1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pse duhet të durojmë!

Më të lexuarat

Nga Blendi Fevziu

Po më ndodh diçka që nuk e kam pasur asnjëherë të mjaftueshme më parë. Kam kohë. Shumë kohë. Qëndroj ulur përballë Tv me orë të tëra, por nuk përqëndrohem dot të ndjek një film. Lëviz nëpër kanale informative, shoh lajme, pastaj prapë lajme.

Librat janë të gjithë në krah të kolltukut tim, por sapo nis e ndjej që kam kohë por jo përqëndrim. Nuk vijoj dot më tej. Qëllon që një paragrafi i kthehem disa herë. Derisa e lë. Shoh prapë lajme. Lidhem në telefon me mjekët apo persona që ndjekin gjendjen e emergjencës. Herë-herë dal të shoh se çfarë ndodh në rrugët e shkretuara të Tiranës, apo të flas duke ruajtur distancën me kalimtarë të rastësishëm. Po aq sa me policët apo shitëset e farmacive, që qëndrojnë në detyrë. Janë të gjithë të formatuar njësoj, tejet të sjellshëm, por po kaq të shqetësuar. Nuk ka shpërthime, nuk ka mëri, ka vetëm paqartësinë. Nuk e kuptojnë çfarë ndodhi kaq shpejt dhe më e keqja askush s’e di sa do zgjasë.

Nuk më ka ndodhur kurrë diçka si kjo! Në 30 vite si gazetar, ose edhe më tej, në kujtesën time prej 50 vjeçari.

Nuk e kam fjalën për rrugët e shkreta të Tiranës; as për dyqanet e mbyllura me qepenat e ulura. I kam parë këto edhe në 12 apo 13 Mars të 1997.

Nuk flas për ankthin. E kam prekur atë shumë herë në këto 30 vite. Kur mijëra burra, gra e fëmijë, hidheshin mbi anijet që lundronin të tejmbushura drejt Italisë në Mars apo Gusht të 1991; Në ditët e epidemisë së kolerës në shtator 1994; në orët e frikshme të 14 shtatorit 1998.

Nuk flas as për karantinën e vetëdetyruar. Në Mars 1997 u mbyllëm në shtetrrethim për 6 muaj të tërë. Në atë kohë interneti nuk ekzistonte dhe komunikimi në distancë nuk ishte ky që është sot.

E kam fjalën për ankthin e mosnjohjes që po na cfilit të gjithë. Për pasigurinë e asaj që vjen më pas. Që askush nga ne nuk e di me saktësi.

Deri më sot “e keqja” ka qenë e njohur. Dije nga të ruheshe. Sot, cfilitja më e madhe është pikërisht të identifikosh rrezikun. Ai është kudo, por s’e dallon dot lehtë. Kjo na ka bërë mosbesues, ka ndryshuar thellë stilin tonë të jetesës. Sheh me dyshim çdo të afërm apo të njohur që ke përballë. Pastaj, dallon që dyshimi ekziston edhe tek ai. Tek mënyra si të sheh, si të qëndron në të njëjtën largësi që beson se është i mbrojtur. Kush është bartësi, kush është i infektuari?! Dyshimi dhe mosbesimi bëhen pjesë e jetës.

Në gjithë rastet e tjerë besonim se zgjidhja do të vinte shpejt. Besonim tek ndihma e botës. Këtë herë bota ngjan po aq e gjunjëzuar sa ne, po aq në ankth. Eshtë hera e parë që s’kemi nga të presim ndihmë. Eshtë hera e parë që nga viti 1918 që epidemia gjunjëzon pikërisht botën e zhvilluar: Kinën, SHBA, Italinë, Francën, Spanjën, Britaninë dhe jo vendet e varfëra të Afrikës apo Amerikës latine. Edhe HIV apo Ebola shkaktuan miliona viktima, por asnjë prej tyre nuk preku në mënyrë radikale mënyrën e jetesës së demokracive perëndimore. Koronavirusi po e bën këtë. Bota është e gjitha në karantinë dhe zemra ekonomike e planetit po merr goditje të forta.

Nuk eshtë e lehtë të qëndrosh në izolim. Të kalosh orë të tëra në një hapësirë të vogël pa e ditur se si do jetë dita që vjen. Por nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veç kësaj. Ne e dimë që sistemi ynë shëndetësor ka shumë probleme. Nëse gjithçka do ta linim në dorë të tij, katastrofa do ishte e sigurtë. Pa i ndihmuar ne mjekët, nuk na ndihmojnë dot ne ata. Nëse nuk izolohemi, nëse nuk frenojmë rastet, nëse ato shtohen nga papërgjegjshmëria jonë, mjekët e kanë të pamundur të na shërbejnë. Është fatale që njerëzit që kanë dyshim shkojnë tek mjekët dhe nuk ju tregojnë që kanë udhëtuar nga Italia apo kanë pasur kontakte me persona të infektuar. Siç ndodhi në disa rrethe dhe Tiranë. Çdo mjek i infektuar është një ushtar më pak në betejën me virusin. Një ushtar më pak janë disa jetë më shumë të rrezikuara. Ndaj çdo gjë fillon nga ne. Italia tregoi se dhe një nga sistemet më të përparuara shëndetësore të botës mund të kolapsohet. Nju Jork Tajms botoi dje një shkrim me parashikime të frikshme.

Duke ju referuar skenarëve të CDC, (Qendrës Amerikane të Kontrollit të Sëmundjeve dhe Parandalimit të tyre), NYT sqaron se skenari më i keq parashikon se do infektohen midis 160 – 214 milion amerikanë. Po sipas këtij skenari, humbjet e jetës mund të jenë 200 mijë – 1.7 milion. 2.4 – 21 milion amerikanë mund të kenë nevojë për trajtim spitalor. Por Amerika ka vetëm 925 mijë shtretër të gatshëm. Pra në skenarin ekstrem dhe më të rëndë kolapsohet edhe vendi më i fuqishëm i botës. Ndaj ka vetëm një zgjidhje. Izolim dhe frenim të infektimit.

Nuk e dimë sa do zgjasë. Me siguri nuk do jetë e shkurtër. As këtë javë, as tjetrën. Do jetë një betejë e gjatë me virusin, po aq sa me monotoninë dhe izolimin. Masat mund të jenë edhe më drastike. Si në Kinë, Itali apo Spanjë. Por duhet ta dimë. Kjo është beteja jonë, ose mënyra e vetme për ta fituar këtë betejë me sa më pak humbje.

Por frika dhe paniku nuk mund të ndalë pjesën jetike tonën. Mjekët do shkojnë në punë. Po ashtu infermierët. Shoferët e ambulancave, operatorët e urgjencës, shitësit e ushqimeve, farmacistët, kamionistët dhe punëtorët e furnizimeve, ata të pastrimit; gazetarët që do informojnë, punonjësit e policisë dhe të ushtrisë, punonjësit e aeroporteve, pilotët dhe stjuardesat.

Një armatë e tërë që do rrezikojë për të qenë më të mbrojtur të tjerët. Ndaj nuk duhet t’ju krijojmë panik. Duhet ta kuptojnë që do mbyllet ai që nuk është i domosdoshëm dhe duhet të vijojë punën ai që e ka për detyrë.

Nuk mbaj mend kurrë një gjendje si kjo. Por me gjasë jeta është e tillë. Më ngjan sikur rilexoj “Murtaja” e Kamysë. Madje dje e nxorra nga biblioteka për ta lexuar sërish. 35 vjet më parë ishte për mua një libër i shkruar bukur. Sot, me siguri ka tjetër ndjesi. Nuk është e lehtë të jetosh në karantinë. Po nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar veten dhe të tjerët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit