Dhjetëra vajza kanë provuar sot mbulesën islame në kuadër të manifestimit Dita e Mbulesës, që u organizua në Çarshinë e Shkupit.
Organizatoret u kanë vendosur shamitë në kokë vajzave të interesuara, ndërsa u janë përgjigjur edhe pyetje që u janë parashtruar.
Njëra prej organizatoreve, Shejnur Suma, ka thënë për portalin SHENJA, se ky aktivitet ka shkuar më mirë sesa që e kishin menduar. Dy orë pas fillimit të aktivitetit, shaminë e kishin provuar 52 vajza.
“Interesimi për provimin e mbulesës është jashtëzakonisht i madh. Ajo që më bën tejmase krenare është fakti që ky interesim vjen nga të gjitha kombësitë e Republikës së Maqedonisë. Përveç provimit të mbulesës ata parashtrojnë dhe pyetje për arsyen e mbajtjes së mbulesës dhe mahnitje me të”.
Suma ka thënë se janë të lumtur që ky aktivitet përveçse për thirrje të ndalimit të paragjykimit u shndërrua dhe në aktivitet që bashkon kulturat e ndryshme. Ajo ka njoftuar se planifikojnë që këtë aktivitet ta vazhdojnë edhe të dielën. /SHENJA/