4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pse jemi kundra “martesave gay”

Më të lexuarat

Të gjithë ne, shqiptarë besimtarë dhe jobesimtarë, muslimanë e të krishterë, pritëm me habi, sesi në këto ditë të nxehta vere, Kryeministri i vendit provokoi një debat, sa tabu aq edhe të çuditshëm për mendësinë tonë si njerëz. Martesat brenda të njëjtit seks! A i ishte ky hap, thjesht një provokim për të matur pulsin e njerëzve, sesa të ndjeshëm moralisht janë ndaj temave të tilla, apo vërtet ka një vullnet për një debat publik rreth këtij problemi? A po mos vallë ishte thjesht një shashkë politike, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga probleme të tjera? Apo…? Hamendje të ndryshme dhe natyrisht, përgjigje të ndryshme ka pasur rreth këtyre pyetjeve se çfarë qëllimi fshihej pas këtij deklarimi. Sidoqoftë, cilado qoftë arsyeja, ajo çka na intereson ne si besimtarë të Zotit, është të shpalosim para njerëzve pikëpamjen tonë rreth kësaj çështjeje.

Feja e ka shoqëruar njeriun gjatë gjithë ekzistencës së tij; njeriu është një qenie religjioze dhe kjo pranohet tashmë nga shumë studiues, që besojnë ose jo në Zot. Në këtë bashkëjetesë të gjatë ndërmjet njeriut dhe religjionit, ky i fundit i është imponuar njeriut në çdo aspekt të jetës. Askush nuk mund ta mohojë se feja ka luajtur një rol parësor ndikues në zhvillimin e çdo qytetërimi, në çdo dimension të tij: material, kulturor, shpirtëror dhe social. Shpesh ky ndikim nuk i njihet haptazi fesë, por shumëkush e di se disa norma kulturore, ligjore apo sociale edhe sot në këtë botë post-moderne, janë trashëgimi e fesë, që për mijëra vjet e ka shoqëruar njeriun dhe që ka lënë gjurmë të skalitura thellë në jetën e shoqërisë humane. Martesa padyshim është një nga këto norma. Askush dhe asnjë nuk mund të pretendojë se martesa është një shpikje laike dhe historia e dokumentuar e njerëzimit e vërteton këtë. Martesa është vendosur në rangun e një institucioni, në evoluim, pikërisht nga feja.

Njeriu është një qenie fiziko-materiale, që ka nevoja fiziologjike dhe jetike. Pra, nëpërmjet kontaktit seksual njeriu plotëson një nga kënaqësitë e nevojshme të tij trupore, fiziologjike dhe psikologjike dhe në anën tjetër, ai bën të mundur vazhdimësinë e racës njerëzore, duke lënë pas pasardhës dhe ky është dimensioni jetik i kësaj marrëdhënieje.

Njeriu gjithashtu është një qenie sociale, ai jeton në shoqëri me njerëz të tjerë, që i përkasin llojit të tij dhe ndan me ta pjesën më të madhe të jetës së tij biologjike, sociale dhe shpirtërore. Një njësi sociale e përbërë nga burri, gruaja dhe fëmijët, nuk mund të quhej familje, nëse ata nuk do t’i lidhnin në mes tyre, ndër të tjera edhe të drejtat, detyrimet apo përgjegjësitë reciproke. Këto përgjegjësi kanë të bëjnë me shumë aspekte, si vendbanimin, ushqimin, veshmbathjen, mbrojtjen, edukimin etj. Ky është dimensioni social i martesës.

Por njeriu gjithashtu është edhe një qenie tepër emocionale, ku ndjenjat luajnë shpesh rolin vendimtar në çdo aspekt të jetës së tij. Si i tillë, njeriu është një qenie shpirtërore që nuk mund të krahasohet me asnjë qenie tjetër biologjike. Lidhja në një familje, veç anës së prekshme fizike, materiale dhe asaj sociale, nuk mund të kuptohet edhe pa dimensionin e saj emocional dhe shpirtëror. Burri dhe gruaja janë dy qenie njerëzore që ndjejnë se nuk mund ta kuptojnë jetën pa prezencën e njëri-tjetrit. Ndjenjat dhe emocionet e përbashkëta të tyre, ndonëse nuk i bëjnë dot ata një qenie të vetme, krijojnë lidhje aq të forta, aq sa për të formuar njësinë bazë të shoqërisë: familjen. Prirja fiziologjike që mashkulli ka drejt femrës dhe femra drejt mashkullit, i bën ata të dy që veç anës fizike, të përjetojnë mes tyre edhe ndjenjën më të fuqishme njerëzore, burimin e një sërë ndjenjash të tjera dhe që padyshim është dashuria. Ata gjejnë tek njëri-tjetri kënaqësi, prehje, qetësi, ngazëllim dhe pa dyshim, lumturi. Nëse lumturia njerëzore nuk do të kishte nevojë dhe do të përcaktohej edhe nga gjëra të tjera, padyshim që kjo lidhje ndoshta do të kishte qenë vetë lumturia njerëzore. Dhe pikërisht në këtë tokë pjellore, ku gjendet edhe dheu edhe uji, lindin dhe rriten pasardhësit dhe trashëgimtarët e qenies njerëzore.

Duke u nisur nga të gjitha këto që u përmendën dhe nga ato që për shkak të shumësisë së tyre nuk janë përmendur, lidhjes në mes burrit dhe gruas i është dhënë shenjtëri nga feja. Kjo lidhje është kurorëzuar me atë që quhet martesë. Martesa është e shenjtë, sepse familja është shenjtë, sepse nderi është i shenjtë, sepse vetë jeta është e shenjtë, ndaj dhe kjo lidhje e tillë është.

Martesa kalon edhe nëpërmjet një akti ligjor, pikërisht për shkak të të gjitha këtyre dimensioneve që u përmendën. Akti ligjor i martesës, i hapit fillestar që krijon familjen, është verdikt i Zotit, feja ia dha atë njerëzimit për të mbrojtur pikërisht këtë shenjtëri shumëdimensionale. Vetë Zoti është Ai që e ka bekuar shenjtërinë e martesës, vetë Ai është që e ka shndërruar atë në një akt ligjor, sepse ligji mbron atë që është e shenjtë për njerëzit.

Është e vërtetë se ligji nuk mund të imponojë dot dashurinë, por ai mbron përgjegjësitë sociale dhe ekonomike që lindin nga një lidhje e tillë si martesa, ashtu si çdo marrëveshje apo kontratë tjetër mes njerëzve. Ky dimension është i pranishëm në këtë lidhje dhe zë një pjesë të rëndësishme të tij, ndaj dhe është i domosdoshëm për një lidhje të tillë. Këtë normë ligjore, siç u përmend, shoqëria e sotme njerëzore, shteti dhe legjislacioni laik e kanë trashëguar nga tradita fetare. Pikërisht për këtë, edhe në shumë vende të botës laike, vazhdon të njihet martesa sipas kanoneve të fesë dhe në këtë drejtim, mos njohja e një martese të celebruar nga institucionet fetare në Shqipëri, nuk mund të jetë tjetër, vetëm se trashëgimi e kohës së shtetit ateist.

Të gjitha fetë qiellore, që kanë në thelb të besimit të tyre monoteizmin, ashtu si dhe kulturat e tjera të mëdha të botës, e shohin lidhjen seksuale brenda të njëjtit seks si perverse dhe të papranueshme, ndaj dhe këtë lidhje nuk kanë pranuar ta njohin si të shenjtë në të gjithë trashëgiminë e tyre historike. Si rrjedhojë e kësaj, ata kurrë nuk i kanë dhënë kësaj lidhjeje një njohje morale dhe aq më tepër, një njohje ligjore. Duke u nisur nga kjo pikëpamje, që e ka burimin tek e shenjta dhe tradita, burime mbi të cilat edhe është ngritur dhe ligjëruar fillimisht institucioni i martesës, është absurde që këta njerëz me deviacione të tilla kulturore, etike dhe aspak religjioze, të kërkojnë të ligjërojnë lidhjen e tyre në një martesë. As feja dhe as tradita nuk e njohin për të shenjtë një akt të tillë, ndaj dhe një ligj i tillë, që lejon këto lloj “martese”, është tërësisht i papranueshëm.

Është e vërtetë se shteti i sotëm civil, në shumicën e vendeve të botës është laik apo shekullar, por filozofia e legjislacionit të tij, përveç mbështetjes tek të drejtat dhe liritë njerëzore, mbështetet edhe tek tradita dhe për rrjedhojë, edhe te trashëgimia fetare. Kështu për shembull, në asnjë vend të botës nuk njihet dhe as nuk ligjërohet një martesë në mes prindit dhe fëmijës, ndonëse mund të vijë dita që organizatat e të drejtave të njeriut ta quajnë edhe këtë si shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, apo edhe diskriminim! Për këtë, ne si besimtarë, por edhe si popull, nuk mund të pranojmë që t’i jepet shenjtëri dhe legjitimitet një “martese” shterpe, që nuk është aspak e shenjtë dhe nuk gëzon as mbështetje religjioze, as tradicionale dhe as popullore. Në fund të fundit, shteti dhe shoqëria që kemi sot, është ngritur mbi këto vlera dhe trashëgimi dhe ato nuk mund të injorohen për hir të një pakice, që ndjehet “e diskriminuar”, pse kërkon që me forcën e ligjit, të bëhet mish i huaj në mes të një tradite që nuk e pranon. Kjo nuk është demokraci, por dhunë ligjore ndaj religjionit, traditave dhe trashëgimisë kulturore e etike të shumicës së njerëzve.

J.Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit