Politikani veteran gjerman, thirrje Berlinit për ndihmë ndaj arsenalit të Francës
Gjermania duhet të kontribuojë në koston e arsenalit bërthamor të Francës, pasi kërcënimi i luftës bërthamore me Rusinë mbizotëron mbi Evropën, tha politikani veteran gjerman Wolfgang Schäuble në një intervistë të botuar sot.
“Tani që bashkëpunëtorët e Putinit kërcënojnë çdo ditë me një sulm bërthamor, një gjë është e qartë për mua: ne kemi nevojë për parandalim bërthamor edhe në nivel evropian,” i tha Schäuble, një ish-ministër financash dhe anëtar i parlamentit gjerman për pesë dekada, shkruan Welt am Sonntag.
Franca ka armë të tilla, tha ai, duke shtuar: “Në interesin tonë, ne gjermanët duhet të japim një kontribut financiar për fuqinë bërthamore franceze në këmbim të një parandalimi të përbashkët bërthamor”.
I pyetur nëse propozimi i tij do t’i jepte Berlinit një arsye për të përdorur armë bërthamore, ish-ministri konservator tha se Franca dhe Gjermania do të duhet të arrijnë një marrëveshje si fqinjë dhe partnerë të NATO-s.
Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar krizën më serioze në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, kur shumë kishin frikë se bota ishte në prag të luftës bërthamore.
Franca, një nga tre anëtarët e NATO-s me armë bërthamore, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, ka rreth 300 koka bërthamore në arsenalin e saj, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIRPI). /tesheshi.com/