Njeriu që mbrojti dhunën në Capitol, kundër dhunës në Beograd
Përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale, Richard Grenell, i ka dhënë një dorë ndihme presidentit serb Vuçiç, i cili po përballet me protesta të fuqishme, edhe më të fuqishme se ato ndaj Millosheviçit, të cilat çuan në rrëzimin e këtij të fundit në vitin 2000. Më saktë, Grenell u bëri thirrje forcave anti-regjimin në Beograd që të dënojnë dhunën dhe t’i përmbahen demonstratave paqësore, transmeton Tanjug.
Ai tha se SHBA “nuk i mbështet ata që pushtojnë dhunshëm ndërtesat qeveritare”.
“Është gjithmonë e rëndësishme të ngrini zërin dhe të dëgjohet ai zë. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjithë të dënojnë dhunën dhe t’u përmbahen demonstratave paqësore,” shkroi Grenell në platformën X.
Ai theksoi se proceset demokratike duhet të respektohen.
“Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit apo ata që pushtojnë dhunshëm ndërtesat qeveritare. Nëse nuk ju pëlqen ligji apo lideri, atëherë punoni për ndryshim, por mos përdorni dhunën”, theksoi Grenell.
Por nga ana tjetër, Richard Grenell, një ndihmës i ngushtë i Trumpit, mbështeti sulmin e dhunshëm në ndërtesën e Capitol-it të SHBA më 6 janar 2021, kujtojnë disa media.
Grenell gjithashtu mbështeti vendimin e Trumpit për të falur më shumë se 1500 prej atyre që morën pjesë në ato sulme të dhunshme ndaj Kongresit.
Kujtohet gjithashtu se Vuçiç i dha një çmim nderi Grenellit në vitin 2023. /tesheshi.com/