0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Prokurori që udhëhoqi procesin kundër Millosheviqit thotë se bllokada e Gazës nga Izraeli shkel të drejtën ndërkombëtare

Më të lexuarat

Bllokada totale e Rripit të Gazës nga forcat izraelite është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, thotë Geoffrey Nice, prokuror i Gjykatës së Hagës në procedurën kundër ish-presidentit të Serbisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Nice thekson se thirrjet e autoriteteve izraelite drejtuar civilëve në Gaza që të largohen për të shmangur vuajtjet gjatë operacioneve ushtarake kundër grupit militant palestinez, Hamas, janë të papranueshme.

“Dëbimi i njerëzve nga vendlindja e tyre është i papranueshëm, i paligjshëm. Gjithashtu, një veprim i tillë nis nga qëndrimi se të gjithë banorët e Gazës, në një farë mënyre, posedojnë karakteristikat mendore të atyre që kanë kryer krime, dhe këto ishin qartësisht krime. Ai thjesht tregon se sa i papërshtatshëm është rendi ynë aktual politik për qeverisje të drejtë dhe për zgjidhjen e problemeve të botës”, deklaron Nice.

Sipas tij, nuk ka absolutisht asnjë justifikim për krimet e kryera nga Hamasi në fazën fillestare të ngjarjeve të javës së kaluar.

“Por, para kësaj, nuk ka dyshim se qytetarët e Gazës jetonin në një burg të hapur, me shumë pak liri të cilat u takojnë atyre si qytetarë të botës”, thotë Nice.

Ai thekson se në rastin e një rasti të mundshëm para Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Hamasi do të duhej të përgjigjej për sulmin ndaj civilëve dhe për marrjen e pengjeve, ndërsa Izraelin për bllokadën e Gazës. Megjithatë, sipas tij, ka pak mundësi për një rast të tillë. Gjegjësisht, Izraeli nuk e ka ratifikuar aktin themelues të kësaj gjykate ndërkombëtare.

“Ne jetojmë në një botë të çuditshme, ku vlerësimet aktuale, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato në SHBA dhe ata që mbështesin SHBA-në, bëhen në një situatë ku Uashingtoni nuk e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe bën gjithçka për t’iu mundësuar qytetarëve dhe ushtarëve të vet të mos përballen kurrë me këtë gjykatë. Po ashtu, edhe Izraeli”, thotë Nice.

“Nuk mund të hakmerreni”

Radio Evropa e Lirë: Bllokada totale e Izraelit në Rripin e Gazës, duke privuar civilët nga nevojat thelbësore, është e ndaluar sipas së drejtës ndërkombëtare, tha komisionari i lartë i për të Drejtat e Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Volker Turk.

Edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Joseph Borrell, akuzoi të martën qeverinë izraelite për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke vendosur një bllokadë totale ndaj Gazës, në përgjigje ndaj sulmit të Hamasit.

Deklarata të ngjashme bënë edhe ekspertë të tjerë dhe politikanë botërorë. Pra, si mund të trajtohet ligjërisht bllokada e Gazës nga forcat izraelite?

Geoffrey Nice: Në thelb, siç thuhet në deklaratat publike të lartpërmendura, është e paligjshme.

Teknikisht, një rrethim i një komuniteti, i përbërë tërësisht nga ushtarë të palës kundërshtare, mund të justifikohet, por një rrethim i civilëve nuk është i ligjshëm.

Dhe, nëse, siç është evidente nga deklaratat e udhëheqësve izraelitë, qëllimi është që këta njerëz në Gazë të vdesin urie, duke i privuar nga ushqimi, uji dhe nevojat e tjera jetësore, atëherë kjo është qartësisht e paligjshme, dhe ka të ngjarë të jetë krim lufte.

Duhet të keni parasysh, gjithashtu, se e drejta ndërkombëtare e thotë absolutisht qartë: nuk mund të hakmerreni.

Pra, sado kriminale të jenë veprimet që filluan këtë konflikt të veçantë, ajo që Izraeli po propozon dhe mund të kryejë, do të dukej si e paligjshme dhe vërtet potencialisht kriminale.

“E papranueshme barazimi i të gjithë banorëve të Gazës me Hamasin”

Radio Evropa e Lirë: Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant, i quajti palestinezët “popull përbindësh”, të hënën, duke urdhëruar një rrethim të plotë të Rripit të Gazës. “Nuk ka energji elektrike, ushqim, karburante, gjithçka është e mbyllur”, deklaroi Galant.

Në të njëjtën kohë, autoritetet izraelite u bëjnë thirrje palestinezëve nga Gaza që të largohen nga zona dhe të kalojnë kufirin për në Egjipt. Pra, si mund të përshkruhet kjo dhe cilat do të ishin pasojat ligjore? A mund ta mbajnë Izraelin përgjegjës institucionet ligjore ndërkombëtare?

Geoffrey Nice: Nuk ka absolutisht asgjë të respektueshme për atë që propozon Izraeli, sepse dëbimi i njerëzve nga atdheu i tyre është i papranueshëm, i paligjshëm.

Gjithashtu, një trajtim i tillë nis nga qëndrimi se të gjithë banorët e Gazës, në një farë mënyre, posedojnë karakteristikat mendore të atyre që kanë kryer krime, dhe këto ishin padyshim krime.

Më saktësisht, në gjendjen fillestare të konfliktit, kur anëtarët e Hamasit kaluan kufirin dhe, për shembull, i vranë në mënyrë kriminale ata njerëz në një ngjarje muzikore.

Por, të sugjerosh që të gjithë njerëzit në Gaza kanë të njëjtat prirje dhe synime mendore është krejtësisht absurde, dhe vetëm tregon se sa i papërshtatshëm është rendi ynë aktual politik për qeverisje të drejtë dhe për zgjidhjen e problemeve të botës.

Nuk duhet të kishim hyrë kurrë në një pozicion ku një vend, ose aleatët e tij që e mbështesin atë, si SHBA-ja ose vende të tjera të mëdha, do të thoshin diçka të tillë.

Këta njerëz, edhe pse mund të jenë të burgosur për më shumë se një dekadë në një burg të hapur në Gaza, mbeten banorë të asaj hapësire.

Është shtëpia e tyre dhe nuk mund t’i përzënë për një vend tjetër, për të arritur ndonjë qëllim ushtarak apo politik.

Përpjekja për të liruar pengjet e marra nga Hamasi mund të përdoret si justifikim për sulmin.

Padyshim që pengjet civile nuk duhet të ishin marrë kurrë. Kjo është arsyeja pse është padyshim legjitime që Izraeli të bëjë përpjekje për t’i liruar ata.

Por, këto përpjekje duhet të jenë të ligjshme në vetvete. Izraeli duhet të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në arritjen e qëllimit të duhur, që mund të konsiderohet lirimi i pengjeve.

Duke vepruar kështu, duhet mbajtur parasysh përpjesëtimëria e veprimeve të ndërmarra, pasojat e tyre, duke përfshirë civilët e pafajshëm apo edhe pronën civile. Pra përgjigja është po dhe jo.

“Shkollat dhe spitalet janë objekte ushtarake, nëse merren veprime të armatosura prej tyre”

Radio Evropa e Lirë: Izraeli shpesh akuzohet se i ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha popullit palestinez në Gazë, kur ndjek militantët e Hamasit që përdorin objektet civile dhe civilët si mburoja.

Pra, a janë, për shembull, një spital dhe një shkollë struktura civile, në një situatë ku militantët e përdorin atë si pozicion apo mburojë ushtarake?

Geoffrey Nice: Po, është diçka e zakonshme në këto konflikte midis Izraelit dhe atyre që jetojnë në Gazë, që vendet si spitalet apo shkollat, të cilat mbrohen nga e drejta ndërkombëtare, përdoren për qëllime ushtarake.

Me kusht që të ketë prova që një shkollë ose spital është përdorur si bazë për të nisur një sulm ndaj Izraelit, atëherë ai mund të sulmohet bazuar në parimin e përpjesëtimërisë dhe marrjen në konsideratë të dëmit anësor.

Por, ndonjëherë ndodh, në shumë konflikte të këtij lloji, që pretendimi se një shkollë apo spital po përdoret si objekt ushtarak të merret më lehtë sesa sugjerojnë provat.

“Diskutimi është akademik sepse Izraeli nuk e njeh gjykatën ndërkombëtare”

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Izraeli kritikoi një deklaratë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që akuzonte komisionarin e tij për të drejtat e njeriut për dështimin për të dënuar dhe etiketuar sulmin e Hamasit si terrorist. Cila është natyra ligjore e sulmit të Hamasit të shtunën, si dhe e marrjes së pengjeve në Gazë?

Geoffrey Nice: Epo, nuk mendoj se është e përshtatshme për mua të karakterizoj këtë grup.

Tashmë e kam bërë të qartë se sulmi i Hamasit ndaj civilëve dhe marrja peng e civilëve është qartësisht e paligjshme, krim lufte, dhe nëse ky rast do të vinte ndonjëherë në gjykatë, atëherë atyre do të mund t’iu duhej të përgjigjeshin për të.

Por, sigurisht, ne jetojmë në një botë të çuditshme, ku vlerësimet aktuale, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato në SHBA dhe ata që mbështesin SHBA-në, bëhen në një situatë ku Uashingtoni nuk e njeh Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe bën gjithçka për t’iu mundësuar qytetarëve dhe ushtarëve të vet të mos përballen kurrë me këtë gjykatë. Po ashtu, edhe Izraeli.

Pra, deri diku, ky debat interesant është vetëm në natyrë akademike.

Nuk ka gjasa, siç janë gjërat për momentin, që të jetë e mundur që Izraeli apo Hamasi, për këto veprime të qarta kriminale, të gjenden ndonjëherë në gjykatë, edhe pse shumë në botë besojnë se duhet të përballen me drejtësinë.

Pse është kështu? Nuk ka dëshirë të vërtetë mes fuqive të mëdha, Amerikës dhe vendeve të tjera, Rusisë, Kinës dhe më pas vendeve më të vogla, edhe pse kanë nënshkruar Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Por, ato vende të mëdha nuk duan të krijojnë një rend ligjor efektiv botëror. Pra, diskutimi mbi këto pika është interesant nga ana akademike.

Dhe, nëse ndonjë pozicion i njërës apo tjetrës palë përfiton absolutisht në media, ose në mesin e politikanëve, ai mund të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm.

Por, mbani mend, në thelb, në një farë mënyre po humbisni kohën tuaj nëse mendoni se këto gjëra do të sillen ndonjëherë në gjykatë.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se rezoluta 2417 e OKB-së, e vitit 2018, e cila dënon më ashpër urinë si metodë lufte, është thjesht një shkronjë e vdekur në letër?

Geoffrey Nice: Nuk është plotësisht boshe. Është një rezolutë shumë e rëndësishme, që tregon evolucionin në kuptimin ligjor të përdorimit të urisë.

Por, për momentin, nuk është plotësisht e qartë nëse [sekretari amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, apo presidenti [i SHBA-së, Joe Biden], i thanë vërtet Izraelit se nuk do ta lejojnë atë të përdorë urinë [në Gazë].

Ata duket se i kanë dhënë Izraelit një dorë mjaft të hapur [carte blanche].

Nëse paligjshmëria e urisë nuk ndiqet në gjykatë, ajo mund të gjendet në gjykatën e opinionit publik.

Kjo mundet, ose nuk mundet, ta pengojë Izraelin të bëjë atë që duket i prirë të bëjë, dhe është në gjendje ta bëjë, sepse ka pothuajse kontroll të plotë mbi qasjen në ushqim dhe në ndihma humanitare në Gaza.

Kuptohet, Egjipti ka njëfarë kontrolli mbi të, por ndoshta jo pa bashkëpunimin e Izraelit, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të lëshuar raketa kudo që dëshiron.

“Qytetarët e Gazës jetojnë në një burg të hapur”

Radio Evropa e Lirë: As Hamasi për sulmin, as Izraeli për bllokadën e Gazës, nuk do të dalin realisht para Gjykatës Penale Ndërkombëtare, sepse Izraeli nuk e ka nënshkruar ende aktin themelues.

Në të njëjtën kohë, Gjykata Penale Ndërkombëtare është institucioni i vetëm kompetent për të gjykuar krime të tilla.

Geoffrey Nice: Po, kjo është e saktë. Është gjithmonë e mundur në një fazë, dhe mund të parashikohet se kjo do të ndodhë, që njëra apo tjetra palë në konflikt do të fillojë të pretendojë se është kryer gjenocid.

Por, sigurisht, procedurat për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të zhvillohen vetëm ndërmjet shteteve.

Kjo është arsyeja pse mund të jetë shumë më e vështirë për të filluar ndonjë procedurë për gjenocid midis një entiteti joshtetëror, si Gaza, dhe një shteti si Izraeli.

Nuk po them se është e pamundur dhe do të ishte e vështirë të realizohej.

Dhe, nëse shikuesit dhe dëgjuesit tuaj janë të shqetësuar, siç janë shumë qytetarë të botës, nga ajo që po ndodh këtu, ata mund të dëshirojnë të marrin në konsideratë nëse vendi, banorët e të cilit kanë bërë vërtet gjithçka që munden në dekadat e fundit, veçanërisht në një dekadë e gjysmë, për të parandaluar thellimin e problemeve në shtetin e Izraelit, pra në Bregun Perëndimor dhe Gazë.

Ata mund të duan të pyesin qeveritë e tyre nëse kanë bërë gjithçka që mundën për të siguruar që sundimi i ligjit të funksionojë për të gjitha palët në atë territor të caktuar.

Nuk ka absolutisht asnjë justifikim për krimet e kryera nga Hamasi në fazën fillestare të ngjarjeve të javës së kaluar.

Por, para kësaj, nuk ka dyshim se qytetarët e Gazës jetonin në një burg të hapur me shumë pak liri, të cilat atyre, si qytetarë të botës, u takojnë.

A kanë bërë me të vërtetë sa duhet të gjitha qeveritë që kanë marrë pozicione tani – mjaft e kuptueshme për Hamasin – në dekadën e fundit për të shmangur situatën jetësore në të cilën ndodhen njerëzit e Gazës?

Nuk jam i sigurt. Çdo qytetar duhet t’ia bëjë këtë pyetje qeverisë së tij.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët mundësinë, në një moment të caktuar, për ngritjen e akuzave për gjenocid, dhe se Gaza nuk është aktor shtetëror. Teorikisht, kush mund ta ngrejë në fakt çështjen përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Geoffrey Nice: Ndoshta ndonjë vend i tretë, që do të kishte guximin ta bënte kundër Izraelit, i cili mbështetet nga Amerika.
Rreziku nga gjenocidi

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta ndonjë vend arab?

Geoffrey Nice: Ndoshta. Mos harroni, gjenocidi është gjithmonë problem, problem interesant, sepse koncepti publik i gjenocidit është i ndryshëm nga përkufizimi ligjor.

Ajo që mund të ndodhë lehtësisht në këtë konflikt tragjik midis kombeve është se udhëheqësit mund të mos kenë qëllim gjenocidal, por rrethanat e krijuara nga udhëheqësit e tyre mund të bëjnë që ushtarë individualë nga të dyja palët të dalin me qëllim gjenocidal.

Por, atëherë, sigurisht, kjo nuk do të ndikonte me doemos në Izraelin si komb, si qeveri, kur bëhet fjalë për përgjegjësinë për shkeljen e konventës së gjenocidit.

Përvoja nga luftërat në ish-Jugosllavi

Radio Evropa e Lirë: Kur është fjala për përvojën e ish-Jugosllavisë, meqenëse e keni mjaft të njohur situatën atje, e dini se në procedurën para Gjykatës së Hagës kundër Ratko Mlladiqit, Dragomir Millosheviqit, në shpjegimin e aktgjykimit thuhej se banorët e Sarajevës, Potoçarit, u janë nënshtruar vuajtjeve të mëdha, duke përfshirë urinë, privimin e energjisë dhe ujit.

Pra, nuk e kam fjalën për një krahasim të mundshëm me Izraelin, por aktgjykimet kanë vënë në dukje edhe ato çështje, jo vetëm përgjegjësinë e të pandehurve për torturat dhe vrasjet.

Geoffrey Nice: Po, por në të gjitha rastet, përveç Srebrenicës, aktakuza për gjenocid ose nuk u ngrit, ose nuk u vërtetua.

Edhe nëse do të kishte një gjykatë, qoftë Gjykata Penale Ndërkombëtare apo një gjykatë ad hoc, e cila është e pamundur të imagjinohet se do të krijohej për këtë konflikt të veçantë në Izrael, jam shumë i sigurt se aktakuza nuk do të fokusohej në gjenocid, por në të gjitha krimet e tjera të mundshme të luftës, krimet kundër njerëzimit.

Krime të tilla mund të vërtetohen nga të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mase, për shembull, në rastin e rrethimit të Sarajevës, është marrë parasysh përgjegjësia për torturimin, plagosjen dhe vrasjen gjatë shpalljes së vendimit në Gjykatën e Hagës, apo uria e qytetarëve, mohimi i ujit dhe të tjera. A luajnë rol edhe nevojat?

Geoffrey Nice: Të gjitha këto gjëra luajtën një rol në disa nga aktakuzat në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, por nuk mendoj se nga kjo mund të nxirren përfundime për atë që po ndodh tani në Izrael.

Është shumë më mirë, më e mençur, të shikosh ligjin dhe provat. Nëse po përpiqeni të vritni me uri dikë, a është e ligjshme? Jo, nuk është.

Nëse po përpiqeni të shpëtoni pengjet, veçanërisht pengjet civile, a mund të jetë e ligjshme? Po, mundet, por duhet të veproni sipas ligjeve të përgjithshme të luftës.

Prandaj, mendoj se është e kotë, dhe jo doemos e arsyeshme të kërkosh mbështetje në bazë të rasteve të tjera që mund të kenë ngjashmëri, por që janë pashmangshmërisht të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, meqenëse nuk është e mundur të ngrihet çështja e krimeve të luftës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, sepse Izraeli nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për themelimin e këtij institucioni, e vetmja gjë që mbetet është të fokusohet në sensibilizimin e publikut.

Geoffrey Nice: Është më shumë sesa ndërgjegjësimi i publikut, sepse mund të ndikojë edhe në ndërgjegjësimin e politikanëve dhe veprimet e tyre, të cilat mund të ndryshojnë drejtimin nga po shkon vendi i tyre.

Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që këto çështje të diskutohen publikisht, siç e bën shumë ndihmues media juaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit