2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse liderët izraelitë pranojnë se, sikur të ishin palestinezë, do të luftonin si ata?

Më të lexuarat

E vërteta e një konflikti thënë nga djaj tokësorë, si pushtues, dhunues e mashtrues

Palestinezë duke gjuajtur me gurë forcat izraelite gjatë një demonstrate kundër bombardimeve të Izraelit ndaj Gazës, në qytetin e Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar më 11 tetor 2023 (Jaafar Ashtiyeh/AFP)

Joseph Massad | Middle East Eye

Në një intervistë të fundit në gazetën izraelite Maariv, Ami Ayalon, ish-kreu i organizatës izraelite të inteligjencës Shabak, deklaroi se, sikur të ishte palestinez, do të luftonte ata që ia kishin vjedhur tokën “pa u kursyer”.

“Palestinezën kanë humbur tokën e tyre, prandaj kur njerëzit më pyesin se çfarë do të bëja sikur të isha palestinez, u them se nëse dikush do të vinte dhe do të më vidhte tokën time, tokën e Izraelit, do ta luftoja pa u kursyer,” shtoi ai.

Palestinezët, theksoi Ayalon, “e shohin veten si një popull. Një nga tragjeditë tona është se ne i shohim ata si individë; disa si të mirë, e disa si të këqij.”

Në frymën e denoncimeve nga ana e Izraelit dhe të mbështetësve të tij kundër palestinezëve si barbarëantisemitë, pogromistë, terroristë, njerëz të egër dhe kafshë njerëzore, me shumë epiteteve të tjera raciste, shumë nga liderët më të njohur izraelitë, si Ayalon, gjithmonë e kanë identifikuar veten me luftën palestineze dhe do ta pranonin publikisht se, sikur të ishin palestinezë dhe jo kolonë hebrenj, do t’i ishin bashkuar luftës kundër sionistëve dhe Izraelit.

Madje edhe ministri i famshëm izraelit i mbrojtjes, Moshe Dayan, e kuptonte luftën e palestinezëve në Gaza dhe rezistencën e tyre ndaj kolonializmit izraelit. Në prill të vitit 1956, luftëtarët e rezistencës palestineze vranë një oficer sigurie në Nahal Oz, një koloni e krijuar rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Gazën në vitin 1953.

Oficeri kishte rrahur disa palestinezë disa ditë më parë, kur i kishte kapur duke u përpjekur të ktheheshin në tokat e tyre pas shpërnguljes nga izraelitët. Ai i kishte detyruar ata të ktheheshin në Gaza. Në funeral, Dayan u kujtoi të pranishmëve:

“Sot, le të mos i fajësojmë vrasësit. Kush jemi ne që do të vëmë në pikëpyetje urrejtjen e tyre? Prej tetë vitesh ata qëndrojnë në kampet e refugjatëve në Gaza, dhe përpara syve të tyre, ne po e kthejmë në pronën tonë tokën dhe fshatrat ku ata dhe paraardhësit e tyre kanë jetuar… Ne jemi një brez kolonësh, dhe pa helmetën e çeliktë dhe topin nuk mund të mbjellim një pemë të vetme e as të ndërtomë një shtëpi.”

Fjalët e fundit të Ayalonit nuk janë të reja. Në një intervistë në muajin mars për rrjetin televiziv amerikan ABC, ai deklaroi se, po të ishte palestinez, “do të luftonte kundër Izraelit” dhe “do të bënte gjithçka” për ta fituar lirinë.

Ayalon nuk është lideri i parë izraelit që e kupton mirë luftën e palestinezëve për t’i dhënë fund kolonializmin sionist dhe apartheidin izraelit. Ai është pjesë e një liste të gjatë liderësh sionistë dhe izraelitë që, pa hezitim, janë shprehur se e kuptojnë, e madje identifikohen me luftën palestineze.

Në vitin 1923, Vladimir Jabotinsky, themeluesi i sionizmit revizionist, i cili më vonë u pasua nga Menachem Begin, komentoi mbi rezistencën palestineze:

“Cdo popull vendas – s’ka rëndësi nëse janë të civilizuar apo barbarë – e sheh vendin e vet si atdhe kombëtar, ku ata do të jenë gjithmonë pronarët e vërtetë. Ata nuk do të lejojnë vullnetarisht, jo vetëm një pronar të ri, por as një partner të ri. Njësoj është edhe me arabët. Ata që bëjnë kompromisë në mesin tonë përpiqen të na bindin se arabët janë budallenjë që mund të mashtrohen… [dhe] që do të braktisnin të drejtat e tyre për Palestinën për përfitime kulturore dhe ekonomike. Unë e refuzoj kategorikisht këtë gjykim ndaj arabëve palestinezë. Kulturalisht, ata janë 500 vjet pas nesh, shpirtërisht ata nuk e kanë qëndresën ose forcën tonë të vullnetit, por kjo shteron të gjitha dallimet e brendshme… Ata e shohin Palestinën me të njëjtin instinktiv dashuri dhe pasion të vërtetë si çdo zztek që e sheh Meksikën e tij ose çdo sioux që e sheh prerjen… kjo fantazi fëminore e ‘arabo-filëve’ tanë vjen nga ndonjë lloj përbuzjeje për popullin arab… [se] kjo racë [është] një turmë e gatshme për t’u blerë ose për të tradhtuar atdheun e tyre për një rrjet hekurudhor.”

Jabotinsky, megjithatë, nuk u identifikua me palestinezët (edhe pse përpiqej t’i krahasonte ata me hebrenj europianë, mutatis mutandis, për sa i plrket nivelit të lidhjes me atdheun dhe përdorimin e dhunës për ta mbrojtur atë).

Ai e kuptonte mirë se palestinezët “nuk janë turmë, por një komb”. Si një fashist që admironte Musolinin, Jabotinsky nuk e lejoi racizmin e tij ndaj palestinezëve ta verbonte përballë kushteve në terren, dhe pikërisht për këtë arsye ai kërkonte të luftonte kundër palestinezëve dhe t’i nënshtrohente ndaj sundimit sionist dhe t’i detyronte të shpërnguleshin.

Sionistë të tjerë do të identifikoheshin edhe më shumë me palestinezët.

David Ben-Gurioni, ish-kryeministri i parë izraelit, e kuptonte plotësisht luftën palestineze, edhe pse ai ishte angazhuar që ta shtypur atë. Ai pat deklaruar:

“Po të isha lider arab, nuk do të bëja kurrë marrëveshje me Izraelin. Kjo është e natyrshme; ne ua morëm tokën e tyre. Sigurisht, Zoti na e premtoi, por çfarë rëndësie ka kjo për ta? Zoti ynë nuk është Zoti i tyre. Ne vijmë nga Izraeli, është e vërtetë, por kjo ishte dy mijë vjet më parë, dhe çfarë rëndësie ka kjo për ta? Ka pasur antisemitizëm, kanë qenë nazistët, Hitleri, Auschwitzi, por a ishte ky faji i tyre? Ata shohin vetëm një gjë: ne kemi ardhur dhe e kemi vjedhur vendin e tyre. Pse duhet ta pranojnë këtë?”

Nuk është devijim

Identifikimi i liderëve sionistë me palestinezët vazhdoi në dekadat që pasuan dhe ndoshta është shprehur më fuqishëm nga ish-kryeministri izraelit Ehud Barak. Ai ishte anëtar i një njësie komandosh izraelite vrasësish të dërguar në Beirut në vitin 1973 për të vrarë tre revolucionarë palestinezë.

Identifikimi i Barakut me palestinezët është pa rezerva. Në një intervistë për gazetën izraelite Haaretz, ai ka theksuar: “Po do të isha palestinez, do t’i bashkangjitesha edhe unë një grupi terrorist.”

Leah Rabin, bashkëshortja e ish-kryeministrit Yitzhak Rabin, e cila vetë kishte luftuar gjatë pushtimin sionist të Palestinës në vitin 1948, ishte më e mençur në përdorimin e identifikimit të saj me palestinezët sesa të gjithë liderët e tjerë sionistë.

Ajo deklaroi në vitin 1997 se, “Ne [hebrenjtë] përdorëm terrorizmin për të krijuar shtetin tonë. Pse duhet të presim që palestinezët të sillen ndryshe?” Palestinezët, me sa duket, janë njësoj si hebrenjtë dhe nuk janë ndryshe nga ta.

Është shumë e rëndësishme të theksohet se në këto deklarata, asnjë nga këta liderë izraelitë nuk mendonte se arsyeja përse palestinezët e kundërshtojnë Izraelin ishte për shkak se Izraeli ishte hebre.

Përkundrazi, ata të gjithë e kanë konfirmuar se arsyeja pse palestinezët i rezistojnë Izraelit dhe hebrenjve izraelitë është se izraelitët ua kanë vjedhur dhe vazhdojnë t’ua vjedhin tokën dhe vendin, t’i shtypin dhe t’ua mohojnë pavarësinë dhe lirinë e tyre.

Propaganda skandaloze e qeverisë izraelite sipas të cilës operacioni palestinez i 7 tetorit kishte në shënjestë hebrenjtë izraelitë për shkak se ishin hebrenj dhe jo si kolonizatorë dhe, prandaj, ishte sulmi “më vdekjeprurës” ndaj hebrenjve që nga Holokausti, siç na kanë thënë vazhdimisht liderët perëndimorë dhe media e tyre e bindur, synon në mënyrë të vendosur të mbulojë arsyen e kolonizimit hebre të tokës palestineze si shkakun pse palestinezët u rezistojnë atyre.

Këto gënjeshtra synojnë të pastrojnë hebrenjtë izraelitë nga krimi i vjedhjes së tokës palestineze, në kundërshtim  me këmbënguljen e palestinezëve dhe të gjithë këtyre liderëve sionistë dhe izraelitë që gjithmonë e kanë kuptuar luftën palestineze, pra, që rezistenca palestineze sulmon hebrenjtë izraelitë për shkak se ata janë kolonizatorë dhe jo pse janë hebrenj.

Kuptimi i luftës palestineze dhe identifikimi me të  nga i njëjti lidership izraelit që i ka shtypur palestinezët nuk është thjesht stërhollim retorike, apo gabim. Kjo flet qartë kuptimin e qartë të natyrës së dhunës dhe shtypjes që Izraeli ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë mbi popullin palestinez.

Ndryshe nga sa thuhet nga propaganda zyrtare izraelite dhe përsëritja që i bëhet nga liderët politikë perëndimorë dhe media e zakonshme, palestinezët që i kanë rezistuar kolonializmit sionist që nga fillimi i viteve 1880 nuk janë aspak një devijim. Në fakt, palestinezët, sipas liderëve izraelitë të përmendur më lart, janë shumë të ngjashëm dhe jo shumë të ndryshëm nga hebrenjtë sionistë kolonizatorë që i shtypin.

I vetmi dallim, me sa duket, është se palestinezët nuk janë hebrenj dhe, për pasojë, nuk mund t’u jepet respekti dhe admirimi që çdo popull që i ka rezistuar kolonializmit për një shekull e gjysmë meriton.

Edhe pse liderët izraelitë mund të vazhdojnë të identifikohen me palestinezët pavarësisht racizmit të tyre kolonial, racizmi i thellë perëndimor ndaj palestinezëve është arsyeja pse asnjë lider politik perëndimor nuk ka menduar ndonjëherë se çfarë do të bënin nëse do të ishin palestinezë. /tesheshi.com/

Joseph Massad është profesor i politikës moderne arabe dhe historisë intelektuale në Universitetin Columbia, Nju Jork. Ai është autor i shumë librave dhe artikujve akademikë dhe gazetaresk. Librat e tij përfshijnë Efektet Koloniale: Krijimi i Identitetit Kombëtar në Jordani; Desiring Arabs; Këmbëngulja e Çështjes Palestineze: Ese mbi Sionizmin dhe Palestinezët, dhe më së fundmi Islam në Liberalizëm. Librat dhe artikujt e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit