Thuajse të gjithë ata që kanë marrë viza Schengen nëpërmjet grupit të Ukë Rugovës, kanë pasur një kontratë false pune se punojnë për familjen e presidentit Ibrahim Rugova si roje. Për një pjesë tjetër Ukë Rugova ka garantuar se janë anëtarët të familjes. Kur dëshmitarët u intervistuan, ata deklaruan se nuk e njihnin fare Ukë Rugovën.
Prokuroria ka një listë prej 178 dëshmitarësh kundër Ukë Rugovës. Italia ndërkaq po e heton për vepër penale, ish-ambasadorin Michael Giffoni dhe dy zyrtarë tjerë të ambasadës.
Krejt çka i është kërkuar një klienti të Ukë Rugovës për të marrë vizë, ka qenë pasaporta valide, fotografitë dhe një shumë parash nga 3.000 deri në 4.000 euro.
Të gjitha punët tjera i ka kryer grupi i dyshuar kriminal i drejtuar prej Rugovës.
Kontratën e punës, sigurimit shëndetësor, rezervimin e hotelit dhe biletat e aeroplanit i kanë siguruar anëtarët e grupit të akuzuar për krim të organizuar që lidhet me migrantë. Një letër garanci e shkruar prej Ukë Rugovës vlerësohet si shumë e rëndësishme për marrjen e vizave Schengen. Për secilin klient, ai ka garantuar se do të kthehet në Kosovë para skadimit të afatit të vizave.
Për këta klientë që kanë paguar shuma të mëdha parash, Ambasada Italiane në Prishtinë ka punuar jashtë orarit zyrtar të punës. Në shërbim të tij, dyshohet se ka qenë ish-ambasadori dhe një zyrtar i lartë i ambasadës.
Në pjesën e dytë të shkrimeve për veprimtarinë e grupit të Ukë Rugovës bazuar në hetimet 30 muajshe të Prokurorisë, Insajderi sjell detaje të hetimeve edhe në Itali.
Autoritetet e atjeshme janë duke hetuar ish-ambasadorin e akredituar në Prishtinë, Michael Giffoni, dhe zyrtarin konsullor, Fawzi Habib.
Detajet hetimore kundër tyre zbulohen në aktakuzën kundër Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar që lidhet me kontrabandimin me migrantë, të cilën e ka Insajderi.
Hetimi ka zbuluar se ndërmjet gushtit 2012 deri në shtator 2013, zyrtarët italian kanë pranuar 614 aplikacioneve për viza Schengen, së bashku me 609 dosje në lidhje me këto aplikime.
Nga dokumentet dhe informatat e marra, del se të paktën 556 viza italiane janë dhënë si rezultat i këtyre kërkesave. Të gjitha aplikimet për viza kanë pasur të përbashkët dokumente lidhjen e tyre me Ukë Rugovën.
Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, Allen Casnick, thuhet se gjatë periudhës ndërmjet dhjetorit 2013, deri në janar 2014, përgjimi i një llogarie të postës elektronike të përdorur nga Visar Beqiri, ka zbuluar një listë e cila përfshinte të dhënat personale të 298 individëve.
Në rezidencën e Ukë Rugovës, Prokuroria ka gjetur një letër drejtuar Fawzi Hebib, shefit të Shërbimeve Konsullore në Ambasadën Italiane në Prishtinë. Me këtë letër Ukë Rugova kërkonte viza për të paktën 300 individë.
“223 individëve të shfaqen në kontratat e punësimit, rezervimet e fluturimit dhe rezervimet e hotelit në kompjuterin e Visar Beqirit”, thuhet në aktakuzë.
Më 29 tetor 2014, Prokuroria Speciale ka pranuar nga zyra publike e Gjykatës së Romës një kopje të dosjes hetimore penale që është duke i zhvilluar atje.
“Nën hetim në këtë rast janë Michael Giffoni, Fawzi Hebib dhe Florjan petani. Në kohën e pretendimeve të gjithë ata punonin në Ambasadën Italiane në Prishtinë”, thuhet në aktakuzën e ngritur në Kosovë.
Të përfshira në dosjen hetimore janë kopjet e 609 dosjeve të vizave. Ato përmbajnë kopje të vizave italiane, aplikacionet dhe dokumentet tjera ndërmjet 3 gushtit 2012 deri më 23 shtator 2013.
“Dosja (hetimore italiane e rastit v.j.) gjithashtu përmban raporte të hetimeve të komisionit disiplinor për stafin me karrierë diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kundër Michael Giffoni dhe Fawzi Hebib. Të përfshirë më tej janë edhe raportet në lidhje me vizat e lidhura me Ukë Rugovën”, shkruan në aktakuzë.
Zyra e vizave në Romë ka ekzaminuar 398 dosje përkatëse të vizave që lidhen me Giffonin. Mes tyre janë edhe kërkesat për vizë të shumëfishtë për individët e listuar me statusin e tyre të përshkruar. Statusi i listuar përfshihen: të afërm, anëtarë të shërbimit të sigurimit të familjes dhe asistentë teknikë të Familjes Rugova.
Letrat janë të adresuara për ambasadorin Giffoni dhe të nënshkruara nga Ukë Rugova. Letra titullohet: “Familja e Presidentit Rugova”.
“Letra përmban një deklaratë nga Ukë Rugova e cila garanton se individi është i njohur për të, që ata janë duke udhëtuar në Itali për qëllime turistike, që do të bëjnë aranzhimet për udhëtim dhe akomodim, që kanë mjete të mjaftueshme për mirëmbajtje dhe se ata do të kthehen në Kosovë para skadimit të vizës së tyre”, zbulon hetimi.
Pos tjerash, letra e Ukë Rugovës thotë se individi ka një kontratë si një roje të sigurisë me familjen Rugova.
Në lidhje me zyrtarin e vizave Fawzi Habib në raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë thuhet se, se të gjitha dosjet e vizave kanë pasur letër garanci.
Në raportin për Giffonin është verifikuar se vizat janë përfunduar dhe të përpunuara në grupe. Aty thuhet se aplikacionet janë pranuar jashtë orarit të zakonshëm të punës. Është detajuar më tej se aplikacionet nuk kanë kaluar përmes kanaleve normale të furnizuesit të jashtëm të vizave apo përmes departamentit të vizave në Ambasadë.
Përveç kësaj thuhet se monitorimi i sistemit kompjuterit VIS sugjeron se aplikacionet janë trajtuar direkt nga ambasadori Giffoni i ndihmuar nga Florjan Petani.
Nga 556 vizat të cilat janë dhënë, 247 janë nënshkruar nga Michael Giffoni dhe 209 nga Fawzi Habib. Vizat e dhëna nga Michael Giffoni mbulojnë periudhën gusht 2012, deri më 26 shtator 2013. Ndërkaq, vizat e nënshkruara nga Fawzi Hebib mbulojnë vetëm periudhën 16 gusht 2013, deri më 26 gusht 2013.
Vetëm 38 aplikacione i ka refuzuar Michaele Giffoni.
Një numër i dosjeve përmbajnë edhe letra ku thuhet se individi ka qenë i punësuar nga familja Rugova si roje e sigurisë. Këto letra janë nënshkruar nga Qefser Baholli.
Autoritetet italiane kanë intervistuar 67 persona në cilësi të dëshmitarëve. Të gjithë kanë deklaruar se nuk i kanë plotësuar formularët e aplikimit dhe se të dhënat në formularin e aplikimit si numri i telefonit, adresa dhe profesioni ishin të pa sakta.
Prokuroria thotë se pothuajse të gjithë dëshmitarët, akne thënë se nuk kanë marrë sigurimin e tyre dhe se dokumentet e vetme të ofruara ishin pasaportat dhe fotografitë.
Dëshmitarët që kishin letrën e nënshkruar nga Ukë Rugova deklaruan se nuk e njihnin atë. Shumica deklaruan se kanë paguar individ të njohur apo të panjohur për vizat e tyre me shumat e përgjithshme nga 3000 deri në 4000 mijë euro.
“Ukë Rugovës i është gjetur një listë me emra personash në një kërkesë për viza. Letra është detajuar ‘dr. Fawzi Habin, shef i seksionit konsullor, ambasada italiane në Prishtinë’. Ajo ka titullin: ‘LDK – Lista dr. Ibrahim Rugova’. Në këtë letër Ukë Rugova kërkon viza italiane Schengen për 300 persona”, thotë Prokuroria.