nga Bardha Nergjoni
Në kulmin e stinës së nxehtë me vëmendjen nga plazhi dhe pas mbylljes së proceseve politike, i kthehemi shpesh temave që përplasin qëndrime, ide, mënyrën si e shikojmë botën dhe si na sheh ajo ne. Fotografi se si gratë myslimane të fshehura pas çadrave, shamive, burkinit (rrobave të banjës të myslimaneve) bëjnë xhiron e rrjetit, të shqetësojnë se sa shpejt dhe pa u menduar e ndërrojmë temën dhe argumentin.
I kam ndjekur reagimet dhe kundërargumentet për këtë çështje dhe doja të shprehja mendimin tim.
Liria e të zhveshurit duket se nuk skandalizon ndërsa liria e të veshurit, po. Liria e zgjedhjes për të praktikuar një besim që ka rregullat e veta shqetëson madje traumatizon shoqërinë, liria e të zhveshurit topless apo edhe skena jo të hijshme morale në publik, mbeten një kuriozitet i radhës dhe asgjë më shumë.
Liria e të qenit i veshur në mënyrën dhe zgjedhjen e lirë pro besimit duhet të garantohet me rregulla të shkruara dhe të pashkruara në një shoqëri që supozon që lejon praktikimin e feve dhe lirinë e shprehjes së mendimit.
Unë nuk skandalizohem, madje as shqetësohem pse një grua ka zgjedhur një burkini për të bërë plazhin e saj. Unë shqetësohem madje dhe skandalizohem kur rregullat morale nuk kontribuojnë më për një jetë komunitare në respekt të gjithësecilit pjesëtar.
Secili ia rezervon vetes të drejtën si një qytetar i lirë që paguan taksa, të jetë i barabartë mes të barabartëve edhe në zgjedhjen për t’u veshur./ konica.al