kryesore Euroaziatike, pra zonat bregdetare që ndajnë detin nga brendia e thellë kontinentale, një hegjemon detar – në këtë rast Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij – duhet të jenë në gjendje që të marrë kontrollin e hapësirave margjinale (periferike).

Përndryshe, forcat detare nuk mund të shkojnë dot në zonat qendrore për të projektuar fuqinë e tyre. Rusia dhe Kina, do të dëshironin t’ua mohonin forcat aleate këtë qasje, duke e sabotuar kësisoj strategjinë amerikane.

Mënyra sesi flotat perëndimore i trajtojnë sfidat e Rusisë për qasjen detare, mund të krijojnë një precedent – të mirë apo të keq – për detet e tjera periferike, ashtu siç i trajtojnë sfidat flotat kineze në Detin e Kinës Jugore ose Detin e Kinës Lindore, që mund të krijojnë nga ana e tyre një precedent në Detin e Zi, Detin Baltik , ose Oqeanin Arktik. Është joshëse të shpërfillësh lajmet e përditshme nga rajoni si një shfaqje normale force. Por rëndësia e tyre strategjike dhe politik e është shumë e madhe. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shëim: James Holmes, është kreu i Strategjive Detare në Kolegjin e Luftës Detare, dhe bashkëpunëtor në Shkollën e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Xhorxhias.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit