-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Programi i ditës ideale në jetën e muslimanit

Më të lexuarat

ProgramiVëlla i dashur!

Zgjidh një ditë nga java apo muaji dhe shndërroje në program praktik duke e bërë atë ditë shembull ideal në respektimin e Allahut të Lartësuar.

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dynjaja është tri ditë: dita e djeshme, e cila ka kaluar me çdo gjë të saj; dita e nesërme, që ndoshta nuk do ta arrish, dhe dita e sotme, e cila është për ty. Atëherë puno në të.”

Perspektivat

1. Qëllimi i kësaj ideje është ushtrimi për shfrytëzimin e një ditë nga java apo muaji, që pastaj ajo ditë të jetë pikënisje për shfrytëzimin e ditëve të tjera në këtë mënyrë deri në përfundimin e jetës.

2. Për realizimin e këtij programi duhet të jesh i lirë plotësisht nga punët dhe detyrimet jo të domosdoshme, duke iu përmbajtur me seriozitet planit.

3. Ky program ideal mund të përdoret qoftë edhe një ditë në muaj.

4. Mund të bashkëpunosh me ndonjë vëlla për realizimin e këtij programi.

5. Këshillohet që në këtë ditë të largohesh nga shoqërimi me të tjerët, në mënyrë që programi të realizohet pa ndonjë mangësi.

6. Është mirë sikur kjo ditë ideale të jetë ndonjë ditë e vlefshme, si dita e xhuma apo e hëna ose e enjtja, ngase këto ditë kanë veçori në Islam; në ditën e hënë dhe të enjte ngrihen veprat tek Allahu, kurse dita e xhuma është dita më e mirë e javës.

7. Filloje këtë program që në natën e ditës që keni zgjedhur.

8. Planifikoje mirë këtë ditë, duke shkruar punët që do të bësh. Këto punë mund të jenë ato që do të përmend në këtë shkrim inshAllah.

Rezultati i pritshëm pasi realizimit të këtij programi në ditën ideale është:

-fitimi i sevapit për çdo punë të mirë që do të bësh;

-arritja e kënaqësisë së adhurimit të Allahut;

-luftimi i epshit dhe shfaqja e fuqisë së vullnetit për realizimin e këtij programi;

-trajnimi për të shfrytëzuar kohën dhe kalimin e saj në respektim ndaj Allahut.

Ibën Mes’udi radijallahu anhu thotë: “Nuk pendohem për asgjë siç pendohem për ditën në të cilën perëndon dielli; jeta më është shkurtuar, kurse vepra ime e mirë nuk është shtuar.”

Si ta fillosh këtë ditë?

-Bëj nijet që natën që ta agjërosh këtë ditë dhe të falësh namaz nate.

-Bjer në gjumë herët, që të mos mbetesh pa gjumë, në mënyrë që trupi të jetë i çlodhur për të realizuar programin ditor me nijet të mirë.

-Merr abdest para se të flesh dhe thuaji duatë e gjumit duke iu përmbajtur etikës para gjumit dhe gjuha të jetë në përmendjen e Allahut derisa të të kaplojë gjumi.

-Ngrihu nga gjumi gjysmë ore para daljes së agimit, duke thënë duatë e ngritjes nga gjumi.

-Përdor misvakun, merr abdest dhe fali shpejt dy rekate, duke u kujdesur të përqendrohesh në to dhe mos të të ikë mendja diku tjetër, në mënyrë që të të falen mëkatet e kaluara. Pastaj fal namazin e natës, pastaj vitrin, pastaj bëj istigfar (thuaj estagirull-llah) deri në ezanin e sabahut;

-kur të thirret ezani, thuaj ashtu siç thotë muezini dhe në fund thuaj duanë e ezanit (Allahumme rabbe hadhihi…

-Dil në xhami herët dhe i parfumuar duke përmendur Allahun me duanë e daljes nga shtëpia dhe duanë e shkuarjes në xhami, duke e ndierë shpërblimin e veprave të mira që ke bërë dhe shpërblimin e hapave për në xhami, por mos harro të përmendësh duanë e hyrjes në xhami dhe të hysh së pari me këmbën e djathtë.

-Pastaj fal dy rekate sunnet të sabahut dhe prit duke bërë dhikër apo duke lexuar Kur’an ose duke bërë dua derisa të fillojë namazi dhe kujdesu të arrish safin e parë.

-Pas namazit përqendrohu te dhikri që thuhet pas namazit dhe qëndro ulur në vendin e faljes duke përmendur Allahun me dua të ndryshme, sidomos me lutjet e mëngjesit. Qëndro kështu derisa dielli të lindë dhe të ngrihet sa një shtizë (përafërsisht 15 minuta pas lindjes së tij).

-Pastaj fal dy rekate duke ndier shpërblimin e Allahut, i cili është sa një haxh dhe një umre e plotë, e plotë, e plotë.

-Pastaj lute Allahun të të japë bereqet në këtë ditë, ashtu siç është transmetuar në sunet: “Allahumme innij es’eluke hajre ma fi hadha el jevm, fet’hahu ve nasrahu ve nurehu ve bereketehu ve hudahu, ve eudhu bike min sherri ma fihi ve sherri ma ba’dehu.”

-Pastaj dil nga xhamia duke pasur me vete nijetin e mirë dhe veprimin e punëve të mira gjatë kësaj dite.

Bëji këto punë në pjesën e mbetur të ditës, varësisht se kush të përshtatet më shumë.

-Fal pesë kohët e namazit në xhami, duke u kujdesur edhe për sunnetet para dhe pas farzeve.

-Lexo një xhuz të plotë të Kur’anit, duke e medituar atë.

-Jep sadaka para ose ndonjë mall.

-Ruaju nga të folurit e panevojshëm, duke e ndërruar këtë me dhikër, dëgjim Kur’ani apo të ndonjë ligjërate të dobishme etj.

-Shfrytëzo kohën mes akshamit dhe jacisë për lexim të Kur’anit, shko në ndonjë ders etj.

-Vizito varrezat vetëm ose me ndonjë vëlla.

-Fal dy rekate me përkushtim të plotë pas çdo abdesti.

-Vizito ndonjë të afërm ose ndonjë vëlla që e do për hir të Allahut.

-Zgjidh dy hadithe dhe mundohu t’i futësh në praktikë në këtë ditë, p.sh. një nga hadithet e librit “Rijadus-salihin” apo nga ndonjë libër tjetër i dobishëm.

-Jepi dhuratë dikujt që e do, që ta forcosh edhe më shumë lidhjen mes jush.

-Dhuroji ndonjë cd ose fletushkë dikujt që e sheh se është larg rrugës së Allahut.

-Shkruaj ndonjë letër me ndonjë këshillë të dobishme dhe dërgoje te ndonjë mik apo shok i yti, që mendon se ka nevojë për të (letër në e-mail, sms apo letër normale).

-Mundohu të vizitosh një të sëmurë në këtë ditë, në mënyrë që të kërkojnë falje për ty 70 mijë melekë.

-Mos i harro duatë gjatë hyrje-daljes nga shtëpia dhe xhamia, hipja në mjetin e udhëtimit etj.

-Shfrytëzo mundësitë e volitshme për punë të mira në këtë ditë: buzëqeshja, selami, shkuarja në ndonjë varrim, këshillimi, fjala e mirë, ndihmesa e dikujt, largimi i brengës së dikujt, futja e gëzimit në zemrën e muslimanit, urdhërimi për të mirë, ndalimi nga e keqja, etj.

-Lexo ndonjë histori dijetari, prej së cilës të shtohet vullneti për punë të mira.

-Falëndero Allahun që ta mundësoi ta plotësosh këtë ditë me këto punë të mira.

Edhe dy ide për njerëzit seriozë:

-Vepra e mirë në tërë vitin: Qëllimi i kësaj ideje është të marrësh një zarf dhe të vësh në të 360 fletë, secila me nga një ide për ndonjë punë të mirë. Për çdo ditë merr nga një fletë dhe praktiko atë që shkruhet në të.

-Nëse i vepron këto katër çështje në këtë ditë, do të kesh për shpërblim xhennetin:

1. ushqye një të varfër; 2. agjëro këtë ditë; 3. vizito të sëmurin; 4. përcill xhenazen.

Në fund, kam një lutje për vëllanë tim.

Kush e lexon këtë shkrim dhe përfiton prej tij diçka të mirë apo i rritet ambicia dhe vullneti, mos të më harrojë nga duatë e mira të tij, duke thënë: “O Zot, fute në xhenet, bëje të begatë kudo që është dhe jepi sukses që t’i shërbejë Islamit dhe muslimanëve derisa të të takojë Ty! O Allah, prano!

Allahu të shpërbleftë për këtë dua dhe të takoftë ty e gjithë ajo që u lute për mua!

Halid ibën Abdurrahman

Përshtatur me disa shkurtesa: Xheladin LEKA

Saudi/Meke

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit