0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pse Arabia Saudite do të mbesë superfuqia energjetike?

Më të lexuarat

Nëse lexon gazetat këto kohë, mund të mendosh se bumi i shumëpërfolur i prodhimit të energjisë në SHBA është aq i fortë sa do ta bëjë Arabinë Saudite dhe pjesën tjetër të kartelit OPEC të parëndësishëm. Parashikimet e kohëve të fundit të kryera nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, (IEA), thonë se Shtetet e Bashkuara do ta kapërcejnë Arabinë Saudite si prodhuesi kryesor i naftës bruto nga viti 2020, një zhvillim që do të vërë në pikëpyetje rolin e mbretërisë si ofrues strategjik botëror i energjisë. Por këto parashikime janë bazuar, së paku pjesërisht, në zbulimin e shpejtë dhe zhvillimin e burimeve jokonvencionale hidrokarbure në Shtetet e Bashkuara. Këto zbulime janë shumë larg të qenët të sigurt.

Në të vërtetë, ato janë nën varësinë e shumë faktorëve që mund të shfaqen me kalimin e kohës dhe është shumë e vështirë të parashikosh me bindje fundin e Arabisë Saudite si superfuqi energjetike.

Në të shkuarën, një debat mbi “pikun e naftës” parashikoi në mënyrë të gabuar se prodhimi botëror i naftës pati mbërritur – ose ishte shumë pranë – pikën maksimale të prodhimit. Debati mbi naftën argjilore po shkakton të njëjtin diskutim ekstrem, por në krah të kundërt.

Edhe IEA pranon se si burimet e ardhshme të naftës ashtu edhe çmimet e naftës bruto mbeten të panjohura të mëdha. Siç e tha edhe kryeekonomisti i IEA-s, Fatih Birol, në nëntor 2012, “rezervat e naftës së lehtë dhe të vogla janë shumë pak të njohura… Nëse nuk do të ketë burime të reja të zbuluara nëpër botë dhe për më tepër, nëse çmimet nuk janë aq të larta sa sot, atëherë ne do të shohim se Arabia Saudite do të rikthehet si prodhuesi kryesor i botës sërish.”

Administrata e Informacionit Energjetik të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë, parashikon se prodhimi i naftës bruto në SHBA do të arrijë kulmin në vitin 2020, në një kuotë që është afërsisht sa gjysma e asaj që parashikon IEA.

Falë teknologjive të reja të frakturimit hidraulik dhe shpimit horizontal, burime nafte “të ngushta”, pra xhepa nafte të vogla të zëna në shkëmb apo në shtresa ranore e argjilore, po bëhen gjithnjë e më të arritshme. Këto metoda prodhimi të përmirësuara janë duke pasur një ndikim të madh në ofertën energjetike amerikane, duke kontribuuar me mesatarisht 43 për qind në rritjen e prodhimit amerikan që nga viti 2008.

Shumë pyetje mbeten pa përgjigje mbi historinë e naftës jokonvencionale të SHBA-së, pavarësisht se kjo histori mund të ketë efekte afatgjata dhe transformuese në tregjet botërore të naftës. Për shembull, kërkesa për naftë do të duhet të reduktohet në mënyrë thelbësore – veçanërisht në Azinë në ngritje – në mënyrë që furnizimet nga SHBA-ja të bëhen të plotfuqishme.

Ndikimi i naftës jokonvencionale të SHBA-së nuk i ka zhytur në depresion çmimet e naftës, të cilat kanë qenë goxha të qëndrueshme deri më sot. Për më tepër, parashikimi i IEA-s, që thotë se Amerika e Veriut do të bëhet një eksportues neto nafte nga viti 2030, varet jo vetëm nga fakti se sa naftë do të prodhojnë Shtetet e Bashkuara, por edhe nga prodhimi i Kanadasë dhe Meksikës. Sipas parashikimit hiperoptimist të IEA-s, Shtetet e Bashkuara mund të kapërcejnë Arabinë Saudite në likuide – megjithëse jo në naftë bruto – për një periudhë të shkurtër.

Edhe në këtë pikë, një rritje në shkallën e vetëmjaftueshmërisë vështirë se do të eliminojë nevojën e SHBA-së për importe. Reagimi i OPEC dhe kohezioni mes anëtarëve të këtij blloku do të ndikojë në mënyrën se si tregjet globale do t’u përgjigjen zhvillimeve amerikane.

Shpërndarja e teknologjisë mundet gjithashtu të përcaktojë edhe shkallën e furnizimit nga vendet e tjera jo anëtare të OPEC-ut. Kërkesa do të jetë përcaktuesi final i oreksit të Amerikës për naftë dhe energji. Në mënyrë që ky vend të bëhet më pak i varur nga importet, kërkesa do të duhet të ulet përmes rritjes së eficiensës së përdorimit të energjisë. Por deri më sot, ka shumë pak të dhëna që të tregojnë se kjo po ndodh.

Eksportet e naftës nga Lindja e Mesme për në Amerikë, veçanërisht nga Arabia Saudite, qenë më të larta më 2012-n se të gjitha vitet e tjera që kur filloi prodhimi i naftës jokonvencionale në shkallë të gjerë. Ndoshta ajo që është më e rëndësishme për konsumatorët amerikanë, është fakti që rritja e naftës jokonvencionale nuk nënkupton domosdoshmërish se do të marrin çmime më të ulëta me pakicë. Përveç dinamikës së kërkesës dhe ofertës, çmimet e naftës përcaktohen edhe nga ngjarjet gjeopolitike të botës.

Një arsye tjetër për të qenë skeptik mbi impaktin e parashikuar të naftës jokonvencionale në Shtetet e Bashkuara, është shpejtësia e jashtëzakonshme e rënies së prodhimit në fushat naftëmbajtëse argjilore. Më shumë se 80 për qind e prodhimit të naftës nga burimet e “ngushta” ose xhepat e vegjël naftëmbajtës, vjen nga dy burime: Formacioni Bakken në Dakotën e Veriut e në Montana dhe formacioni Eagle Fort në jug të Teksasit. Por rënia e prodhimit në një pus tipik në Bakken është shumë e shpejtë. Brenda 24 muajsh, prodhimi atje reduktohet në 20 për qind të asaj çfarë prodhohej në fillim të jetës së pusit.

Puset në Eagle Ford mund të arrijnë në fund të jetës së tyre të vlefshme ekonomike brenda katër vjetësh. Për rrjedhojë, një nga tregtarët më të mëdhenj të naftës, Andy Hall, së fundmi parashikoi se zbulimet e naftës argjilore në SHBA do të rrisin prodhimin vetëm për një periudhë të shkurtër kohore dhe kjo do të thotë se çmimet e naftës do të mbesin të larta.

Roli i Arabisë Saudite si furnizuesi më i sigurt i naftës në botë mbetet i padiskutueshëm. Kjo mbretëri, në mënyrë të përsëritur, ka ndihmuar në stabilizimin e tregjeve botërore të naftës dhe i ka mbajtur çmimet të ulëta përmes rritjes së prodhimit të vet – fillimisht në mes të vitit 2011 për të kompensuar mungesën e prodhimit nga Libia sërish herët më 2012-n në përgjigje të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Në atë kohë, Arabia Saudite e rriti prodhimin në nivelin më të lartë të 30 viteve të fundit, me rreth 10 milionë fuçi në ditë. Sauditët kanë bërë të njëjtën gjë gjatë kufizimeve në furnizim të shkaktuara nga luftërat e Gjirit Persik më 1991-shin dhe 2003-shin, si dhe për të kompensuar mungesën e prodhimit në Venezuelë të shkaktuara nga grevat gjatë viteve 2002 dhe 2003. Aktualisht, Arabia Saudite ka një kapacitet total prodhues prej 12.5 milionë fuçish në ditë, si dhe diçka rreth 2.5 dhe 3.5 milionë fuçi kapacitet rezervë për të plotësuar çdo mungesë të mundshme në tregun botëror.

Arabia Saudite disponon 50 për qind të kapacitetit rezervë prodhues të botës. Me fjalë të tjera, nafta argjilore në SHBA është shumë larg zëvendësimit të rolit të Arabisë Saudite si rezerva e naftës de facto strategjike e botës.

Por, edhe nëse Arabia Saudite është e sigurt në majë të hierarkisë botërore energjetike, asaj do t’i duhet të ndërmarrë reforma thelbësore gjatë viteve të ardhshme. Në përgjithësi, Arabia Saudite ka realizuar përmirësime mbresëlënëse në shumë indikatorë të zhvillimit njerëzor.

Shkalla e varësisë së këtij vendi – raporti mes popullsisë në moshë pune dhe popullsisë jashtë moshës së punës – ka rënë nga 79 për qind më 1990-n në 50 për qind më 2011-n, një shifër që është poshtë mesatares së klubit të vendeve të pasura OECD. Në mënyrë të ngjashme, prodhimi i brendshëm bruto për frymë mes viteve 2003 dhe 2012 u rrit me 250 për qind, ndërsa ekonomia e vendit u zmadhua me gati 3.5 herë.

E ardhmja e mbretërisë varet nga aftësia e saj për të ulur urinë e vet të brendshme për energji. Fakti që nafta mbart barrën kryesore në të ardhurat e qeverisë dhe eksportet e vendit është i pamohueshëm. Por ajo që është inkurajuese, është edhe se kontributi i naftës në prodhimin e brendshëm bruto të vendit po bie nga 65 për qind që ishte më 1973-shin, në 30 për qind vitin e kaluar. Sërish, Arabia Saudite do të duhet të shkurtojë konsumin e brendshëm, në mënyrë që të ruajë kapacitetin e vet eksportues. Përgjatë viteve të fundit, shumë vëzhgues, dhe më i rëndësishmi, shefi i gjigantit vendas të naftës Aramco, Khalid Al-Falih, kanë dhënë alarmin për normën shumë tepër të lartë të konsumit të naftës nga ekonomia saudite.

Konsumi vjetor për frymë i energjisë në Arabinë Saudite është dy herë më i lartë sesa ai i Shteteve të Bashkuara dhe gati katër herë më i lartë sesa i Gjermanisë, e cila ka një ekonomi pesë herë më të madhe sesa ajo e mbretërisë. Përdorimi i energjisë për banor është gjithashtu duke u rritur dhe mes viteve 2000 e 2010, konsumi i brendshëm i naftës u rrit me rreth 30 për qind – një kosto oportune e konsiderueshme për Arabinë Saudite. Gjatë vitit 2012, 22 për qind e prodhimit saudit të naftës u konsumua në vend, ku subvencionimet e rënda nxisin keqpërdorimin energjetik.

Situata në mbretëri është shqetësuese, por e zgjidhshme. Shtetet e Bashkuara u përballën me një situatë të ngjashme para vitit 1973, kur konsumimi i energjisë po rritej me më shumë se 3 për qind në vit.

Pas krizës së naftës dhe tronditjes së çmimeve në vitet 1970, ekonomia filloi të bëhej më eficiente në përdorimin e energjisë dhe në periudhën pas vitit 1973, konsumi u rrit me më pak se 1 për qind në vit. Arabia Saudite duket se po ndërmerr hapa të ngjashëm për të përmirësuar eficiensën. Për shembull, më 2010-n u krijua qyteti Mbreti Abdullah për energjinë atomike dhe energjinë e rinovueshme, si dhe fuqizimin e përpjekjeve të Aramco dhe Qendrës Saudite për Eficiensë Energjetike për krijimin e debatit kombëtar mbi reduktimin e subvencionimeve të kushtueshme energjetike dhe targetimi i subvencionimeve vetëm për popullsinë në nevojë.

Nëse Arabia Saudite ka nevojë të ngrihet në nivelin e sfidës, gjithsesi ajo do të ketë nevojë të vendosë edhe incentiva çmimesh për të ndryshuar mendësinë brenda mbretërisë. Sakaq, një strategji e transportit publik, përfshirë një metro dhe një sistem autobusësh – po zbatohet në zonat kryesore urbane, ndërsa prodhimi i energjisë po bëhet më eficient. Megjithatë, më shumë gjëra janë të nevojshme. Eficiensa në nivel familjar, ku konsumohet 55 për qind e energjisë elektrike, është e domosdoshme. Në veçanti, shtëpitë që kursejnë energji duhet të bëhen një standard, për shkak se aktualisht rreth 70 për qind e shtëpive kanë izolime të papërshtatshme. Konsumi i naftës mund të reduktohet gjithashtu përmes adaptimit agresiv të burimeve energjetike alternative, si dielli, ku Arabia Saudite ka një avantazh krahasues.

Por koha për reforma nuk pret. Sipas Agjencisë së Vlerësimit Fitch, çmimi i nxjerrjes së naftës në Arabinë Saudite, pra shpenzimet e nevojshme për mbulimin e kostove, është rritur nga 40 dollarë për fuçi më 2008-n, në 76 dollarë më 2012-n. Dhe në rast se shpenzimet publike vijojnë të rriten me ritmin aktual, kostoja e naftës mund të rritet në nivele të papërballueshme. Arabia Saudite duhet të kufizojë shpenzimet buxhetore në deri 50 dollarë për fuçi naftë të nxjerrë dhe sërish të plotësojë të gjitha detyrimet e veta për paga publike. Nëse çmimi i naftës bie në 80 dollarë për fuçi më 2014-n, surpluset e akumuluara deri tani do të jenë të mjaftueshme për të shkuar deri më 2030-n. Saudia nuk ka nevojë emergjente për të përmbajtur veten nga shpenzimet e fitimeve të naftës, për shkak se asetet e saj të huaja janë 711 miliardë dollarë. Këta janë jastëkë të stërmëdhenj fiskalë që mund të përdoren në rast se ka ndonjë krizë me prodhimin apo çmimet e naftës.

Disa analistë kanë arritur deri aty sa të parashikojnë një rënie katastrofike të çmimeve të naftës, si ajo që ndodhi në vitin 1986, kur çmimet ranë nga 27 dollarë për fuçi në më pak se 10 dollarë për fuçi. Por shanset që çmimet e naftës të bien në 50 dollarë për fuçi brenda pak viteve të ardhshme janë shumë të pakta, për shkak se epoka e naftës së lirë ka ikur. Shumë gjëra do të varen nga kërkesa botërore, e cila pritet të rritet nga kuota aktuale prej 89 milionë fuçish në ditë në rreth 110 milionë në vitin 2035. Kostoja margjinale (kostoja e realizimit të një njësie shtesë prodhimi) e prodhimit të naftës për 50 kompanitë kryesore energjetike të botës është rritur me 11 për qind në vit në përputhje me tendencën historike.

Aktualisht, prodhimi i një fuçie naftë nga një burim i ri është rreth 100 dollarë për fuçi. Pretendimi se çmimet do të ulen nga burimet alternative të naftës, si dhe nga përmirësimet në sistemin e transportimit, të tilla si gazi natyror i kompresuar, metanoli dhe elektriciteti – mund të jenë të vërteta, por këto alternativa kanë qenë përreth nesh prej kohësh dhe kanë pasur problemet e tyre në materializim.

Gjithsesi, politika e naftës e Arabisë Saudite nuk bazohet te nevoja për çmime tepër të larta për të plotësuar detyrimet e veta fiskale. Ky vend mund të zbatojë disiplinë fiskale pa dëmtuar shanset e veta për zhvillim. Bumi i kohëve të fundit në prodhimin e energjisë në SHBA është pozitiv dhe transformues, por përveç kësaj, vështirë se do të sjellë një ndryshim balancash pushteti nga skarciteti energjetik botëror te paradigma e bollëkut energjetik./GSH/Kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit