3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse e duam Ramazanin!?

Më të lexuarat

Bahri Curri

Ramazani është muaj i mirësive të shumta, andaj dhe besimtarët muslimanë e duan pa masë dhe e respektojnë në çdo formë. Për këtë ne në vazhdim do të cekim disa nga arsyet pse ne muslimanët e duam Ramazanin.

Prej arsyeve të tilla janë:

1.                  Urdhër dhe adhurim i Zotit;

Në rend të parë dhe mbi të gjitha e duam Ramazanin, sepse është urdhër nga Allahu dhe është adhurim i Zotit. Andaj dhe në çfarëdo rrethanash besimtarët muslimanë nuk e kundërshtojnë atë, por vetëm thonë:

“Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” (Bekare, 285)

Allahu në Kur’an thotë:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim.” (Bekare, 183),

e ai agjërim bëhet në ditë të caktuara, ku thotë:

(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara.” (Bekare, 184), e

(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit.” (Bekare, 185)

Robi me agjërim adhuron Allahun duke lënë gjërat e lejuara e edhe ato të që i pëlqen për hir të Tij.

2.                  Themel i Islamit;

Ramazani dhe agjërimi i tij është njëri prej pesë themeleve të Islamit, Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Islami ngritet mbi pesë shtylla: Dëshmia se s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, vizita e Qabes dhe agjërimi i Ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi)

3.                  Arritja e devotshmërisë;

Agjërimi është një nga format për arritjen e devotshmërisë. Allahu në Kur’an thotë:

“…Kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

4.                  Rahmet, magfiret dhe shpëtim nga zjarri;

Dhjetëshi i parë i Ramazanit është rahmet, dhjetëshi i dytë është magfiret, ndërsa dhjetëshi i tretë është shpëtim nga zjarri.Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Është një muaj, i cili fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri.” (Transmetojnë Ibën Huzejme dhe Bejhekiu)

5.                  Hapja e dyerve të xhenetit;

Në Ramazan bëhet hapja e dyerve të xhenetit, në hadith thuhet:

“Kur të vjen Muaji i Ramazanit hapen dyert e xhenetit…” (Buhariu e Muslimi)

6.                  Mbyllja e xhehenemit dhe prangosja e shejtanëve;

Në këtë muaj mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët, në hadith thuhet:

“Kur të vjen Muaji i Ramazanit… mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” (Buhariu e Muslimi)

7.                  Era e gojës së agjëruesit;

Era e gojës së agjëruesit është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu se sa era e miskut, në hadith thuhet:

“Era e gojës së agjëruesit është më e dashur dhe më e mirë tek Allahu sesa era e miskut” (Ahmedi, Bezari, Bejhekiu dhe Ebu Shejh)

Në këtë kategori bën pjesë edhe çdo gjë tjetër që shkaktohet nga adhurimi i Allahut, sikur gjaku i shehidit, djersa e haxhiut, pluhurimi i këmbëve të muxhahidit etj.

8.                  Ramazani dhe Kur’ani ndërmjetësojnë;

Agjërimi i Ramazanit dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për atë që vepron dhe punon sipas tyre, Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: O Zoti im, unë e kam ndaluar atë nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, ma lejo që të ndërmjetësoj për të. Ndërsa Kur’ani thotë: Unë e kam ndaluar atë nga gjumi gjatë natës, ma lejo që të ndërmejtësoj për të. Thotë: Dhe ata do të ndërmjetësojnë.” (Shënon Ahmedi, ndërsa Hakimi e saktëson)

9.                  Melekët kërkojnë falje për agjëruesit derisa të bëjnë iftar;

Melekët janë krijesa fisnike dhe që nuk gabojnë kurrë. Për nder të agjërimit të besimtarëve, luten për agjëruesit dhe kërkojnë falje për ta gjatë tërë kohës sa ata janë agjërueshëm. Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Melekët kërkojnë falje për ta derisa të bëjnë iftar.” (Ahmedi, Bezari, Bejhekiu dhe Ebu Shejh)

10.              Allahu zbukuron xhenetin e Tij çdo ditë për agjëruesit;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Allahu çdo ditë e zbukuron xhenetin e Tij dhe thotë: Është afruar koha që robërit e mi të mirë të heqin barrën e mundimin dhe të vijnë e të vendosen tek ti (d.m.th. në xhenet).” (Ahmedi, Bezari, Bejhekiu dhe Ebu Shejh)

11.              Ua fal atyre mëkatet në natën e fundit;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“…Dhe ua falë atyre mëkatet në natën e fundit.” (Ahmedi, Bezari, Bejhekiu dhe Ebu Shejh)

Përderisa ata kanë vepruar drejt dhe janë angazhuar me adhurime e ibadete. Allahu ua jep shpërblimin secilit sapo ta kryen punën.

12.              Është veçori e të gjithë pejgamberëve dhe umeteve;

Allahu i Lartësuar thotë:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush.” (Bekare, 183)

Pra secili pejgamber e ka pasur si adhurim edhe agjërimin, edhe pse kanë ndryshuar në formë dhe në kohë nga ne.

13.              Me agjërim largohet fytyra nga zjarri i xhehenemit;

Me një ditë agjërim largohet fytyra nga zjarri i xhehenemit për 70 vjet larg. Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Kush agjëron një ditë duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, Allahu do t’ia largojë fytyrën e tij nga zjarri i xhehenemit për 70 vjet larg.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ndërsa ka edhe transmetime tjera që thuhet për 100 vjet dhe për 500 vjet.

14.               Një farz të kryhet në Ramazan shpërblehet sa 70 farze të kryhen jashtë Ramazanit;

“E kush e punon një farz në të, ka shpërblimin sikur t’i ketë kryer 70 farze jashtë tij.” (Transmetojnë Ibën Huzejme dhe Bejhekiu)

15.               Një nafile të kryhet në Ramazan, shpërblehet sa një farz të kryhet jashtë Ramazanit;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Kush punon në të një të mirë, ka shpërblimin sikur ta ketë kryer një farz jashtë Ramazanit.” (Transmetojnë Ibën Huzejme dhe Bejhekiu)

16.               Në Ramazan është Nata e Kadrit;

Në Ramazan gjendet Nata e Kadrit, e cila në adhurim është më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” (Kadr, 3)

Pra shpërblimi për adhurimin e bërë gjatë Natës së Kadrit është sa një mijë muaj adhurim, gjegjësisht 83 vjet e katër muaj. Madje më shumë se mosha mesatare e Umetit tonë, sepse mosha mesatare siç ceket në hadith është mes 60-70 vjeç, ndërsa me vetëm një natë fitohet shpërblimi kaq i madh. Madje kjo është një mëshirë e madhe e Allahut ndaj nesh, ku duke pasur parasysh umetet e mëhershme që kanë jetuar më gjatë kanë pasur mundësi ta adhurojnë Allahun e të fitojnë shpërblime më shumë, ndërsa neve na e mundësoi që me kohë të caktuara, e ndër to edhe Nata e Kadrit, të fitojmë shumëfish shpërblime. Imam Maliku shënon në Muvetain e tij një hadith me sened mursel në të cilin thuhet: “Pejgamberi s.a.v.s. e pa jetëgjatësinë e popujve para tij, aq sa ka dashur Allahu që ai të shohë, dhe sikur iu duk e shkurtër jetëgjatësia e Umetit të tij sa që ata nuk mund të punojnë e të arrijnë sa kanë punuar të tjerët me kohën e tyre të gjatë të jetës. Atëherë Allahu ia dha Natën e Kadrit, që është më e vlefshme se një mijë muaj.”

17.              Arritja e kënaqësisë në dynja dhe në ahiret;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Besimtari ka dy gëzime: Një gëzim me rastin e iftarit të tij (në Ramazan), dhe një gëzim me rastin e takimit me Zotin e tij (në ahiret).” (Muslimi)

18.              Është muaj i përgjigjes së duasë;

Allahu thotë në Kur’an:

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.” (Bekare, 186)

Prandaj kjo edhe na nxitë që ne të bëjmë sa më shumë dua e lutje, e sidmos me rastin e iftarit, ku dihet se:

“Agjëruesit me rastin e iftarit duaja nuk i refuzohet.” (Ibën Maxhe)

Po ashtu ka edhe hadithe tjera, si:

“Tre dua janë që gjithsesi pranohen: Duaja e agjëruesit, duaja e atij që i është bërë e padrejtë, dhe duaja e udhëtarit.”

Si dhe:

“Tre dua nuk refuzohen: Duaja e prindit për fëmijën, duaja e agjëruesit dhe duaja e udhëtarit.”

19.              Ramazani është muaj i Kur’anit;

Ngase në të filloi zbritja e tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani…”(Bekare, 185)

20.               Leximi i Kur’anit;

Leximi i Kur’anit bëhet në dy forma: Lexim tekstual dhe lexim legjislativ. Për vlerën e leximit të tij ka shumë argumente, ndër to:

“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin (për vete) dhe ua mëson atë edhe të tjerëve.” (Buhariu), si dhe:

“Shembulli i besimtarit që lexon Kur’an është sikur shembulli i qitros që ka aromën e mirë dhe shijen e mirë. Ndërsa shembulli i besimtarit që nuk lexon Kur’an është sikur shembulli i hurmës që s’ka aromë edhe pse shijen e ka të ëmbël.” (Buhariu e Muslimi)

21.               Ramazani është shkollë e veçantë;

Është shkollë e veçantë për kualifikim dhe përgatitje për në vit, është shkollë e pashembullt edukative. Bën përgatitje dhe ngritje jo vetëm fizike, por edhe mendore e shpirtërore. E bën njeriun të kompletuar dhe të afërt me Zotin. E kalit për sfida dhe e aftëson për jetë.

22.               Ramazani simbolizon unitetin e muslimanëve;

Njëshmëria e besimit të muslimanëve simbolizon edhe unitetin e tyre, e sidomos në Ramazan. Në të njëjtën kohë agjërojnë, bëjnë iftar, çohen në syfyr, shkojnë në xhami, vizitohen e ndihmohen mes vete, etj. Organizohen dhe veprojnë si të jenë një trup i vetëm. Ky është edhe shpirti dhe fryma e Ramazanit tek muslimanët. Fitojnë kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë e harmoninë mes vete.

23.              Shpërblimi për agjërim nuk përcaktohet me shifër, këtë e di vetëm Allahu;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Allahu i Lartësuar thotë: Çdo punë e njeriut është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë shpërblej për të.” (Buhariu dhe Muslimi)

24.              Allahu shumëfishon në të shpërblimet;

Allahu i shumëfishon shpërblimet ndaj robërve të tij që bëjnë vepra të mira në çdo kohë, nga dhjetëfish e deri në shtaqëqindfish më shumë, e në Ramazan pa llogari.

25.               Syfyri në të që ka shumë bereqet;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Çohuni në syfyr (sehur), sepse në syfyr ka bereqet”.

26.               Përmbledh të gjitha llojet e adhurimeve në të;

Ramazani përmbledh të gjitha llojet e adhurimeve në të, si: Namazi, agjërimi, sadakaja, iftari, zekati, umreja, vizitat e farefisit, ndihmat nevojtarëve, itikafi, syfyri, lexim Kur’ani etj.

27.               Bashkon zemrat;

Ngase muslimanët në të gjitha adhurimet janë bashkë dhe të afërt mes vete si në iftar, syfyr, teravi, kijamu lejl, hatme, vizita, ndihma, zekat, organizime, namaze etj.

28.               Ngjarje të mëdha kanë ndodhur mu në Ramazan;

Ngjarje të shumta e të mëdha kanë ndodhur në Ramazan, si Beteja e Bedrit, Çlirimi i Mekës, Shpallja e Kur’anit, madje të gjitha librat qiellore janë shpallur në Ramazan, etj.

29.               Dobitë e shumta shëndetësore nga agjërimi;

Përveç efektit imanor e shpirtëror, agjërimi ka edhe shumë dobi të mëdha shëndetësore, ku studimet shkencore bashkëkohore gjithnjë e më shumë janë duke e vërtetuar këtë, dhe madje nxitin në praktikën e agjërimit.

30.              Dera Rejan e xhenetit e rezervuar që të hyjnë në xhenet përmes saj vetëm për agjëruesit;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Në xhenet është një derë nëpër të cilën do të hyjnë agjëruesit në Ditën e Gyjkimit, nuk do të hyjë askush tjetër përveç tyre. Pasi që të hyjnë ata, do të mbyllet dhe s’do të hyjë më askush.” (Buhariu dhe Muslimi)

31.               Falja e mëkateve dhe fshirja e të këqijave;

Allahu ua legjitimoi robërve të Tij shumë vepra të mira, me të cilat ua fshinë të këqijat, ua falë mëkatet dhe i pastron ata. Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan, shlyejnë mëkatet e vogla që bëhen në ndërmjet tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.”  (Muslimi)

Po ashtu thotë:

“Kush agjëron Ramazanin me besim të plotë dhe me shpresë në shpërblimin e Allahut, do t’i falen gabimet e bëra më parë.” (Buhariu dhe Muslimi)

32.              Agjërimi është mburojë për agjëruesin;

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Agjërimi është një mburojë, me të cilën robi mbrohet nga zjarri i xhehenemit.” (Shënon Ahmedi)

33.              Namazi në Ramazan, xhemati dhe tubimet;

Allahu i Lartësuar përveç pesë kohëve të namazit obligativ, ka ligjësuar edhe namaze tjera në Ramazan, si teravitë, namazi i natës për t’i afruar robërit sa më afër Tij. Pastaj falja e tyre me xhemat, organizimi i tubimeve të ndryshme që janë veçori e Ramazanit. Pejgamberi a.s. thotë:

“Kush falë namaz gjatë Ramazanit me besim të plotë dhe me shpresë në shpërblimin e Allahut, do t’i falen atij mëkatët e bëra më parë.” (Buhariu dhe Muslimi)

34.               Ramazani është lehtësues;

Ramazani është lehtësues në shpirt e në zemër, por edhe në praktikë është gjithashtu lehtësues. Parasheh lehtësime për të gjitha kategoritë e njerëzve që kanë probleme në Ramazan.

35.               Zemra, mendja dhe shpirti kanë mundësi për meditim;

Gjatë kësaj kohe njeriu ka mundësi të meditojë, të mendojë për veten, për Zotin dhe të mirat që ia ka dhënë. Po ashtu edhe për rolin e tij në këtë botë.

36.               I pasuri ia di vlerën e të mirave që ia ka dhënë Allahu;

Njeriu që posedon pasuri dhe të mira të shumta nga Allahu, ia di vlerën atyre dhe i shfrytëzon në të mirë, si dhe e falënderon Allahun. Ramazani është një rast i mirë për t’i kuptuar këto, sidomos kur agjëron, ia di vlerën ushqimit dhe ua beson skamnorëve, etj.

37.              Përmbajtja e vetvetes dhe mbajtja nën kontroll e gjendjes;

Agjërimi e mëson njeriun që ta përmbajë veten nga epshi, lakmia, nervoza, kacafytja etj. Pejgamberi s.a.v.s. thotë:

“Nëse dikush e ngacmon apo e ofendon, le të thotë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm!” (Buhariu)

38.               Largimi nga mendjemadhësia dhe pranimi i të vërtetës;

Agjërimi dhe Ramazani i ndihmojnë njeriut ta kuptojë pafuqinë e tij dhe nevojën për Krijuesin e tij. Prandaj largohet nga mendjemadhësia dhe pranon realitetin e i kthehet rrugës së drejtë.

39.               Ngushtohet qarkullimi i shejtanit;

Pejgamberi s.a.v.s. na tregon se shejtani qarkullon nëpër venat e njeriut, ndërsa me agjërim i ngushtohet qarkullimi dhe lëvizja e tij.

40.              Ramazani muaj i pendimit dhe faljes;

Ramazani është rast ideal për pendim dhe kërkimfalje. Është mundësi për të bërë revolucion në jetën e njeriut.

41.              Ramazani muaj i mëshirës;

Pejgamberi a.s. na mëson se ky është muaj i mëshirës. Dihet që mëshira e Allahut ekziston çdoherë dhe është prezente tek ne, mirëpo në Ramazan njerëzit bëjnë më shumë vepra të mira dhe kjo mundëson ma tepër reflektimin e mëshirës së Allahut në ne.

42.              Ramazani dhe sadakaja;

Ramazani i mëson njerëzit të japin ndihma e sadaka. Prandaj nga kjo natyrë janë edhe zekati e sadekatul fitri, përveç ndihmave e kontributeve tjera.

43.              Ramazani dhe itikafi;

Ramazani shquhet edhe me një adhurim të veçantë, e që është itikafi. Është një vetmbyllje në xhami duke iu përkushtuar adhurimit të Zotit gjatë tërë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.

44.               Ramazani dhe bajrami;

Dhe në fund fare, si shënim të finalizimit të të gjitha këtyre adhurimeve gjatë Ramazanit, Allahu na e ligjësoi festimin e kësaj të arriture dobiprurëse për besimtarët, pra me Bajram që festohet anembanë trojeve ku ka muslimanë.

Allahu na bëftë prej atyre që i shërbejnë Ramazanit dhe përfitojnë prej tij. Aminë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit