13.1 C
Pristina
Sunday, September 29, 2024

Pse ia mbylli dyert sulltani Erdogan Edi Ramës

Më të lexuarat

Ftohja Rama-Erdogan është evidente, e praktikisht ka hyrë në kohën e ngrirjes së gjatë që turqit i thonë ‘kallkan’. Po çfarë ka ndodhur?!

Natyrisht që nuk do të shpëtonte pa u vënë re ftohtësia që Edi Rama gjeti në Turqi, ndërsa qëndroi një natë në mes të rrugës së tij për në Azerbaixhan.

Burime diplomatike i thanë ‘Pamfleti’-t, se vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar në Baku, është rregulluar qëllimisht që të ketë një ndalesë në Turqi.

Kjo ngaqë, në samitin e fundit të liderëve të NATO-s që u zhvillua në fund të marsit, Edi Rama gjeti një ‘kallkan’ të vërtetë në atmosferën që i krijoi mentori i tij politik prej 2013-s, Rexhep Tajip Erdogan.

Në çdo samit të liderëve të Aleancës së Atlantikut Verior, kemi parë, aq sa jemi velur, fotot e Ramës me Sulltanin, duke i futur krahun, përkëdhelur faqet, rrahur shpatullat, duke e mbajtur për të mos u rrëzuar plaku i rënduar nga diabeti etj etj.

Këto foto shpërndaheshin me kujdes nga zyra e Edi Ramës, për të treguar ‘kardeshlerinë’ e tij me një fuqi të madhe, por edhe për të mos mbetur vetëm në një ‘walk of fame’ të njerëzve më të fuqishëm të botës, ku kryesisht liderët e vendeve të vogla si Shqipëria, nuk se kanë vëmendjen e duhur.

E ku kemi parë që Rama, si një ‘shabanqose’ i vërtetë, nuk le rastin tu flasë e t’i kapë për xhakete presidentët apo kryeministrat për t’i shpërndarë këtu në foto, siç bëri edhe me Leonardo di Caprion në samitin e Klimës, ku aktori i njohur nuk e dinte fare me kë kishte të bënte, pasi një ‘i gjatë’ ju afrua në fytyrë.

Me një fjalë u vu re që në 24 mars në Bruksel,  “valiu”-Edi nuk e takoi “sulltanin” e tij të dashur, i cili siç duket pret të zbatohet fermani që firmosi gjatë vizitës së tij në Tiranë, fiks ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit-heroit tonë kombëtar.

Rama ka dashur të miklojë mentorin e tij me lugë boshe e simbolika, po sulltani i Turqisë nuk është fare budalla, e ka synime të qarta.

Ai kërkoi para parlamentit shqiptar që të largoheshin gylenistët nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, e afat vuri muajin e Ramazanit.

Fiks në kohën aktuale, e deri tani duket Edi Rama nuk ka lëvizur gishtin, pasi amerikanët e kanë ndaluar rreptsisht që të fusë duart në komunitetet fetare, e veçanërisht në KMSH.

Një nga imamët që ka organizuar lobimin për të larguar gylenistët nga KMSH, i tha ‘Pamfleti’-t, se deri tani situata nuk ka ndryshuar fare. E pasojë direkte e kësaj gjendje është ngecja thuajse totale e punëve  në Xhaminë e madhe të Namazgjasë, e cila po ndërtohet me paratë e qeverisë së Turqisë.

Përfundimi është aq prapa, sa nuk ka përfunduar as ndërtimi i garazhit dhe ambjenteve të kateve të para, lëre më rifiniturat. Turqit, që me spitalin e Fierit treguan se mund të punojnë shpejt kur duan, për objektin e kultit kanë ndaluar punën. E ky është një ndalim politikisht i motivuar.

Ankaraja i ka bërë të ditur Edi Ramës se “mjaft është mjaft”. E si pasojë, jo vetëm ka ndaluar punën për ndërtimin e Xhamisë, por edhe çdo aktivitet që kanë zhvilluar diplomatët turq me qeveritarët shqiptarë është i pezulluar.

Siç bëhet e ditur në edicionin shqip të ‘Anadollu Ajansi’, gjatë një iftari ceremonial të shtruar këto ditë nga Fondacioni shtetëror turk ‘Maarif’, i cili ka marrë në dorëzim disa nga ish-shkollat e Gylenit, nuk ka qenë prezent asnjë ministër i Edi Ramës.

Në të ka qenë vetëm kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ngjitet në të gjitha iftaret në çdo muaj Ramazani, për t’ju afruar OJF-ve për t’u marrë fonde. Një talent që Veliaj e ka së hershmi, por edhe një sinjal politik që tregon Ankaraja po zgjedh partnerë të tjerë në Tiranë.

Iftari i ‘Maarif’ nuk kishte një eveniment i thjeshtë, por një ceremoni politike, ku merrte pjesë një nga këshilltarët e Erdoganit, Nevzat Shimshek, akademik që përpunon ideologjinë e fuqisë së butë të Turqisë së sotme në vendet e ish-Perandorisë Osmane, dhe anëtar Bordi i ‘Maarif’.

Në rastet e ngjashme, ne kemi parë të hanë iftar jo vetëm Edi Rama, por e gjithë suita e tij qeveritare që nga Spiropali e Taulant Balla, që në evente religjoze hiqen si adhurues të Zotit, megjithëse s’lënë mëkat pa bërë gjatë ditës; që nga bixhozi e gënjeshtrat pafund.

Pra ftohja Rama-Erdogan është evidente, e praktikisht ka hyrë në kohën e ngrirjes së gjatë që turqit i thonë ‘kallkan’. E natyrisht nuk doli nga sirtari i fundit i frigoriferit, edhe kur Rama në Berlin tentoi të llastojë publikisht sulltanin, duke e lavdëruar në sy të kancelarit Olaf Schols.

Erdogan, duket se është afër hapit, kur ashtu si Sali Berishën ta quajë edhe Edin një “edepsëz”  burrë që nuk e mban fjalën. Marrëdhënia e krisur, duket se është e pariparueshme, e pritet të ketë pasoja të tjera, të rënda për kryeministrin shqiptar, që tek Erdogan ka të vetmin partner të huaj e protektor… /Pamfleti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit