Qeveria e Afrikës së Jugut shpërndau 25 mijë ushtarë në rrugët e vendit pas valës së protestave të dhunshme dhe plaçkitjeve. Të paktën 72 persona kanë humbur jetën dhe 1700 të tjerë janë arrestuar që prej trazirave që nisën pas arrestimit të ish-presidentit, Jacob Zuma.
Qindra dyqane dhe biznese janë plaçkitur, ndërsa qeveria ka deklaruar se po merr masa për të përballuar mungesën e ushqimeve. Qytetarët po formojnë grupe mbikëqyrje për të mbrojtur pronat e tyre nga shkatërrimi dhe djegia. Mbi 200 incidente me plaçkitje vandale janë regjistruar vetëm gjatë ditës së mërkurë.
Dëshmitë e shumta të banorëve në Durban të Afrikës së Jugut, epiqendër e trazirave të vazhdueshme, tregojnë vështirësitë e mëdha në furnizimin me ushqime dhe produkte të tjera të domosdoshme. Ndërkaq, mediat e huaja kanë paralajmëruar se Afrika e Jugut me shumë mundësi do të vuajë edhe nga mungesa e karburantit.
Protestat në Afrikën e Jugut nisën javën e kaluar, pasi ish Presidenti Zuma u dorëzua në polici për të shlyer një dënim 15-mujor për shpërfillje të një vendimi të gjykatës. Mbështetësit e Zumas reaguan furishëm ndaj burgosjes së tij, duke bllokuar rrugët kryesore dhe duke bërë thirrje për lirimin e tij, teksa Afrika e Jugut prej një kohe të gjatë vuan problemin e papunësisë dhe situatën e rënduar të Covid-19./abcnews.al