Associated Press Kina është përgjigjur me zemërim ndaj një raporti të Kombeve të Bashkuara, në të cilin përmenden dyshimet për abuzime me të drejta të njeriut në rajonin e Ksinjiangut, me popullsi ujgure dhe minoritete tjera myslimane. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se hetimi njëvjeçar ka gjetur se shumica e grupeve myslimane janë subjekte të internimeve masive, punës së detyrueshme, abuzimeve seksuale dhe torturës. Raportimi është publikuar pavarësisht përpjekjeve kineze për ta vonuar apo bllokuar atë. Gjetjet e raportit mund të vërtetojnë pretendimet që mbi 1 milion anëtarë të minoritetit ujgur janë duke u dërguar me dhunë nëpër qendra që pretendohet se janë krijuar për qëllime trajnimi. Personat që janë mbajtur aty, familjarët e tyre dhe grupet vëzhguese, i përshkruajnë këto qendra si të stilit të burgjeve, pasi të ndaluarve aty u kërkohet të kritikojnë Islamin dhe kulturën e tyre tradicionale, si dhe u kërkohet të betohen për besnikëri ndaj Partisë Komuniste. Këto kampe janë pjesë e një fushate të gjerë të shtypjes në Ksinjiang, që përfshin sterilizime të dhunshme të grave, punë të detyrueshme, shkatërrim të xhamive dhe objekteve tjera fetare, ndarjen e fëmijëve myslimanë nga familjet e tyre, si dhe ngacmimet ndaj anëtarëve të familjes që jetojnë jashtë shtetit. Ku është Ksinjiangu dhe pse është i rëndësishëm për Kinën? Ksinjiangu është rajon i madh, por i populluar pak. Në të gjenden male, pyje dhe shkretëtira. Ky rajon gjendet në kufi me Rusinë, Pakistanin dhe disa vende të Azisë Qendrore. Rruga e lashtë e Mëndafshit ka kaluar nëpër të dhe shumë shtete e perandori kineze i kanë kontrolluar qytetet dhe oazat e saj përgjatë shekujve. Më vonë, më 1949, Partia Komuniste e ka marrë kontrollin e plotë të këtij rajoni, pas një fitoreje në luftën civile kineze. Rajoni i Ksinjiangut ka burime natyrore, duke përfshirë naftën, gazin dhe minerale të rralla tokësore. Megjithatë, vlera më e madhe e rajonit mund të jetë e lidhur me mundësinë e Kinës për të shtrirë ndikimin drejt Perëndimit. Ndonëse Kina dhe Rusia së fundi janë të një linje për shumë çështje të politikës së jashtme, Ksinjangu ka qenë në linjë të frontit në kohën e rivalitetit mes dy shteteve gjatë Luftës së Ftohtë. Çfarë ka nxitur Kinën që të shtypë këtë minoritet? Ujgurët e Ksinjangut, bashkë me kazakët dhe kirgizët, janë kryesisht myslimanë, të cilët kultura, feja dhe gjuha i ndan nga grupi etnik kinez, Han. Shtypja nën regjimin komunist, sidomos gjatë Revolucionit Kulturor të viteve 1966-1976, ka ngjallur në Ksinjiang armiqësi të thella ndaj Qeverisë, dhe kjo ndjesi është rritur edhe më shumë nga migrimi i pjesëtarëve të grupit etnik Han në rajon, dhe dominimit të tyre në jetën politike dhe ekonomike. Ujgurët kanë krijuar dy qeveri të pavarura për kohë të shkurtër në Ksinjiang, para se Partia Komuniste të merrte kontrollin e plotë. Disa protesta kanë nisur më 1990, mirëpo nuk kanë qenë aq të mëdha sa trazirat e vitit 2009 në kryeqytetin rajonal, Urumqi, si pasojë e të cilave kanë vdekur rreth 200 njerëz. Dhuna në rritje në Ksinjiang, e cila është zgjeruar ndërkohë, ka shtyrë liderin kinez, Xi Jinping të urdhërojë më 2014 një shtypje masive ndaj komunitetit. Çfarë baze kanë akuzat e OKB-së? Me bekimin e liderit Xi, lideri i linjës së ashpër në Ksiniang, Chen Quanguo – i cili ka marrë pozitën më 2016 – ka nisur të dërgojë ujgurët dhe të tjerët në kampe të fortifikuara, pa u bazuar në ndonjë proces ligjor. Ende mbetet e paqartë se në bazë të cilave kritere është vendosur që një person të dërgohet në ato që autoritetet i konsiderojnë kampe për trajnime dhe deradikalizim. Kampet është thënë se janë të mbingarkuara dhe aspak higjienike. Ata që refuzojnë kritikën ndaj fesë dhe kulturës, përballen me ndëshkime të ashpra. Ndonëse Kina ka thënë se ka mbyllur kampet, shumë personave u janë dhënë dënime të gjata me burgim. Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, i kanë konsideruar politikat e Kinës kundër minoriteteve në Ksinjiang si “gjenocid”. Si është përgjigjur Kina? Kina e ka mohuar gjithmonë se shënjestron ujgurët dhe të tjerët mbi baza të fesë dhe kulturës, andaj akuzat i ka konsideruar gënjeshtra të Perëndimit. Sipas saj, kampet kanë pasur qëllim luftimin e separatizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, dhe se pjesëmarrja në kampe ka qenë vullnetare. Megjithatë, dokumentet e brendshme kineze, që kanë qarkulluar nëpër media, e kanë vërtetuar të kundërtën. Për të vërtetuar pretendimet e veta, autoritetet kineze kanë përmendur vizitat e realizuara nga gazetarët dhe diplomatët në këtë rajon. Disa vëzhgues kanë thënë se vala në rritje e kritikave mund të ketë shtyrë Kinën që të mbyllë këto kampe më herët sesa ka planifikuar, për të ruajtur reputacionin te kombet myslimane dhe bota në zhvillim. Si reagim ndaj raportit të OKB-së, misioni diplomatik i Kinës në Gjenevë, ka thënë se kundërshton ashpër gjetjet, të cilat injorojnë të arriturat në fushën e të drejtave të njeriut në Ksinjiang dhe dëmet e shkaktuara në popullsi, si pasojë e terrorizmit dhe ekstremizmit. “Duke u bazuar në dezinformata dhe gënjeshtra të fabrikuara nga forcat kundër Kinës, të ashtuquajturat ‘vlerësime”, shtrembërojnë ligjet e Kinës, shpifin pa qëllim ndaj Kinës dhe ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës”, është thënë në një pjesë të reagimit. Cili do të jetë rezultati për Kinën? Liderët autoritarë të Kinës kanë sfiduar kritikat ndaj politikave në Ksinjiang, mirëpo kanë qenë të pasuksesshëm në pengimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë si dhe në luftim të ndalesave ndaj pambukut dhe produkteve tjera të rajonit. Publikimi i raportit vjen pavarësisht ndikimit të Kinës në Kombet e Bashkuara dhe fushatës kundër kritikëve në komunitetin që lufton për të drejta të njeriut. Kina vazhdon të deklarohet se politikat e saj kanë pasur efekt dhe se duhet të vazhdojnë, pavarësisht kostove për reputacionin e saj ndërkombëtar. Të enjten, Ministria e Jashtme kineze, ka thënë se raporti i OKB-së është “orkestruar dhe prodhuar nga Shtetet e Bashkuara dhe disa forca perëndimore, andaj është plotësisht joligjor dhe i pavlefshëm”. “Është një grumbull informacioni i rremë, që shërben si mjet politik për SHBA-në dhe shtetet tjera perëndimore, me qëllim të përdorimit të Ksinjiangut për ta ndalur hovin e Kinës”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.
/Rel/