0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pse Mali i Zi me më shumë serbë e me më pak malazezë?

Më të lexuarat

Fakti që në regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi në dhjetor të vitit 2023, numri i atyre që u deklaruan si serbë, u rrit për 4 për qind në krahasim me regjistrimin e mëparshëm të vitit 2011, nuk është befasi për metodologun malazez, Millosh Beshiq.

Ai kujton se në atë regjistrim ishin rreth 5% e banorëve që refuzuan ta deklaronin kombësinë e tyre.

Pikërisht në atë kategori thotë se “fshiheshin” serbët që në regjistrimin e fundit u deklaruan si të tillë.

“Tani që janë ‘kthyer’, ndodh ky ndryshim. Prandaj, numri i serbëve në Mal të Zi është stabil, është pak më pak se një e treta (32.9 për qind). Kështu ishte 20 vjet më parë, kështu është edhe sot”, thotë Beshiq për Radion Evropa e Lirë.

Në regjistrimin e vitit 2003 në Mal të Zi, numri i serbëve ishte 32 për qind.

Në regjistrimin e fundit – rezultatet e të cilit i shpalli Drejtoria e Statistikave në Mal të Zi, MONSTAT, më 15 tetor – 41.1% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, ndërsa 32.9% si serbë.

Krahas rritjes së numrit të serbëve, krahasuar me regjistrimin e mëparshëm, kishte rënie prej rreth 4% të atyre që e identifikojnë veten si malazezë.

Regjistrimi në Mal të Zi është më shumë çështje politike sesa statistikore, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me përkatësinë kombëtare dhe gjuhësore.

Që nga referendumi për pavarësi në vitin 2006, shoqëria malazeze është thellësisht e ndarë në mes të pjesës që dëshironte të mbetej bashkë me Serbinë dhe përkrahësve të Malit të Zi të pavarur.

Ky ishte regjistrimi i parë i popullsisë pas rënies nga pushteti të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit në vitin 2020.

Ajo qeverisi në këtë vend për 30 vjet.

Pushteti më pas u mor nga parti kryesisht proserbe, të udhëhequra nga Fronti Demokratik prorus.

Pse serbët prisnin më shumë?

Beshiq thotë se përfaqësuesit e serbëve prisnin që, për shkak të ndryshimit të rrethanave politike, regjistrimi të tregonte se ka shumë më tepër serbë.

Millosh Beshiq.
Millosh Beshiq.

“Ata besojnë se politikat e Millo Gjukanoviqit, DPS-së dhe Malit të Zi të pavarur e kanë orientuar përkohësisht një numër të caktuar të njerëzve që të deklarohen si malazezë dhe jo si serbë”, thotë Beshiq.

Por, ky regjistrim tregoi, në fakt, se nuk është kështu, sipas tij.

“Ai tregoi se identiteti kombëtar në Mal të Zi u formësua nga rrethanat historike dhe politike dhe tani është vështirë të ndryshohet”, thotë Beshiq.

Regjistrimit i parapriu një fushatë e forcave dhe mediave proserbe e proruse, të cilat u bënin thirrje qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.

Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.

Fushata mediatike pro-serbe para regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.
Fushata mediatike pro-serbe para regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.

Gjithashtu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli disa herë për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.

I pyetur nëse rezultati i regjistrimit korrespondon me pritjet e Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, Beshiq thotë se nuk e di “nëse ata e prisnin këtë, por se sigurisht do të donin që të kishte më shumë”.

“Ata që deklarohen si serbë, duan të kenë sa më shumë serbë, që është shumë logjike”, sipas tij.

Qeveria dhe opozita, të kënaqura me rezultatet e regjistrimit

Kryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, shkroi në rrjetin X se “i vetmi fitues i vërtetë i regjistrimit është Mali i Zi evropian e qytetar, i cili është mjaft i madh për të gjithë”.

Kolegu i tij i koalicionit, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, njëherësh lider i Frontit Demokratik prorus, tha se “si pjesëtar i popullit serb” ishte i kënaqur me regjistrimin.

“Situata është shumë më e mirë se më parë”, tha Mandiq në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve – gjatë qeverisjes së së cilës Mali i Zi rivendosi pavarësinë shtetërore në një referendum në vitin 2006 – vlerësoi se pavarësisht presioneve dhe përpjekjeve, karakteri civil i shtetit u ruajt.

Ky, siç tha kryetari i DPS-së, Danijell Zhivkoviq, është një sukses, marrë parasysh propagandën flagrante dhe presionet e forta për etno-federalizim, që, sipas tij, erdhën nga Serbia dhe një pjesë e Qeverisë në Mal të Zi.

“Qeveria e Serbisë fqinje ishte shumë e interesuar për rezultatet e regjistrimit. Burime të mëdha financiare u investuan në fushatën e regjistrimit. Qytetarëve të Malit të Zi iu premtua arsim falas në atë vend”, tha Zhivkoviq.

Gjuha – rritje e lehtë e serbishtes dhe rënie e gjuhës malazeze

Edhe pse gjuha malazeze u fut si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Malit të Zi, pas rivendosjes së pavarësisë së tij në vitin 2006, numri më i madh i qytetarëve u deklaruan se ishin serbishtfolës.

Në regjistrimin e fundit, 43.2% e qytetarëve thanë se serbishtja është gjuha e tyre amtare, që nënkupton një rritje të lehtë prej 0.3%, në krahasim me vitin 2011. Në anën tjetër, rënie ka të numrit të atyre që e konsiderojnë gjuhën malazeze si gjuhë amtare – nga 37 në 34.5 për qind.

Beshiq thotë se numri i atyre që flasin serbisht, është më i lartë se i atyre që deklarohen si serbë. Dhe kjo me 10 për qind, sipas tij.

Ai thotë se një pjesë e popullsisë së korpusit ortodoks, që thotë se është e kombit malazez, ndihet e afërt me korpusin serb.

“Në interpretimin e tyre, ata i shohin rrënjët e tyre etnike serbe dhe deklarohen si malazezë. Me fjalë të tjera, kur thonë ‘unë jam malazez’, nuk do të thotë domosdoshmërisht se jam joserb. Nëse e shikoni historinë e Malit të Zi, është shumë e kuptueshme”, thotë Beshiq.

Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e një shteti të përbashkët nga viti 1918 deri në vitin 2006.

Përqindje e qëndrueshme e shqiptarëve, rritje e boshnjakëve

Regjistrimi i fundit tregoi se përqindja e popullsisë shqiptare në Mal të Zi mbetet e njëjtë në krahasim me regjistrimin e mëparshëm – gati 5%.

Nga ana tjetër, numri i myslimanëve u përgjysmua – nga 3.3% në 1.6%, ndërsa përqindja e boshnjakëve u rrit nga 8.6 në 9.4%.

Në regjistrimet e popullsisë në Mal të Zi, një pjesë e popullsisë u deklarua edhe si myslimane, edhe pse bëhet fjalë për çështje fetare.

Beshiq thekson se me “vite e dekada” punohet për të siguruar që të gjithë myslimanët në Mal të Zi, të deklarohen si boshnjakë.

Pjesë e fushatës të Këshillit Boshnjak para regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.
Pjesë e fushatës të Këshillit Boshnjak para regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.

Ai thotë se komuniteti intelektual, politik dhe fetar boshnjak është shumë i angazhuar në këtë çështje, por se, në anën tjetër, ata që deklarohen si myslimanë, nuk e kanë atë lloj mbështetjeje.

“Pra, keni një proces aktiv politik-kombëtar, dikush do ta quante ndërgjegjësim, e dikush manipulim”, thotë Beshiq.

Kjo u reflektua edhe te gjuha. Në regjistrimin e vitit 2011, 5.3% e qytetarëve thanë se flasin gjuhën boshnjake, e në regjistrimin e fundit ishin 7%.

“Kjo ju tregon se të gjitha ato presione kishin efekt”, thotë Beshiq.

Rusët dhe ukrainasit në Mal të Zi

Risia e regjistrimit të fundit është rritja e numrit të rusëve në Mal të Zi.

Në regjistrimin e 13 vjetëve më parë ishin 0.15%, ndërsa tani janë 2.1% – shifër që i bën rusët komunitetin e pestë më të madh kombëtar në Mal të Zi.

Në regjistrimin e fundit, po ashtu, gjysmë për qind e banorëve u deklaruan si ukrainas, ndërsa në vitin 2011 nuk kishte të tillë të regjistruar.

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi në shkurt të vitit 2022, një numër i madh shtetasish rusë dhe ukrainas u shpërngulën në Mal të Zi.

MONSTAT tha se regjistrimi i popullsisë tregoi se mbi 46.800 shtetas të huaj, jetojnë në Mal të Zi – në mesin e tyre edhe 3.000 nga Kosova.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit