2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Pse arabët dhe muslimanët s’i zbatojnë dot vendimet e samitit të Riadit?

Më të lexuarat

Analizë mbi një impotencë që i jep dorë të lirë Izraelit të bëjë ç’të dojë me Gaza-n

Analistët besojnë se dështimi për të zbatuar vendimet e marra në samitin e fundit arabo-islam, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me përfundimin e rrethimit dhe këmbënguljen që ndihma të hyjë në Gaza, është e lidhur me mungesën e vullnetit politik dhe frikën se Izraeli mund ta zgjerojë atë që po bën në Gaza.

Udhëheqësit e vendeve arabe dhe islame bënë thirrje, në deklaratën përfundimtare të samitit të përbashkët arabo-islam të mbajtur në kryeqytetin saudit më 11 nëntor, për të ndaluar luftën në Rripin e Gaza-s, për t’i dhënë fund rrethimit të Gaza-s të vendosur nga pushtimi izraelit dhe për të lejuar hyrjen e autokolonave të ndihmës humanitare arabe, islame dhe ndërkombëtare.

Hossam Shaker, një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se kuadri kolektiv i mbështetjes midis arabëve dhe muslimanëve duhet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar mbulim për çdo lëvizje arabe për të sjellë autokolona humanitare në Rripin e Gaza-s. Ai shton se këtë qëndrim mund ta mbështesin edhe vende të tjera nga Amerika Latine, Afrika dhe Azia.

Megjithatë, samitit arabo-islam, i cili u mbajt së fundi në Riad, i mungon vullneti politik. Ai beson se impotenca arabe në rastin e Gaza-s është me shumë gjasa pasojë e frikës nga pushtimi izraelit. Veprimet e Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza po tmerrojnë rajonin dhe kjo që po ndodh po u dërgon një mesazh kryeqyteteve: “Kushdo që ngre kokën do të përballet me këto pasoja. Ne do të hedhim një bombë atomike mbi të”, siç tha një nga ministrat e qeverisë së Benjamin Netanyahu duke kërcënuar Gaza-n.

Pavarësisht nga impotenca arabe dhe rajonale, Shaker beson se presioni i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i shpejtë nga publiku arab mund të ndihmojë në forcimin e pozicionit zyrtar. Kjo mund të arrihet nga njerëzit që kërkojnë zbatimin e vendimeve të samitit të fundit në lidhje me Rripin e Gaza-s.

Në të njëjtin kontekst, Shaker thekson se rajoni arab, për shembull, ishte në gjendje t’i rezistonte vullnetit amerikan për çështjen e “OPEC plus” dhe të kontrollonte çmimet e naftës. Ai gjithashtu theksoi se rajoni arriti t’i rezistojë vullnetit amerikan dhe perëndimor në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin analitik “Gaza: Çfarë do të ndodhë?” në Al Jazeera, analisti arriti në përfundimin se arabët dhe muslimanët tani përballen me një konflikt vullnetesh: ose vullneti i samitit që u zhvillua kohët e fundit, ose vullneti i Netanyahu-t dhe ushtrisë së tij për të parandaluar hyrjen e çdo kolone humanitare në Gaza.

“Nëse arabët dhe muslimanët e humbin këtë betejë, do të thotë se loja ka mbaruar dhe ata nuk e kanë mësuar mësimin e 7 tetorit”, shpjegoi analisti.

Dr. Hassan Ayoub, profesor i politikës ndërkombëtare dhe krahasuese në Universitetin Kombëtar An-Najah, tha se një nga çelësat për t’i dhënë fund gjenocidit të Izraelit kundër banorëve të Rripit të Gaza-s është prania e një qëndrimi real dhe praktik arab dhe islam, jo vetëm parulla dhe deklarata dënuese.

Ai vuri në dukje se Liga Arabe nuk është më një platformë për krijimin e politikave arabe, për të shprehur pikëpamje të përbashkëta, për aktivizimin e një marrëveshjeje të përbashkët të mbrojtjes arabe, apo për të folur për një sistem të unifikuar arab për t’iu kundërvënë agresionit izraelit. Ai theksoi se ka mosmarrëveshje serioze dhe polarizime të mprehta pas revolucioneve të Pranverës Arabe dhe politikave amerikane që synojnë krijimin e aleancave dhe boshteve arabe dhe rajonale. E gjithë kjo ka lënë gjurmë kur bëhet fjalë për miratimin e një qëndrimi unik arab.

Ai thotë se herën e fundit një vendim i unifikuar politik arab është marrë në vitin 2002, kur u miratua Iniciativa Arabe për Paqe, nën presionin e Intifadës së Dytë.

Ayoub iu referua qëndrimit të vendeve që rrethojnë Palestinën e pushtuar, veçanërisht qëndrimit të Egjiptit dhe Jordanisë, në lidhje me ngjarjet në Rripin e Gaza-s në aspektin e agresionit dhe gjenocidit, dhe tha se të dy vendet kanë arritur në përfundimin se SHBA janë një aleat i tyre që në çdo moment mund t’i “shiste” për shkak të interesave izraelite. Ai thekson se që nga fillimi i agresionit izraelit ndaj Gazës, Uashingtoni është përpjekur dhe ende përpiqet t’ia vendosë barrën e shpërnguljes dhe spastrimit etnik mbi Egjiptin dhe Jordaninë.

Ai tha se Jordania dhe Egjipti, duke pasur parasysh rrethanat e tyre të brendshme dhe presionin intensiv që ushtrohet mbi ta nga amerikanët dhe izraelitët, nuk kanë faktorë të mjaftueshëm fuqie, por se ka disa vende që mund të ushtrojnë presion real, si Arabia Saudite.

Mbështetja europiano-amerikane

Lidhur me gjenocidin që po kryen Izraeli në Rripin e Gaza-s dhe shkatërrimin e spitaleve, objekteve rezidenciale dhe objekteve të tjera, profesor Ayoub thotë se kjo është pjesë e synimit strategjik të Izraelit, pra shndërrimi i Rripit të Gaza-s në një zonë të papërshtatshme për jetë dhe për ta vënë atë nën kontrollin e sigurisë, politike dhe ushtarake të Izraelit, siç theksoi edhe vetë Netanyahu.

Ai shtoi se qëllimi i radhës i forcave okupuese është të tentojnë të hyjnë në qytetin e Gaza-s në një shkallë më të madhe për të përshpejtuar ndarjen e pjesës veriore të Gaza-s. Ajo zonë do të shndërrohej në një zonë tampon dhe ndoshta do të ndërtoheshin vendbanime të kolonëve. Megjithatë, ky synim bie ndesh me qëndrimin e rezistencës palestineze, sipas bashkëbiseduesit.

Analisti Sheker gjithashtu theksoi se komanda ushtarake izraelite e ka shprehur qartë qëllimin e saj, që është të shkaktojë “Nakba Gaza 2023”, gjersa izraelitët flasin për spastrim etnik dhe gjenocid. “Kjo po ndodh me mbështetjen amerikane dhe evropiane për masakrën dhe shfarosjen e palestinezëve në Rripin e Gaza-s”. Ai përmendi shembullin e administratës amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes (Pentagonit) që lëshuan një deklaratë përpara se forcat pushtuese të sulmonin kompleksin e spitalit Al-Shifa, duke siguruar kështu mbulim për këtë operacion. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit