0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Prokuroria kërkon vazhdimin e hetimeve kundër Shefqet Krasniqit

Më të lexuarat

Hetimet e nisura me arrestimet e verës së viti 2014 kundër imamëve të BIK-ut janë në përfundim e sipër. Për disa Prokurorisë i kanë dalë telashe dhe ka kërkuar afate shtesë, e për disa të tjerë prokurori i rastit ka konfirmuar se së shpejti do të ngriten aktakuzat.

Siç raporton Gazeta Express, prokurorët kosovarë që po i hetojnë imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) kanë ardhur në afatet e tyre të fundit për hetimin e dyshimeve që i ngarkojnë imamët për aktivitet të lidhura me terrorizmin dhe nxitje të urrejtjes fetare, e edhe shpërlarje parash në disa raste.

Kështu, një kërkesë për vazhdimin e hetimeve kundër imamit kontrovers të ish-Xhamisë së Madhe në Prishtinë dhe Profesorit aktual të Shariatit në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI), pronë e BIK-ut është deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, njofton Insajderi.

Në kërkesën që e ka siguruar Express, Prokuroria përmend edhe persona të tjerë që janë pjesë e hetimit kundër grupit ku imami Krasniqi përket, përfshirë edhe drejtues OJQ-sh islamike të mbyllura për aktivitete antikushtetuese dhe persona, Prokuroria lyp afat shtesë, derisa afati fillestar i planifikuar për hetimin e një vepre penale është dy vite, por me një mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj shtesë, sipas kodit të procedurës penale.

Derisa për Shefqet Krasniqin dhe grupin e tij nuk dihet ende se kur do të ketë një vendim të Prokurorisë – nëse do të akuzohet apo do të pushojnë hetimet ndaj tyre, imamë të tjerë të BIK-ut i pret gjyqi.

Prokurori Haki Gecaj ka thënë se ai është në fazën e fundit të hetimeve të tij kundër imamëve që ka hetuar, ku përfshihen edhe krye-imami i Pejës, Enes Goga imami i famshëm nga Mitrovica, Ekrem Avdiu.

“Jemi në fazën finale. Pritet shumë shpejt ngritja e aktakuzave për disa prej tyre”, ka thënë Gecaj përmes telefonit.

Në verën e vitit 2014 Prokuroria e Kosovës kishte ngritur një pistë të gjerë hetimesh kundër kosovarëve të përfshirë në konfliktet e armatosura jashtë vendit, kryesisht në lëvizjen xhihadiste në Siri e Irak, përkrah organizatave terroriste si Shteti Islamik (ISIS) e “Xhabhatu Al-Nusra”- dega e Al’Kaedas në Siri.

Në kuadër të mbi 40 arrestimeve që ndodhën ato ditë, njësitet e specializuar të Policisë së Kosovës patën arrestuar edhe disa imamë të BIK-ut si Enes Goga, Eroll Nesimi, Idriz Bilibani, Zekirja Qazimi , Dardan Gjuka, Shefqet Krasniqi, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj, Ekrem Avdiu, Enis Rama.

Pas një serie seancash, Gjykata në Ferizaj ka shpallur fajtor për veprime terroriste imamin e BIK-ut Zeqirja Qazimi.

Përfshirja e kosovarëve në konfliktin sektar në Siri e Irak i ka kushtuar vendit me mbi 300 qytetarë që direkt janë përfshirë në aktivitetet terroriste-pjesëmarrje në grupe terroriste, dhe me afro 60 prej të cilëve edhe kanë humbur jetën atje, sipas raporteve zyrtare të Qeverisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit