21.8 C
Pristina
Tuesday, July 9, 2024

Pse do humbë ky faraon sionist

Më të lexuarat

Mesazhi i “Ushtrisë së Jetimëve” nga Gaza

Nga Yasin Aktay 

Izraeli vazhdon të kryejë mizoritë e tij brutale në Gaza për më shumë se dy muaj. Krimi i tyre ka arritur në një nivel të paimagjinueshëm, pa fije njerëzillëku. Sionistët bëjnë gjithçka që mendja njerëzore nuk mund ta imagjinojë apo pranojë.

Numri i të vdekurve në Gaza është afër 20,000 njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve janë fëmijë, gra dhe të moshuar. Nga ana tjetër, forcat pushtuese nuk kanë arritur deri më tani një qëllim të vetëm të rëndësishëm ushtarak. Okupatori sionist tashmë është pothuajse i sigurt se nuk do të arrijë dot pikën e eliminimit të Hamasit, qëllimin që ai e ka shpallur që në fillim të agresionit të tij, nëse nuk e shkatërron plotësisht Gazën dhe nuk vret të gjithë njerëzit që jetojnë atje.

Nuk ka dyshim se është naive të shtrohet pyetja për numrin e fëmijëve që duhen vrarë në mënyrë që pushtuesi sionist të arrijë këtë qëllim, sepse është e qartë se sionistët nuk kanë ndërgjegje, nuk kanë skrupuj moralë dhe nuk kanë kufizime në lidhje me vrasjen e fëmijëve. Dhe jo vetëm që sionistët vrasin fëmijë, por në mënyrën më brutale ata vrasin të moshuarit, gratë, civilët, gazetarët, punonjësit e shëndetësisë e ekipet humanitare dhe nuk respektojnë asnjë normë dhe kufi të njohur ndërkombëtarisht, sepse entiteti sionist është pasardhës i Amerikës dhe Evropës dhe gëzon mbështetjen e tyre të plotë. Prandaj guxojnë të bëjnë krime të tilla që i bëjnë fëmijët, të cilëve nuk u jepet mundësia për të jetuar, të thinjohen në një çast.

Në këtë kontekst, falsiteti i të gjitha rregullave, i të gjitha pretendimeve dhe i gjithë retorikës që lidhet me një sistem në të cilin ata që shkelin rregullat morale nuk ndëshkohen aq lehtë, sepse janë të sigurt nga ndëshkimi, u zbulua për të gjithë. Thuhet: “Ai që është i sigurt nga dënimi, ai sillet keq”.

Prandaj, ne shohim se si Izraeli është gati të shpërdorojë të gjitha rezervat e tij të sekularizmit, modernitetit dhe vlerave njerëzore në trajtimin e forcave palestineze të rezistencës. Po kështu, bota perëndimore është gati të humbasë të gjitha vlerat e sekularizmit, iluminizmit, racionalizmit dhe demokracisë që ka fituar gjatë tre shekujve dhe është betuar për të, si dhe të falimentojë plotësisht për të shlyer borxhet ndaj sionizmit ekstremist.

Dita ditës, krimet kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Gaza bëhen gjithnjë e më të tmerrshme. Në të njëjtën kohë, pasi fillimisht u përpoq të mbronte bombardimet e spitaleve, shkollave, xhamive, kishave dhe tregjeve, Izraeli nuk përpiqet më të mbrojë apo justifikojë krimet e tij. Dhe ashtu si një fitore anulon një fitore të mëparshme, ashtu edhe krimi tjetër, edhe më brutal dhe më i urryer, fshin krimet që i paraprinë, zhvlerëson rëndësinë e tyre dhe zvogëlon ndikimin e tyre.

Të gjithë janë nën kontroll

Meqenëse krimi sionist ka arritur në nivelin e bombardimeve të spitaleve, a ka kuptim të flasim edhe për vrasjen e rastësishme të civilëve nga bombardimet ajrore? Nëse hyjnë nëpër spitale dhe vrasin fëmijë në kopshte, a mund të flasim për bombardimin e spitaleve me aeroplanë? Nëse do të bombardonin ambulancat dhe autokolonat mjekësore që lëviznin në jug dhe do të vrisnin qindra të plagosur, pasi kërkuan të shkonin atje, a do të kishte kuptim ndonjë bisedë? Prandaj, çdo hap që Izraeli hedh në krimin e tij bëhet lehtësim dhe licencë për të, apo edhe një përfitim që e çon atë në nivelin më të lartë të çnjerëzimit.

Përfundimi është se të gjithë janë nën kontroll, qoftë Amerika apo Evropa, dy fuqitë që kanë aftësinë për të kryer dënimin nga njëra anë, si dhe liderët e vendeve myslimane që mund ta kundërshtojnë atë nga ana tjetër.

Ne vetëm mund të hamendësojmë se sa kredibilitet gëzon Izraeli kur kryen të gjitha këto mizori dhe më pas akuzon të tjerët për vrasjen e fëmijëve. Çfarë e solli entitetin sionist në këtë pikë indiferente ndaj protestave, fajësimit dhe mallkimit të miliona njerëzve si pasojë e këtyre skenave që zgjojnë ndërgjegjen dhe i bëjnë të gjithë të turpëruar për humanizmin e tyre?

Në mesin e afro 20 mijë banorëve të vdekur të Gazës, ka më shumë se dhjetë mijë fëmijë, dhe sigurisht këto nuk janë vetëm shifra, por jetët dhe e ardhmja e familjeve që të gjitha janë fshirë nga regjistrat.

Idetë dhe besimet cinike të sëmura

Krimet e tmerrshme të kryera nga Izraeli janë rezultat i ideve dhe besimeve të tij të sëmura, të cilat janë shumë të ngjashme me idetë dhe besimet e Faraonit, si dhe me dëshirën e tij për pushtet dhe fuqi, si dhe fiksimin e tij me profecinë që e bëri atë të vriste të gjithë fëmijët meshkuj, sepse e kuptoi se do të shkatërronte mbretërinë e tij vetëm një djalë nga Benu Israil. Faraoni e ekzagjeroi interesimin e tij për këtë profeci dhe paranoja dhe mburrja e tij për fuqinë e tij bëri që ai të derdhte gjakun e fëmijëve meshkuj të pafajshëm hebrenj, duke lënë gjallë fëmijët e tyre femra. Megjithatë, frika paranojake sioniste i ka tejkaluar ato të faraonëve, deri në atë masë që vrasin të gjithë fëmijët, pavarësisht nëse janë meshkuj apo femra.

Izraeli është një agresor dhe një vrasës që kryen gjenocid, dhe megjithatë gjen ata që vetëm dhe ekskluzivisht i japin të drejtën për të mbrojtur veten, ndërsa ua mohojnë të tjerëve këtë të drejtë. Kushdo që dëshiron të mbrohet dhe tregon prirjen më të vogël për dhunë në emër të kësaj mbrojtjeje është për ta terrorist. Dhe unë ju pyes: “Si mund të simpatizohet dikush me dikë që vret foshnjat në djep?” Sigurisht, këta fëmijë një ditë do të arrijnë moshën ku do të mund të luftojnë pa frikë dhe ashpër kundër Izraelit dhe t’i dëbojnë nga toka e tyre dhe nga toka e të parëve të tyre.

Izraeli u përpoq të impononte këndvështrimin e tij mbi të ashtuquajturat botë e qytetëruar, dhe është e qartë se Amerika dhe Evropa e kanë pranuar këtë propozim të pushtimit dhe agresionit sionist. Por pavarësisht kësaj, supozimi se kjo rrugë, në të cilën Izraeli dëshiron të tërheqë gjithë botën, do të pengojë një fëmijë palestinez të arrijë moshën ku do të përballet me faraonin, është larg të qenit i saktë, sepse Musai, paqja qoftë mbi të, u  mbijetoi të gjitha komploteve dhe makinacioneve të faraonit, duke ekspozuar padrejtësinë dhe krimet e mëdha të kryera nga ai.

Sot, rreth 85% e pjesëtarëve të forcave palestineze të rezistencës, të cilat po përgatiten të çlirojnë tokën e tyre, janë fëmijë të baballarëve të vrarë nga Izraeli në luftërat e mëparshme, dhe këto forca njihen si “Ushtria e Jetimëve”. Kjo ushtri ka një mesazh që dëshiron t’i dërgojë gjithë botës dhe ai thotë: “Ne jemi në fyt të Faraonit deri në ushtarin tonë të fundit, deri në frymën tonë të fundit”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit