2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Pse Afrikës i duhet ende energjia fosile

Më të lexuarat

Aktivistët e mjedisit parapëlqejnë të këmbëngulin se Afrika duhet të plotësojë nevojat e veta me energji përmes paneleve diellore dhe turbinave të erës. Por për sa kohë lëndët djegëse fosile mbeten më të lira se sa energjia e rinobueshme, një recetë e tillë – sado pozitive që të ngjajë – do ta shtypë rritjen ekonomike të kontinentit dhe do të lërë miliona njerëz në varfëri.

Autor: Bjorn Lomborg

Afrika është kontinenti më i “rinovueshëm” i botës kur vjen puna te energjia. Në botën e pasur, energjia e rinovueshme zë më pak se një të dhjetën e energjisë totale të furnizuar. Por për 900 milionë njerëzit e Afrikës Nën-Sahariane (duke përjashtuar Afrikën e Jugut), 80 për qind e energjisë së konsumuar vjen nga burimet e rinovueshme.

Ndërsa një person në Europë apo në Amerikën e Veriut përdor rreth 11 mijë kWh në vit mesatarisht (shumica dërrmuese konsumohet përmes proceseve industriale), një person në Afrikën Nën-Sahariane përdor vetëm 137 kWh – më pak nga sa harxhon një frigorifer i zakonshëm amerikan në katër muaj. Më shumë se 600 milionë njerëz në Afrikë nuk kanë akses në energji elektrike fare.

Kjo nuk ndodh për shkak se Afrika është e gjelbër dhe pro mjedisit, por për shkak se është e varfër. Rreth 2 për qind e nevojave të kontinentit për energji furnizohen nga burimet hidro ndërsa 78 për qind përbëhet nga burimi më i vjetër “i rinovueshëm” i përdorur nga njerëzimi, drutë e zjarrit. Kjo sjell shpyllëzim të rëndë dhe ndotje vdekjeprurëse të ajrit brenda shtëpive, gjë që vret 1.3 milionë njerëz çdo vit.

Ajo që ka nevojë Afrika, sipas shumë aktivistëve, është që të mbushet me panele diellore dhe turbina ere. Por kur Presidenti i SHBA-së Barack Obama priti një samit të udhëheqësve të Afrikës në vitin 2014, shumica thanë se ata donin më shumë lëndë fosile. Në fjalët e Ministrit të Tanzanisë për Mineralet dhe Energjinë Sospeter Muhongo: “Ne do të fillojmë të intensifikojmë përdorimin e qymyrit… pse nuk duhet ne të përdorim qymyrin kur ka vende të tjera ku prodhimi i CO2 për frymë është kaq i lartë?… Ne thjesht do të ecim përpara.”

Europa dhe Amerika e Veriut u bënë të pasura falë energjisë së lirë dhe të bollshme. Në vitin 1800, 94 për qind e të gjithë energjisë së konsumuar në botë vinte nga burime të rinovueshme. Në vitin 1900, burimet e rinovueshme siguronin 41 për qind të energjisë; edhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, burimet e rinovueshme përbënin sërish 30 për qind të energjisë. Që nga viti 1971, energjia e rinovueshme përbën një pjesë minimale dhe aktualisht zë vetëm 13.5 për qind. Pothuajse shumica e energjisë së rinovueshme vjen nga druri ndërsa vetëm 0.5 për qind nga energjia diellore dhe era.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se nëse të gjitha vendet realizojnë premtimet që kanë bërë në konferencën mbi ndryshimet klimaterike të Parisit muajin e kaluar, pjesa e energjive të rinovueshme mund të rritet lehtë përgjatë 25 viteve të ardhshme në 18.7 për qind. Në skenarin më të mundshëm të Agjencisë, pjesa e energjisë së rinovueshme do të rritet në vetëm 15.4 për qind.

Shumica e kësaj energjie të “rinovueshme” sërish do të vijë nga mbetjet e bimëve, jashtëqitjet e lopëve, druri dhe bionafta. Ndërsa një panel diellor mund të sigurojë energji për një poç dhe aq sa për të karikuar një bateri telefoni, ajo nuk vlen për të vënë në punë furra apo për të shmangur ndotjen e ajrit brenda shtëpisë apo për të mbajtur në punë frigoriferët që duhet të ruajnë vaksinat dhe ushqimit të freskët e aq më pak, nuk vlen për të ushqyer me energji bujqësinë dhe industrinë. Nga viti 2040, në skenarin optimist të Agjencisë, energjia diellore në Afrikën Nën-Sahariane do të prodhojë vetëm 14 kWh për person në vit, shumë më pak nga sa nevojitet për të mbajtur në punë një poç dy watt LED. Agjencia vlerëson gjithashtu se energjia e rinovueshme do të kushtojë më shumë, mesatarisht se sa çdo burim tjetër – naftë, gaz, energji bërthamore, qymyr apo hidroenergji, edhe në rast se mbi burimet e tjera do të ketë një taksë karboni.

Shumë pak njerëz në botën e zhvilluar do të kalojnë te energjia e rinovueshme pa pasur subvencionime të rënda dhe natyrisht askush nuk do të ndërpresë lidhjen me rrjetin elektrik të ushqyer më së shumti me energji fosile që siguron energji të qëndrueshme edhe në ditët me re apo gjatë natës (një formë tjetër subvencionimi). Megjithatë shumë aktivistë në Perëndim duket se besojnë se njerëzit në gjendjen më të varfër të planetit duhet të kënaqen me furnizim të pamjaftueshëm dhe të parregullt me energji elektrike.

Në parashikimin më të fundit të Energjisë në Afrikë, Agjencia vlerëson se konsumi i energjisë në Afrikë do të rritet me 80 për qind deri në vitin 2040; por, ndërsa popullsia e kontinentit do të dyfishohet, më pak energji për frymë do të jetë e disponueshme. Megjithëse gati 1 miliardë njerëz do të fitojnë akses në energjinë elektrike deri në vitin 2040, 530 milionë të tjerë do të jenë sërish jashtë rrjetit.

Por Agjencia parashikon edhe një të ardhme tjetër të mundshme – atë që e quan “Shekulli i Afrikës” – në të cilin qeveritë e Afrikës dhe donatorët do të investojnë 450 miliardë dollarë ekstra në energji. Kjo do të rrisë me shpejtësi përdorimin e burimeve fosile, do të reduktojë disa nga energjitë e rinovueshme më shumë ndotëse dhe do të sigurojë akses në energji për më shumë se 230 milionë njerëz. Duke ofruar energji më shumë – dhe më të qëndrueshme – për gati 2 miliardë njerëz, prodhimi i brendshëm bruto do të rrite me 30 për qind deri në vitin 2040. Për çdo banor, kontinenti do të jetë mbi 1 mijë dollarë më mirë çdo vit.

Në vendet Perëndimore, aktivistët e mjedisit do të përqendrohen te ana negative – 300 milionë tonë CO₂ emetime në vitin 2040, dhe ndotje më e lartë jashtë shtëpisë në ajër nga mbështetja më e madhe te energjia e qymyrit – dhe do të pyesin gjithashtu se pse ndokush duhet të dëshirojë të rrisë CO₂ dhe ndotjen e ajrit. Por duhet të shohim kostot dhe përfitimet.

Të 4 miliardë tonët shtesë të CO₂ të emetuara përgjatë 25 viteve të ardhshme do të shkaktojnë rreth 140 miliardë dollarë dëme nga ngrohja e planetit, sipas një vlerësimi të kryer nga zyrtarët amerikanë (megjithëse është një vlerësim me gjasa i ekzagjeruar). Rritja e përdorimit të qymyrit do të sjellë më shumë ndotje të ajrit që pritet të kushtojë rreth 30 miliardë të tjera gjatë kësaj periudhe.

Në të njëjtën kohë, Afrika do të bëhet rreth 7 trilionë dollarë më e pasur. Ndotja e ajrit brenda shtëpive do të eliminohet për rreth 150 milionë njerëz ndërsa përfitimet shoqërore do të jenë të barabarta me gati 500 miliardë. Dhe energjia do të mbërrijë në 230 milionë njerëz të tjerë, duke gjeneruar përfitime të vlefshme totale prej rreth 1.2 trilionë.

Me fjalë të tjera, kostoja totale e “Shekullit të Afrikës,” përfshirë ndryshimet klimaterike dhe kostot për kujdes shëndetësor, do të jenë rreth 170 miliardë dollarë. Përfitimet totale do të jenë 8.4 trilionë, gati 50 herë më të larta.

I njëjti argument i përgjithshëm ndoshta vlen për Indinë dhe për vendet e tjera në zhvillim. Në Kinë, për shembull, emetimet e CO2 janë rritur me 500 për qind që nga viti 1981; por norma e varfërisë në vend është ulur – nga 89 për qind në atë kohë në më pak se 10 për qind sot.

Në vendet e pasura, aktivistët theksojnë se një ton CO2 mund të kushtojë rreth 50 USD dhe duhet të taksohet në mënyrë që të reduktohen emetimet. Por për Afrikën, përfitimet ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të furnizimit më të lartë me energji dhe më shumë CO2 arrijnë në më shumë se 2 mijë dollarë për ton. Përqendrimi në koston prej 50 dollarësh dhe injorimi i përfitimit prej 2 mijë dollarësh përbën verbëri me paramendim.

Një ditë, novacioni mund të sjellë reduktim të energjisë së gjelbër të së ardhmes deri në atë pikë sa të nxjerrë njerëzit nga varfëria në mënyrë më efikase se sa bëjnë sot burimet fosile. Në nivel global, ne duhet të investojmë shumë më tepër në novacione të tilla. Por ngrohja globale nuk mund të ndalet duke bllokuar në mënyrë hipokrite daljen nga varfëria të të varfërve të planetit.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Why Africa Needs Fossil Fuels/reporter.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit