Nga Cameron Khansarinia Saeed Ghasseminejad, National Interest
Në Vjenë të Austrisë, ekipi negociator i SHBA-së po përpiqet që ta nxjerrë“humbjen nga nofullat e fitores”, ndërsa Republika Islamike kërkon vazhdimisht lëshime nga Uashingtoni në këmbim të rikthimit të Teheranit në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Në dallim nga vetëm disa muaj më parë, kur Republika Islamike gjendej në një presion të jashtëzakonshëm ekonomik, regjimi shfaqet sërish i sigurt në skenën ndërkombëtare. Në fakt, duket se administrata Biden, që premtoi ta përqendrojë politikën e saj të jashtme mbi të drejtat e njeriut, po shpëton nga rënia një nga diktaturat më brutale të botës.null
Gjithsesi, ndërsa regjimi vazhdon të mashtrojë shumëkënd në mediat perëndimore dhe në skenën botërore, gjendja reale është shumë ndryshe për iranianët e zakonshëm, të cilët kryesisht e shohin regjimin si të shkatërruar dhe të paligjshëm.
Në një sondazh të kryer nga vetë rrjeti propagandistik i regjimit, 51 për qind e të anketuarve thanë se nuk do të votonin në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji. Protestat e vazhdueshme të pensionistëve, punëtorëve, fermerëve dhe familjeve të aktivistëve të vrarë, vërtetojnë sondazhet e kryera privatisht, të cilat tregojnë se shumë iranianë thjesht po presin mundësinë tjetër për t’u rebeluar.
Larg nga bota fantazioze e shfaqur në Vjenë dhe në Twitter, ekziston një realitet që po zien nën sipërfaqen e politikës së Iranit, dhe që duhet të orientojë politikën amerikane:iranianët nuk e duan Republikën Islamike; ata duan ndryshimin e regjimit.null
Vetëm termi “ndryshim i regjimit”alarmon shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, ashtu siç e parashikojnë shumë iranianë, shembja e Republikës Islamike nuk do të udhëhiqej nga Uashingtoni, dhe as nuk do të kërkonte një ndërhyrje ushtarake amerikane.
Rënia e saj do të shkaktohet nga populli iranian. Sidoqoftë, pritja e tyre është që Shtetet e Bashkuara mos ta shpëtojnë diktaturën nga shembja. Por për shumë iranianë, kjo është pikërisht ajo që po bën Joe Biden. Megjithëse, nuk ka asnjë dyshim se iranianët duan ndryshim.
Dhe në dallim nga Republika Islamike, populli iranian e sheh Amerikën si një aleat.
Dhe sjellja e SHBA-së si një aleate e popullit iranian, do t’i jepte mundësi Amerikës të adresonte 3 kërcënime domethënëse. Së pari, çështjen e programit bërthamor.
Pavarësisht përpjekjeve të bëra nga negociatorët në Vjenë, kërcënimi bërthamor i Republikës Islamike nuk do të vendoset kurrë nën kontroll, siç pretendon Këshilltari aktual i Sigurisë Kombëtare në SHBA Jake Sullivan.
Shumë analistë pretendojnë se “fatwa”(ligji i pabotuar) i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, që ndalon prodhimin e armëve bërthamore mbetet një garanci se Irani nuk do të ndërtojë kurrë një bombë bërthamore. Madje, ish-Sekretari i Shtetit John Kerry shkoi aq larg sa deklaroi se ai kishte “respekt të madh” për “fatwa”(ligjin e pa miratuar).
Por edhe kur administrata Biden shpalli synimet e saj për të hequr sanksionet dhe për t’u ribashkuar në marrëveshjen bërthamore, ministri i inteligjencës së regjimit iranian theksoi se Teherani nuk do tërhiqet nga synimi për t’u pajisur me armë bërthamore.
Dhe për sa kohë që Republika Islamike është në pushtet dhe e ruan industrinë dhe infrastrukturën e saj bërthamore, ajo do të përbëjë një kërcënim bërthamor për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Ndërkohë, një Iran i lirë nuk do të ketë aspirata të tilla.
Katër dekadat e investimit të burimeve të kufizuara të Iranit në luftërat e pafundme të regjimit në rajon dhe ambiciet bërthamore, u kanë sjellë iranianëve varfëri, mjerim dhe izolim. Prandaj, iranianët brohorisnin “Lëreni Sirinë të qetë, dhe bëni diçka për ne!” ose “Çfarë ndodhi me paratë e naftës? Janë harxhuar për Palestinën”.
Së dyti, Republika Islamike vazhdon të jetë sponsorja kryesore në botë e terrorizmit. Teherani mbështet grupimet kryesore terroriste sunite si Al Kaeda, duke siguruar strehim
për udhëheqësit më të lartë, dhe vepruar si një “arterie kryesore për fonde, personel dhe komunikim” për organizatën terroriste, sipas një letre të shkruar nga Osama bin Laden, dhe të gjetur gjatë operacionit që çoi në vdekjen e tij.
Edhe gjatë periudhës së afrimit me Perëndimin, kur Irani dhe fuqitë botërore arritën një marrëveshje të përkohshme në vitin 2013, të njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit, Teherani nuk pushoi së financuari terrorizmin ndërkombëtar.
Thuhet se regjimi shpenzon më shumë se 1 miliard dollarë në vit, për të financuar grupet e huaja terroriste në të gjithë botën që synojnë Amerikën dhe aleatët e saj, dhe sidomos Hamasin dhe Hezbollahun.
Republika Islamike nuk është vetëm mbështetësja financiare, por edhe “Meka shpirtërore” e radikalizmit shiit, pasi e ka të shënuar në kushtetutë direktivën për “eksportin e revolucionit”. Ajo synon të shërbejë si një model për grupet radikale islamike që kërkojnë të rrëzojnë një qeveri kombëtare, dhe ta përdorin atë për të transformuar shoqërinë dhe për të qëndruar në pushtet.
Fundi i regjimit islamik në Iran do të dobësojë islamikët radikalë, veçanërisht militantët shiitë në të gjithë botën, duke i privuar ata nga një burim kryesor i financimit dhe frymëzimit. Dhe mënyra më e mirë për ta shpejtuar këtë ndryshim, është që SHBA të mbështesë iranianët e thjeshtë për krijimin e një qeverie laike, demokratike.
Së treti, mbështetja amerikane për lëvizjen e popullit iranian për ndryshimin e regjimit, mund t’i japë fund kërcënimit që buron nga programi i raketave balistike të Republikës Islamike, të cilin Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare e quan si “arsenalin më të madh dhe më të larmishëm të raketave në Lindjen e Mesme”.
Një Iran pa Republikën Islamike, do të sillte jo vetëm zbehjen e armiqësive me Perëndimin, por do të paraqiste tre mundësi të konsiderueshme ekonomike dhe politike edhe për Shtetet e Bashkuara. Së pari, Irani është një nga tregjet e vetme në botë, që ka mbetur vërtet i pashfrytëzuar.
Me gjysmën e popullsisë së tij të mirë-arsimuar dhe miqësore me Perëndimin, Irani do të përfaqësonte një mundësi të konsiderueshme për tregti dhe investime për kompanitë amerikane të të gjitha llojeve. Së dyti, një Iran i lirë paraqet një mundësi për zgjerimin e Marrëveshjeve Abrahamike dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
Pas vendosjes së një qeverie të qëndrueshme dhe demokratike në Iran, vendi ka të ngjarë të luajë një rol kryesor në partneritetin me aleatët e tjerë amerikanë në rajon, siç bëri para Revolucionit Islamik kur Irani luajti një rol konstruktiv dhe diplomatik në të gjithë rajonin.
Së treti, tensionet e reduktuara në rajon do t’i jepnin mundësi Shteteve të Bashkuara të ri-fokusonin asetet tyre në rajon mbi sfidën e tyre më të madhe të sigurisë:Kinën, dhe veçanërisht zgjerimin e ndikimit të Pekinit në Gjirin Persik. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al