0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Prokuroria: 100 mijë euro u dhanë për vrasjen e Nazim Bllacës

Më të lexuarat

– Një shumë e madhe parash dyshohet se janë dhënë për vrasjen e Nazim Bllacës.
– Dyshohet se Bllaca është kërcënuar se nëse dëshmon, do ta paguaj me jetë.
– Azem Syla dyshohet se ka paguar vrasjen e Adem Salihajt.
– Syla dyshohet se me paratë që ka fituar në Zvicër “si njeri me probleme mendore”, ka paguar grupin kriminal.

Prokuroria po pretendon se ka prova të bollshme për ta çuar Azem Sylën në burg për krim të organizuar. Pretendimin po e mbështet në dëshmitë e dy dëshmitarëve, njëri prej të cilëve është Nazim Bllaca, përgjimet telefonike dhe prova tjera.

Megjithatë, Prokuroria po shpreh shqetësim për rrezikun që i kanoset dëshmitarëve që guxojnë të dëshmojnë kundër këtij grupi, në krye të së cilit e vë Azem Sylën.

Më të rrezikuarin e konsideron dëshmitarin bashkëpunues, Nazim Bllaca, falë të cilit një grup vrasësish janë dënuar me burg, dhe është hapur një hetim i madh kundër 51 personave.

Prokuroria ka renditur një seri sulmesh dhe planesh për vrasjen e Nazim Bllacës.

“Mos dëshmo për krime lufte sepse ne do të zhdukim ty dhe familjen tande. Mos harro se EULEX-i nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë dhe t’i do ta paguash siç kanë paguar shumë të tjerë para teje”, shkruan në një mesazh paralajmërues që kishte pranuar Nazim Bllaca më 24 dhjetor 2012.

Prokuroria thotë se për “kokën e Bllacës” janë dhënë 100 mijë euro nga Fahredin Gashi. Kjo shumë i ishte dhënë Hysri Ramës.

“Kur Nazim Bllaca ka hyrë në konflikt me anëtarët tjerë të grupit, përkatësisht me Fahredin Gashin, grupi ka angazhuar Hysri Ramën për ta vrarë duke i ofruar 100 mijë euro për kryerjen e vrasjes”, thotë Prokuroria.

“Dëshmitari u detyrua të largohet dy vjet nga vendi dhe u kthye pas më shumë se dy vjetësh, kur filloi bashkëpunimin e tij me Prokurorinë Speciale”.

Të dënuarit e kanë akuzuar Bllacën si spiun të Serbisë. Gjatë kësaj kohe, ata thonë se Bllaca ka qëndruar në Serbi. Atje pretendojnë se është konstruktuar nga shërbimi sekret serb për ta akuzuar Azem Sylën dhe krerë tjerë të UÇK-së.

Prokuroria përmend një sulm tjetër me granatë në shtëpinë e Nazim Bllacës më 29 qershor 2013. Granata kishte goditur kulmin e shtëpisë duke rrezikuar jetën e Nazim Bllacës, familjes së tij dhe të policëve të EULEX-it që po e ruanin atë.

Një sulm tjetër mbi shtëpinë e tij ishte kryer me AK 47.

Prokuroria thotë se provat kundër Azem Sylës nuk kanë ardhur vetëm nga dëshmitarët, por edhe nga përgjimet e komunikimit dhe regjistrimeve.

“Azem Syla, duke qenë lider i grupit ka qëndruar gjithmonë sa më i padukshëm që është e mundur”, thotë Prokuroria. Prokuroria thotë se ndryshe nga anëtarët tjerë të grupit, emri i tij nuk shfaqet në asnjë autorizim, në asnjë vërtetim.

Sipas Prokurorisë, fondet nuk erdhën në mënyrë të hapur nga llogaritë e tij bankare dhe asnjëherë nuk ka marrë asnjë pagesë. Syla thuhet se kurrë nuk ka lidhur ndonjë kontratë, ai nuk merrej personalisht me familjet serbe apo me ndërmjetësues, ai u përpoq që të mos lë gjurmë të fuqisë dhe urdhrave të tij.

“Megjithatë, ai është dashur të jep udhëzime, të miratonte strategjitë dhe marrëveshjet, prandaj ai duhej të fliste me anëtarët tjerë të grupit. Ai e bëri këtë personalisht, ballë për ballë, ose kur ishte absolutisht e nevojshme nëpërmjet telefonit”, thotë Prokuroria.

Prokuroria thotë se Syla ishte shumë i kujdesshëm dhe ka përdorur një numër dhe një linjë telefonike që nuk ka qenë e mundur të përgjohej.

“Sidoqoftë, disa biseda telefonike të cilat Azem Syla flet personalisht janë përgjuar në vitin 2010 përmes numrave të telefonit të të pandehurve të tjerë dhe kohëve të fundit përmes telefonit fiks të burgut të Dubravës”, thotë Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, të gjithë flasin me Azem Sylën me një respekt të madh dhe nënshtrim.

“Syla kërkon të informohet në lidhje me çështjet aktuale dhe të japë miratimin dhe udhëzimet e tij. Kohëve të fundit kur ka qenë duke biseduar me njërin prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, Shaban Sylën i cili ishte i burgosur në Dubravë, u përpoq që ta mbajë të qetë dhe të durueshëm duke i thënë se priten së shpejti disa zhvillime. Pozita e tij si kreu i grupit është konfirmuar”.

Prokuroria thotë se dëshmitari bashkëpunues, Nazim Bllaca, ka qenë një anëtar afatgjatë i grupit dhe i njeh në tersi anëtarët, aktivitetet e biznesit.

Prokuroria thotë se Bllaca u largua nga grupi në vitin 2007, por mbeti në kontakt me disa nga anëtarët e grupit për një kohë dhe kur u kthye në Kosovë në vitin 2009 u takua me disa prej tyre. Takimet janë incizuar dhe këto incizime janë përdorur si prova në dy rastet e mëhershme.

Prokuroria përmend faktin e besueshmërisë së dëshmitarit, bazuar në aktgjykimet e formës së prerë kundër anëtarëve të grupit. Gjashtë prej anëtarëve të grupit janë dënuar me burgim.

Prokuroria citon një pjesë të aktgjykimit në rastin Bllaca 2. Aty flitet për Azem Sylën, ndonëse nuk ishte i akuzuar. Dy faqe të plota të aktgjykimit flasin ëpr rolin e tij si udhëheqës i grupit.

Thuhet se Syla urdhëroi vrasjen e Adem Salihajt.

Në këtë aktgjykim theksohet se Azem Syla, nuk ka qenë i pandehur në këtë rast dhe nuk ka pasur akuza të krimit të organizuar kundër secilit të pandehur, megjithatë, trupi gjykues gjeti se provat në lidhje me këto pika janë mjaftë tronditëse.

“Gjykata ka gjetur të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se arma, (me të cilën është vrarë Ibush Kllokoqi v.j.) i është dhënë Fahredin Gashit nga një person në makinë, ku ndodhej Azem Syla”, thotë ai.

Në këtë aktgjykim të citur nga prokurori thuhet se Gjykata ka gjetur të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se urdhri për ta vrarë Adem Salihajn ka ardhur nga Azem Syla.

Gjykata ka thënë se dëshmia e Nazim Bllacës, lidhur me Azem Sylën, është aq e qëndrueshme, logjike, pa kundërshtime substanciale dhe të besueshme dhe se mënyra më e thjeshtë për të kuptuar atë është se, Nazim Bllaca është thjeshtë vetëm duke thënë të vërtetën në lidhje me Azem Sylën.

“Gjykata më tej konstaton se Azem Syla kujdesej që asgjë nuk po incizohej nga telefonat celularë apo ndonjë pajisje tjetër teknike për atë çfarë po diskutohej…”

Natyra dhe mënyra e këtyre takimeve dhe udhëzimeve është një tregues sipas Gjykatës sepse udhëzimet e dhëna në këtë mënyrë ishin të një natyre më të fshehtë, jozyrtare ose të fshehtë.

Gjykata konsideron se Azem Syla ka qenë i përfshirë në incidentet e përshkruara në të gjitha pikat e aktakuzës si një udhëheqës dhe figurë dominuese.

“Ai i udhëzoi të pandehurit për atë që duhej të bënin, duke i dhënë në mënyrë të veçantë udhëzime Shpresim Ukës si liderit të grupit që përfshinte të pandehurit duke përfshirë Sadik Abazin, Fahredin Gashin dhe Nazim Bllacën”.

Prokuroria përmend edhe mashtrimet e Azem Sylës në Zvicër. Me paratë që i ka marrë sigurimeve atje, si ndihmë për shkak të problemeve mendore, Prokuroria dyshon se është paguar grupi kriminal.

Prokuroria thotë se Shpresim Uka i ka thënë Nazim Bllacës se kishte sjellë sasi të mëdha parash nga Zvicra në Kosovë.

Azem Syla ishte me banim në Zvicër, në Solothur, dhe kishte dy fonde atje.

Për më tepër, prokuroria ka thënë se më 13 korrik 2012, Prokuroria e kantonit Solothurn në Zvicër, ia ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare për një rast kundër Azem Sylës.

Në kërkesë theksohet se një kallëzim penal është paraqitur me 2 mars 2012 nga zyra e arkëtarit publik të kantonit Solothurn që është autoriteti përkatës zviceran që merret me pagesat e ndihmave sociale.

Aty thuhet se Azem Syla ka pranuar përfitime sociale nga autoritetet zvicerane një shumë prej 480,658,40 franga mes datës 1 korrik 2002 dhe 31 janar 2011 si formë e mbështetjes për paaftësinë e tij të dyshuar mendore.

Prokuroria e konsideron si të çuditshme që një person me një ndikim të tillë, me një prapavijë politike të profilit të lartë dhe një histori të heroit të luftës, njihej në Zvicër si një person me ‘aftësi të kufizuar mendore’.

“Megjithatë ajo që ka rëndësi këtu është se në 10 vite, ndërkohë që ai ishte një politikan aktiv, ministër dhe anëtar në hierarkinë e lartë të partisë kryesore dhe me të fuqishme qeverisëse në Kosovë, ai kishte akumuluar rreth 450 mijë euro të marra nga shërbimi zviceran i sigurimeve shoqërore”, shkruan në kërkesën për paraburgim.

“Vlerësohet se është shumë e mundshme që këto fonde janë përdorur për të financuar veprimtarinë kriminale të grupit të tij kriminal të organizuar në Kosovë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit